Trajnim i operatorëve dhe bizneseve turistike në ZM në Gjirin e Vlorës

Trajnim i operatorëve dhe bizneseve turistike në ZM në Gjirin e Vlorës

“Trajnim i operatorëve turistikë dhe bizneseve turistike në zonat e mbrojtura në Gjirin e Vlorës si aktorë kryesorë në zbatimin e planit të menaxhimit të këtyre zonave dhe si përdorues të tyre”

Parku Kombëtar i Llogarasë dhe ai detar i Karaburun-Sazanit janë zona që mund të vlerësohen si zonat më të pasura me specie endemike për të cilat në krenohemi. Kjo vlerë vjen nisur dhe nga vetë emërtimet që këto specie kanë (si albanica apo lugorensis apo himariense). Por më mirë se i njohin vetë vendasit, askush nuk mund të thotë apo të japë informacionin për vendndodhjen apo shpërndarjen e tyre në zonë.

Këto parqe janë zona turistike shumë tërheqëse për turistët që kërkojnë gjithmonë e më shumë t’i eksplorojnë ato, megjithëse janë zona malore me rrezikshmëri, por që ofrojnë bukuri dhe llojshmëri të peisazhit.

Grupi i operatorëve turistikë dhe bizneseve turistike në zonën mbrojtura në Gjirin e Vlorës janë identifikuar si aktorët më të rëndësishëm të grupeve të interesit pasi ata e njohin mirë të gjithë zonën dhe kontribuojnë në njohjen më të mirë të saj me të gjitha vlerat e tyre si natyrore ashtu dhe ato kulturore apo ekonomike.

Për të ndërgjegjësuar më shumë komunitetin e zonës për njohjen e specieve Chondrula lugorensis, Hypericum haplophylloides dhe Sesleria albanica, që projekti “Nga Mali në Det” ka si objekt studimit dhe për t’i ardhur në ndihmë dhe stafit të AdZM Vlorë për të shtuar informacionin rreth zonave ku ato gjenden dhe të gjendjes ekologjike të tyre, u organizua takimi me operatorët turistik dhe bizneset turistike që e kanë zonën e Llogarasë dhe të Karaburunit zonën e guidave të tyre dhe që e vizitojnë si shtëpinë e tyre vazhdimisht. Ata janë identifikuar si aktorë kyç në procesin e zbatimit të planit të menaxhimit të zonave të mbrojtura në Gjirin e Vlorës dhe për këtë arsye u bënë pjesë e takimeve të grupeve të interesit për të diskutuar mbi mënyrën e zbatimit të planeve të menaxhimit dhe se si mund ato të përmirësohen në vazhdimësi.

Pjesëmarrësit u njohën me karakteristikat e specieve endemike dhe me listën e specieve më të rëndësishme që janë identifikuar të pranishme në zonë në mënyrë që të shtojmë njohuritë kryesore të tyre për to dhe të japin kontributin e tyre në ecurinë e monitorimit të tyre në zonën e parkut. Shtimi i njohurive u shoqërua me prezantim dhe informacionin biologjik për to dhe për statusin që këto specie kanë jo vetëm si specie endemike të zonës, por dhe si specie që janë futur në listën e IUCN për t’u bërë pjesë e inventarit botëror të specieve. Ky informacion u dha me qëllimin që jo vetëm t’i shtohet informacionit turistik që ata përdorin për zonën, por dhe të përdoret për të përfituar eksperiencën e nevojshme për t’i mbrojtur këto specie duke iu kushtuar kujdesin e duhur gjatë vizitave në terren apo duke i anashkaluar për të mos i dëmtuar apo shqetësuar ato.

Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Prefekti i Vlorës z. Flamur Mamaj, si kryetar i Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të Gjirit të Vlorës, por dhe si një nga aktorët më të pasionuar të bukurive natyrore që këto zona të mbrojtura kanë në gjirin e tyre dhe mund të shfrytëzohen me efektivitet nga turistët dhe guidat e tyre.

Të gjithë pjesëmarrësit treguan eksperiencat e tyre ku i kishin parë këto specie dhe treguan interes për tu bërë pjesë e grupit të vëzhgimit të tyre në vazhdimësi, jo vetëm gjatë kohës së zbatimit të projektit, por dhe më tej në ndihmë të AdZM Vlorë me të cilët bashkëpunimi është i vazhdueshëm. Operatorët dhe biznesmenët turistikë shprehën dëshirën që të jenë më aktivë jo vetëm në reklamimin e vlerave natyrore, por të nxitnin dhe praktikat e mira të turizmit mbështetur në natyrë dhe burimet natyrore që zonat e mbrojtura ofrojnë.

Me aktorët e pranishëm në takim u diskutuan dhe çështje të rishikimit të planit të menaxhimit të parkut duke u fokusuar në mundësitë e përdorimit të shërbimeve të ekosistemeve brenda parkut, por dhe në mënyrën e veprimit për të mbrojtur speciet dhe habitatet e tyre sipas planit të veprimit që AdZM-ja është duke e rishikuar.

Ky grup i aktorëve u vlerësua si më aktivi në zonë për vetë fushën e veprimtarisë së tyre brenda zonave të mbrojtura dhe për përgjegjësinë që ata ndiejnë për të mbrojtur natyrën dhe vlerat e saj në shërbim të njerëzimit.

 

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: