Shkolla Verore nga Mali në Det
“Shkollë verore për të përmirësuar njohuritë mbi speciet kryesore me përparësi, praktikat e tyre më të mira të menaxhimit dhe habitatet e speciet e tjera të rëndësishme në gjirin e Vlorës”
Për të ngritur kapacitetet e studentëve të fushave të natyrës mbi njohjen e vlerave natyrore të zonave të mbrojtura dhe identifikimi i specieve bimore dhe shtazore, Inca Shqipëria në kuadër të projektit "Nga Mali në Det" financuar nga Critical Ecosystem Partnership Fund Fondi i Partneritetit për Ekosistemet Kritike (CEPF), në bashkëpunim me Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, organizoi një program trajnimi tre ditor “Shkollë verore për të përmirësuar njohuritë mbi speciet kryesore me përparësi, praktikat e tyre më të mira të menaxhimit dhe habitatet dhe speciet e tjera të rëndësishme në gjirin e Vlorës”. Programi i kësaj shkolle u hartua të mbulojë njohjen e specieve endemike të zonave të mbrojtura (Parkut Kombëtar të Llogara-së; Rezervatit Natyror të Menaxhuar të Karaburunit dhe Parkut Kombëtar Detar të Karaburun-Sazanit), llojet e habitateve dhe mënyrat e ruajtjes dhe menaxhimit të tyre. Ky program u zhvillua për 30 pjesëmarrës për tre ditë dhe ishte një alternim i informacionit teorik dhe praktikave në terren, mjaft të rëndësishme për realizimin e studimeve të mirëfillta dhe vrojtimi i specieve në habitatin e tyre.
"Shkolla Verore" u frekuentua nga studentë të fushave akademike biologji, inxhinieri mjedisi dhe turizëm, të ardhur nga gati të gjitha trevat shqiptare, si: Vlora, Librazhdi, Fieri, Tirana, Durrësi, Skrapari, Prishtina, Gjakova, etj.
30 të rinj iu bashkuan shkollës verore në Parkun Kombëtar Llogara nga data 7-9 Maj me suportin e INCA. Një eksperiencë që solli bashkë studentë, akademikë, administratorë dhe aktorë lokal në një udhëtim në zonat e mbrojtura duke u njohur me të gjitha elementet si ato natyrore, socio-ekonomike dhe turistike. Në përfundim të ditës së parë të shkollës verore, studentët u njohën edhe me vlerat e biodiversitetit të Zonave të Mbrojtura, zonimin e tyre, endemizmat dhe mënyrat e monitorimit!
Në ditën e dytë të shkollës verore u zhvilluan punët në grupe në terrenin e Malit të Çikës. Grupet ecën përgjatë shtegut, ku vëzhguan specie të ndryshme bimësh e insektesh dhe bënë identifikimin e tyre me ndihmën e udhëheqësve të grupeve Nexhip Hysolakoj, Ina Nasto dhe Endora Çelohoxhaj.
Gjatë shtegut u vëzhguan dhe speciet endemike të zonës, që janë dhe specie kyçe të projektit si Sessleria albanica dhe Hypericum haplophyloides.
Në përfundim të ditës së fundit të shkollës verore, studentët pjesëmarrës lanë pas një eksperincë me njohuri mbi fusha të ndryshme të biologjisë, mjedisit dhe turizmit! Gjatë një programi 3-ditor, jo vetëm u informuan mbi shërbimet e ekosistemit që ofrojnë Parqet Kombëtare në veçanti dhe Zonat e Mbrojtura në tëresi, por edhe me vlerat natyrore që ato kanë, të përdorshme nga komuniteti dhe turistët e ndryshëm, e mbështetur kjo edhe me zbatimin e kuadrit ligjor përkatës.
Për këtë eksperincë ata u shprehën:
“Shikoni thellë natyrën dhe atëherë do të kuptoni gjithçka më mirë "! Përvoja ime e pare në terren dhe për këtë një falenderim i veçante shkon për Inca Shqipëria stafin e saj perfekt, Nexhipi Emirjeta, Endora Çelohoxhaj dhe profesoren time Ina Nasto. Një nga ditët më të bukura, shijova gjithçka. Takova njerëzit më të dashur dhe të përkushtuar. Faleminderit të gjithëve" - shprehet Ledi Lazaj
“U kënaqa duke qenë pjesë e një projekti nga Inca Shqipëria, ku kam fituar njohuri për vlerën natyrore dhe speciet identifikuese të parkut kombëtar Llogara. Ishte privilegj të isha pjesë e kësaj, ku pata mundësinë të përjetoja ndjenjën e komunitetit dhe përkatësisë. Dua të falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur këtë mundësi; Endora, Emirjeta, Ina, Nexhipi.” - Ema Jakaj
“Faleminderit INCA (Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri) që na dha këtë mundësi të mësojmë të gjitha këto informacione të rëndësishme për natyrën në përgjithësi, dhe zonat e mbrojtura, ishte një eksperiencë e shkëlqyer sidomos për mua dhe Emën, ishte privilegj!! Nje falenderim i veqant për të gjith lektoret Endora, Emirjeta, Ina, Nexhipi dhe të gjithë kolegët, keni qenë kaq të dashur me ne!” - Eurona Lumi
“Nese do ju thoja që ka akoma të rinj në Shqipëri që punojnë dhe e dashurojnë natyrën, gjallesat, bimët dhe çdo gjë tjetër që lidhet to, sa do e besonit?! Unë e konfirmova në këtë grup studiuesish të rinj! E konfirmova kur pash që ka shoqata si Inca Shqipëria që përpiqen me sa munden që të edukojnë të rinjtë për vlerat dhe rëndësinë që ka natyra dhe jo vetëm! Shpeshherë e harrojmë këtë fakt. Gabojmë dhe e ndotim me apo pa dashje mjedisin që na rrethon.
Lëndojmë bimët e rrezikuara, vrasim kafshët e pafajshme, për çfarë? Për egon e rrezikshme njerëzore! Për kapriçot tona! Sepse duam një pellush dhelpre. Duam nje çakall të balsamosur në oborrin e shtëpisë. Duam dhe një buqetë me Orkide për një foto. Por nëse do ndalemi një moment dhe do analizojmë koston që ka çdo veprim i yni, do e mendonim dy herë nëse do e përsërisnim të njëjtin veprim. Është njësoj sikur të heqësh një pjesë organi jetik nga trupi jonë. Ky i fundit do fillojë të ketë probleme...
Le të ndalemi dhe tek plastika. Sa nga ne mbledhin mbetje kur shkojnë në një park apo në një mjedis natyror? Apo duhet të pyes sa nga ne nuk i lenë mbeturinat e tyre në atë mjedis?! Ka një arsye përse në shkojmë në këto mjedise. Është e njejta arsye përse në duhet të kujdesemi që këto mjedise të jenë ashtu siç duhet të jenë; TË PASTRA! Nuk na bën higjenik vetëm larja e syve në mëngjes... Kështu që e di që është bërë klishe, por mos hidhni mbeturina në vende ku nuk ndodhet një kosh. Filloni dhe ndjeni pak përgjegjësi për ate që i kemi shkaktuar natyrës...
Faleminderit stafit dhe AdZM Vlorë, për mundesinë dhe njohuritë e reja për Parkun Kombëtar të Llogarasë. Keni bërë një punë të pastër dhe jam shumë mirënjohës që mu dha mundesia të isha në këtë projekt!” shprehet Dritan Lloçi
Duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit për prezencën dhe kontributin e dhënë gjatë këtyre ditëve sa intensive edhe të bukura brenda Parkut Kombetar të Llogara-së, ju urojmë suksese të mëtejshme në zbatimin e këtyre njohurive në shkollë dhe punën e tyre, dhe të marrin nisma të tilla edhe në vazhdim, si një vlerë e shtuar në ushtrimin e profesionit përkatës që ata do të ushtrojnë.
https://inca-al.org/sq/postimet/lajmet-e-fundit/shkolla-verore-nga-mali-ne-det#sigProIdb71e0dfdad