Trajnim i operatorëve turistikë dhe bizneseve turistike në zonat e mbrojtura në Gjirin e Vlorës

Trajnim i operatorëve turistikë dhe bizneseve turistike në zonat e mbrojtura në Gjirin e Vlorës

Në kuadër të projektit të CEPF – “Nga mali në Det, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), organizoi trajnimin dy ditor “Trajnim i operatorëve turistikë dhe bizneseve turistike në zonat e mbrojtura në Gjirin e Vlorës si aktorë kryesorë në zbatimin e planit të menaxhimit të këtyre zonave dhe si përdorues të tyre”.

Trajnimi ishte i organizuar në një takim informues dhe një  vizitë në terren me guidat turistike lokale dhe kombëtare, për orientimin e punës së tyre edhe në turizmin natyror në zonat e mbrojtura, promovimin e vlerave natyrore, historike dhe kulturore që ato kanë.
 
Në vizitën në terren, në Kishën e Marmiroit e gjendur në lagunën e Orikumit, pjesë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar të Karaburunit, si dhe në shtegun e Qafës së Thellë në Parkun Kombëtar Llogora, pjesëmarrësit u njohën me mënyrat e orientimit në shtigjet mjedisore, leximin e tabelave orientuese mbi biodiversitetin si dhe kodin e sjelljes në zonat e mbrojtura.
 

Aktivitetet e ndërmarra gjatë këtij projekti synonin të ndikonin në statusin e ruajtjes së disa prej këtyre specieve, siç janë renditur më poshtë. Për më tepër, ky projekt nxit përmirësimin e njohurive mbi shpërndarjen, kërcënimet dhe nevojat e ruajtjes për këto specie, dhe mbase dhe të tjera, që ende nuk janë identifikuar nga komuniteti shkencor.

Lista e specieve të konsideruara në këtë projekt është:

  • Chondrula lugorensis: kjo specie njihet nga një gamë relativisht e ngushtë në rajonin bregdetar të Shqipërisë së Jugut. Përveç lokalitetit të tij (kalimi Llogara), dy lokacione të tjera u botuan kohët e fundit nga Fehér dhe Erőss (2009); 2 km në perëndim të Majës së Qorrës (1840 m asl.) 1 km SE në Maja e Klogjurit (1779 m asl.). Këto regjistrime të reja zgjeruan gamën e njohur të specieve në lindje dhe në të njëjtën kohë sugjerojnë që zona e banimit (AOO), shtrirja e shfaqjes (EOO) dhe numri i lokacioneve janë ende nënvlerësuar. Nën-popullsitë lokale mund të kërcënohen nga shkatërrimi i plotë ose i rëndë i bimësisë (shpyllëzimi i ndjekur nga erozioni, zjarri, etj.).
  • Hypericum haplophylloides dhe Sesleria albanica, informacioni është i pakët në lidhje me këto dy specie.

Njohuritë mbi shpërndarjen e këtyre specieve janë të kufizuara. Ruajtja e këtyre llojeve të bimëve të rëndësishme dhe endemike kërkon sjellje dhe kontroll më të përgjegjshëm të njeriut mbi aktivitete të tilla, si kullotja dhe zjarre dhe/ose hyrje turistike në disa zona të ndjeshme të rëndësishme për mbijetesën e këtyre specieve. Duke qenë specie që gjenden vetëm në zonën e Gjirit të Vlorës, është me rëndësi që komuniteti që e frekuenton këtë zonë të ketë njohuritë e mjaftueshme mbi këto specie dhe të kuptojë dhe veprojw në mënyrë që të ndikojë sa më pak negativisht në ekzistencën e tyre dhe në shtimin në habitatet e tyre.

Trajnimi shërbeu si bazë e ngritjes së njohurive të aktorëve bashkëpunues në zonën e Gjirit të Vlorës mbi rëndësinë e specieve endemike dhe mënyrës së monitorimit të statusit të tyre. Gjithashtu pjesëmarrësit do të marrin njohuri mbi lidhjen e natyrës me aktivitetet turistike që mund të zbatohen në zonën e Gjirit të Vlorës duke u mbështetur në kuptimin e kufijve të një zone të mbrojtur dhe ku mund të shfrytëzohet për të bërë aktivitetet turistike natyrore, kulturore dhe historike. Projekti është mbështetur në dokumentet kryesore të punës së menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe kokretisht në planet e menaxhimit të Parkut Kombëtar Llogara, Rezervatit Natyror i Menaxhuar i Karaburunit dhe Parkut Kombëtar Detar i Karaburun-Sazanit, si në prezantimin e planeve të menaxhimit të specieve dhe të protokolleve të monitorimit.

 

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: