40-vjetori i Monumenteve të Natyrës
40-vjetori i Monumenteve të Natyrës
Togfjalshi "Pasuri natyrale të rralla", njehsuar më pas "Monument Natyre", për herë të parë, trajtohen në Ligjit nr. 4874, datë 23.9.1971 “Për mbrojtjen e monumenteve kulturore e historike dhe pasurive natyrale të rralla”, i cili, në nenin 1, theksonte që “Monumentet kulturale e historike, të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe sendet ose pasuritë natyrale të rralla, që kanë vlerë për kulturën dhe historinë vihen nën mbrojtje të shtetit”.
Në vitet 1980, me monumentet e natyrës, u morrën pylltarët. Drejtoria e Pyjeve, në Ministrinë e Bujqësisë, nëpërmjet strukturave pyjore, në rrethe, në periudhën 1980 - Mars 1981 kryeu studimin për vënien nën mbrojtje shtetërore të pasurive natyrore të rralla.
Në këtë studim, veç specialistëve të pyjeve, u përfshinë mësuesit, agronomët, akademikët dhe banorët vendas. Pas përpunimit të propozimeve, duke i klasifikuar në dy grupe, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.100, datë 19.05.1981 "Për vënien nën mbrojtjen shtetërore të pasurive natyrore të rralla" u miratua lista me 52 Drurë pyjor dhe 28 Grumbuj pyjor, me sipërfaqe 302.4ha.
Ndërkohë, në zbatim të këtij vendimi, u përgatit edhe lista e Monumenteve të Natyrës që u miratua me Urdhrin e Përbashkët (Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë) Nr.9, datë 20.11.1981, ku u miratuan 101 Dru pyjor dhe 29 Grumbuj pyjor, me sipërfaqe137.1ha.
Pas një periudhe të gjatë, në kuadër të "Projektit të Pyjeve", nën komponenti për zonat e mbrojtura, u krye studimi për pyjet e pambritshëm (të paprekur) dhe u propozua shpallja e disa zonave të mbrojtura, të përshtatura me kategoritë të IUCN-s, ku miratuan me VKM nr. 102, datë 15.01.1996: 3 zona Rezervat Strikt Natyror, 5 zona Park Kombëtar, 4 zona Monument Natyre (Bredhi i Sotirës, Zhej, Syri i Kaltër dhe Vlashaj, me sipërfaqe 3740ha), 5 zona Peizazh i mbrojtur dhe 5 Zona të mbrojtura shumë përdorimshe.
Në perudhën 1996-2000 u realizua projekti “Monumentet e natyrës së Shqipërisë”, të drejtuar nga prof. Lekë Gjiknuri dhe prof. Perikli Qirjazi.
Në këtë studim u përfshinë gjeografë, biologë, pylltarë, gjeologë, hidrologë, dashamirës të natyrës, etj., si dhe specialistë nga institucionet përgjegjëse të mbrojtjes së natyrës.
Rezultatet kryesore të studimit sollën një koncept të ri mbi monumentet e natyrës, të karakterizuar nga objekte të veçantë apo/dhe ata me madhësi deri në 50ha të natyrës së gjallë-BioMN (drurë e grupe drurësh, biotope të llojeve endemike, të rralla, të rrezikuara apo relikte) dhe jo të gjallë-GjeoMN (gjeologjike, gjeomorfologjike, peizazhe, kanione, gurë me forma të veçanta, shpella, ujëvara, burime, liqene akullnajore e karstike etj).
Studimi identifikoj, vlerësoj dhe kadastroj, sipas qarqeve dhe rretheve, mbi 516 objekte të reja natyrore me vlera unike, të cilët, u propozuan për statusin e monumentit të natyrës.
Në mbështetje të ligjit nr. 8906, datë 06.06.2002 "Për zonat e mbrojtura", vendimi i KM nr. 676, datë 20.12.2002 "Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës Shqiptare", miratoi shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare listën, sipas qarqeve e rretheve, ku rezultoi: 348 BioMN dhe 398 GjeoMN, gjithsej 746 MN.
Pas këtij vendimi Rrjeti i MN të Shqipërisë ka 750 njësi MN me sipërfaqe 3470ha. Në vitin 2006, sipas një projekti të mbështetur nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, u botua albumi për Monumentet Natyrore të Shqipërisë, ndërsa Prof.Dr.Perikli Qirjazi dhe Prof.Dr.Skënder Sala përgatitën dhe botuan Hartën e Monumenteve të Natyrës, shk 1:200 000.
AKZM, në periudhën 2017-2019, kreu inventarizimin e ri të rrjetit të MN, pasi mjaft prej këtyre MN janë zhdukur, dëmtuar rëndë, janë tjetërsuar dhe kanë humbur vlerat dhe statusit e tyre. Njëherazi studimi identifikoj dhe propozoj dhe mjaft MN të rinj.
Në mbështetje të ligjit nr. 81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, Këshilli i Ministrave me vendimin nr.303, datë 10.05.2019 miratoi Listën e rishikuar, të përditësuar, të monumenteve të natyrës shqiptare, të rivlerësuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Sipas vendimit Rrjeti i MN përfshinë: 295 BioMN, 423 GjeoMN, Gjithsejt 718 MN. Aktualisht Rrjeti i MN përfshinë 721 MN, me sipërfaqe 1970ha.
"Të kujdesemi, të duam e të vlerësojmë këtë pasuri të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë"!
Disa nga Monumentet e Natyrës Shqiptare
https://inca-al.org/sq/postimet/lajmet-e-fundit/40-vjetori-i-monumenteve-te-natyres#sigProId55588c9741