Visite: 1099
Tërheqje vëmendjeje për informacionet mbi prezencën dhe kapjen e peshkaqenëve ne detet Adriatik dhe Jon!
Tërheqje vëmendjeje për informacionet mbi prezencën dhe kapjen e peshkaqenëve ne detet Adriatik dhe Jon!
Peshqit kërcorë janë të rrezikuar në të gjithë Mesdheun. Nga vlerësimi i fundit i 2016 nga IUCN, në detin Mesdhe, të paktën 56% e peshkaqenëve dhe 50% e rajave (lloj peshkaqeni) janë me status të kërcënuar. E njëjta situatë paraqitet në ujërat që lagin Shqipërinë me pjesën më të madhe të këtyre llojeve. Për këtë arsye, 15 lloje peshkaqenësh që ndeshen më shpesh në ujërat tona janë të mbrojtura përmes konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit vendas, si në fushën e mjedisit, ashtu dhe atë të peshkimit. Përmes projektit SAFE Shark, kemi arritur të propozojmë që 11 lloje të tyre të propozohen për t’u futur dhe në listën e kuqe të përditësuar të faunës shqiptare.
Duhet theksuar se peshkaqenët janë një grup shumë i rëndësishëm i predatorëve (grabitqarëve) të mjedisit detar, shumë i rrezikuar nga aktiviteti njerëzor, kryesisht përmes peshkimit aksidental/rastësor. Ulja e numrit të tyre jo vetëm që sjell humbje të biodiversitetit, por dhe pasoja të mëdha në rrjetet trofike të ekosistemeve detare. Për pjesën më të madhe të llojeve të tyre është i ndaluar, peshkimi, dhe në rast zëniesh aksidentale duhen lëshuar sërish në det ose në rast të kundërt nxjerrja e tyre në tokë përbën shkelje dhe sjell vendosjen e gjobave.
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri së bashku me partnerët mesdhetare të WWF Med dhe WWF Itali, në mbështetje dhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shprehin shqetësimin e tyre për mënyrën e raportimit të çështjeve që kanë të bëjnë me prezencën dhe kapjen e peshkaqenëve, dhe kërkon vëmendjen e medias së shkruar, vizive dhe sociale për të trajtuar me korrektësi njoftimet e paraqitura. Ky raportim ndonëse rrjedh si pasojë e mungesës së informacionit nga institucionet respektive në informim dhe më tej në ndërgjegjësim të komunitetit të peshkatarëve së pari dhe më pas të medias dhe komunitetit për llojet e specieve që janë prezente në ujërat shqiptare dhe në rëndësinë që ata kanë jo vetëm si pjesë e biodiversitetit, por dhe si informacion statistikor për peshkimin e tyre, nuk duhet neglizhuar për të bërë me to lajme apo kronika që shkojnë në drejtim të gabura të informimit dhe ndërgjegjësimit.
Lajmet mbi peshkimin e peshkaqenëve shpesh janënë dëm jo vetëm të specieve të kapura, të cilat në shumicën e tyre janë specie të rrezikuara dhe që kanë status mbrojtjeje rajonale apo botërore, por dhe të vetë peshkatarëve të prezantuar në këto kronika apo njoftime. Ne ju bëjmë me dije se bazuar në kuadrin ligjor për peshkimin, ku përfshihen edhe speciet e peshkaqenëve, kapje të tilla (qofshin dhe rastësore) janë të dënueshme, por gjithashtu edhe zbarkimi i tyre në tokë dhe akoma më tej shitja apo servirja e tyre nga/për restorantet.
E përmendim këtë fakt të ndëshkimit të peshkatarëve (në rastet e peshkimit të peshkaqenëve) sipas kuadrit ligjor, pasi gazetaret/ët dhe vetë peshkatarët indirekt kanë bërë të mundur evidentimin e këtij fenomeni nga institucionet inspektuese, të cilët në zbatim të ligjit kanë aplikuar edhe gjoba ndëshkimore për këto subjekte.
Shpesh herë i është bërë reklamë praktikave të gabuara të kapjes së peshkaqenëve dhe për më tepër zbarkimit në tokë, shitjes dhe servirjes së tyre në/nga restorante. Gjithashtu një kronikë ose njoftim i reklamimit të kapjes së peshkaqenëve, do të kërkonte dhe një njohje më të thelluar të specieve të tyre pasi ata janë cilësuar si të rrezikuara dhe peshkatarët kanë detyrim ligjor ruajtjen e tyre në mënyrë rigoroze dhe jo kapjen e apo zbarkimin në tokë të këtyre specieve. Në këtë kontekst, informacion më i detajuar si për rregullat e peshkimit apo të llojeve të rrezikuara të tyre ofrohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (drejtoria e zhvillimit të peshkimit) dhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (drejtoria e zhvillimit të politikave të mbrojtjes së mjedisit – mbrojtja e biodiversitetit).
Nëse nuk dispononi dhe shfrytëzoni informacionin e duhur, ju do të bëheni jo thjesht nxitës të ndëshkimit të peshkatarëve, por më tepër nxitës të praktikave të gabuara dhe keqinformimit të publikut.
Në këtë kuadër ne kërkojmë:
• ndërgjegjësim nga mediat që këto specie janë të veçanta (peshkaqenët) dhe si të tilla në rastin më të mirë, duhet të mbrohen duke nxitur mënyrat e mira të trajtimit të tyre në rastet e kapjeve rastësore, në rastin më të keq (nga peshkatarët), jo vetëm të mos zbarkohen në breg dhe të konsumohen pa dijeni të autoriteteve përkatëse, por minimalisht të realizojnë regjistrimin e këtyre specieve sipas kërkesave të ligjit për peshkimin;
• mediat të mos bëjnë reklamën e gabuar të procesit të peshkimit të peshkaqenëve që është në shkelje të ligjit dhe që ndëshkohet me gjoba për peshkatarët dhe ata që e kërkojnë për konsum;
• mediat vizive dhe veçanërisht ato on-line të mos përhapin panik në publik për prezencën e tyre në ujërat tona, pasi peshkaqenët kanë qenë dhe do të jenë pjesë e deteve që lagin brigjet tona.
Për këtë arsye duhet, qëpër aq sa është e mundur, të ndiqen të gjithë rregullat e parashikuara për mbrojtjen e këtyre llojeve të rrezikuara dhe të ndërgjegjësimittë komunitetit mbi rëndësinë e tyre dhe jo raportimi i tyre si trofe gjahu. Mediat janë një armë e fuqishme në reklamën e mbrojtjes dhe trajtimit në mënyrën e duhur të peshkaqenëve, si specie e rëndësishme e planetit tonë, prandaj ju ftojmë të jeni partnerët tanë në këtë.