Visite: 443
Qeveria përjashton shoqërinë civile!
Qeveria përjashton shoqërinë civile!
Në kundërshtim të plotë me rekomandimet e BE European Union in Albania dhe praktikat e standardet më të mira ndërkombëtare, të bashkëpunimit të organizatave të shoqërisë civile me institucionet qeverisëse, drejtoresha e AKZM Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura znj. #Daniel Pirushi , përjashton me arrogancë përfaqësuesit e Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) nga mbledhja e Komitetit të Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Alpeve, zhvilluar sot më datë 25 Tetor.
INCA është një nga organizatat kryesore që ka promovuar që në krye të herës rëndësinë e ruajtjes së vlerave natyrore të zonës së Alpeve të Shqipërisë dhe ka mbështetur fuqimisht procesin e shpalljes së kësaj zone si Park Kombëtar, duke nxitur edhe interesin e vazhdueshëm të donatorëve të ndryshëm në këtë proces.
Për më tepër kontributi i INCA-s është prezantuar dhe në bashkëpunimet e mëparshme me administratën e zonave të mbrojtura për të ngritur kapacitetet e stafeve të lidhura me praktikat e hartimit dhe zbatimit të planeve të menaxhimit të zonave të mbrojtura natyrore.
Sot, INCA, si një nga përfaqësueset e denja të shoqërisë civile në Shqipëri e me kontribut të njohur gjerësisht brenda e jashtë vendit, përballet me arrogancën e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, drejtuar nga znj. Pirushi. Kjo arrogancë dhe shpërfillje ndaj shoqërisë civile, si kontribues kryesor në forcimin e sistemit të zonave të mbrojtura në Shqipëri, është e njohur edhe nga aktorë të tjerë, përfshi edhe donatorët.
Ky lloj qëndrimi nuk i vjen aspak në ndihmë zgjidhjes së problemeve thelbësore të Zonave të Mbrojtura në garantimin e ruajtjes së vlerave të paçmuara të natyrës shqiptare. Edhe pse në pozicione të ndryshme, ne si shoqëri civile dhe AKZM si institucion publik, pashmangshmërisht duhet të jemi bashkë në qëllimin e mirë për ruajtjen e Zonave të Mbrojtura dhe promovimin e tyre.
INCA dënon aktin e paprecedentë të përjashtimit nga mbledhja e sotme Komitetit të Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Alpeve dhe beson fort se qëndrime të tilla duhen bërë publike jo vetëm për grupet e interesit por dhe për institucionet që zbatojnë ligjin e informimit dhe transparencës në të gjitha nivelet. Këto qëndrime duhet të eliminohen nga proceset e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse nga të gjithë ata që përkrahin ecjen e Shqipërisë përpara drejt standardeve ndërkombëtare.
INCA do ta ngrejë këtë shqetësim në të gjitha nivelet e tjera institucionale brenda vendit dhe gjithashtu te organizatat ndërkombëtare.