Takim me aktorët e grupet e interesit në ZM në Gjirin e Vlorës

Takim me aktorët e grupet e interesit në ZM në Gjirin e Vlorës

“Takim me aktorët e grupet e interesit në zonat e mbrojtura në Gjirin e Vlorës në zbatimin e planit të menaxhimit të këtyre zonave dhe si përdorues të tyre”

Parku Kombëtar i Llogarasë dhe ai Detar i Karaburun-Sazanit janë zona që mund të vlerësohen si zonat më të pasura me specie endemike për të cilat në krenohemi. Kjo vlerë vjen nisur dhe nga vetë emërtimet që këto specie kane (si albanica apo lugorensis apo himariense). Por më mirë se i njohin vetë vendasit, askush nuk mund të thotë apo të japë informacionin për vendndodhjen apo shpërndarjen e tyre në zonë.

Për të ndërgjegjësuar më shumë komunitetin e zonës për njohjen e specieve Chondrula lugorensis, Hypericum haplophylloides dhe Sesleria albanica, që projekti “Nga mali në det” ka si objekt studimit dhe për t’i ardhur në ndihmë dhe stafit të AdZM për të shtuar informacionin rreth zonave ku ato gjenden dhe të gjendjes ekologjike të tyre, u organizua takimi me barinjtë që e kanë zonën e Llogarasë dhe të Karaburunit zonën e ushqimit të bagëtive të tyre. Ata janë identifikuar si aktorë kyç në procesin e zbatimit të planit të menaxhimit të zonave të mbrojtura në Gjirin e Vlorës dhe për këtë arsye u bënë pjesë e takimeve të grupeve të interesit për të diskutuar mbi mënyrën e zbatimit të planeve të menaxhimit dhe se si mund ato të përmirësohen në vazhdimësi.

Barinjtë u njohën me karakteristikat e specieve endemike dhe me listën e specieve më të rëndësishme që janë identifikuar të pranishme në zonë në mënyrë që të shtojmë njohuritë kryesore të tyre për to dhe të japin kontributin e tyre në ecurinë e monitorimit të tyre në zonën e parkut. Shtimi i njohurive u shoqërua me prezantim dhe informacionin biologjik për to dhe për statusin që këto specie kanë jo vetëm si specie endemike të zonës, por dhe si specie që janë futur në listën e IUCN për t’u bërë pjesë e inventarit botëror të specieve.

Të gjithë pjesëmarrësit treguan eksperiencat e tyre ku i kishin parë këto specie dhe treguan interes për tu bërë pjesë e grupit të vëzhgimit të tyre në vazhdimësi, jo vetëm gjatë kohës së zbatimit të projektit, por dhe më tej në ndihmë të AdZM Vlorë me të cilët bashkëpunimi është i vazhdueshëm.

Me aktorët e pranishëm në takim u diskutuan dhe çështje të rishikimit të planit të menaxhimit të parkut duke u fokusuar në mundësitë e përdorimit të shërbimeve të ekosistemeve brenda parkut, por dhe në mënyrën e veprimit për të mbrojtur speciet dhe habitatet e tyre sipas planit të veprimit që AdZM-ja është duke e rishikuar.

Nga takimi u arrit të vendosen kontakte midis grupeve të interesit për të arritur një menaxhim me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit lokal dhe jo vetëm.

 

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: