Ngritja e kapaciteteve lokale mbi menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore

Ngritja e kapaciteteve lokale mbi menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore

Menaxhimi i qëndrueshëm dhe qeverisja e zgjuar e komplekese ligatinore kërkon njohuri të thelluara dhe aftësi specifike nga të gjithë aktorët e përfshirë në proces. Gjatë zbatimit të aktiviteteve të fazës së parë të projektit “Mbrojtja e Lumit Buna” doli në pah nevoja për përmirësimin e kapaciteteve të menaxherëve lokalë të zonave të mbrojtura dhe anëtarëve të Komitetit të Menaxhimit, si dhe organizatave apo përfaqësuesve të komunitetit të përfshirë në menaxhimin apo përdorimin e burimeve natyrore të zonës. Kompetenca e lartë profesionale e tyre do të luajë një rolë jetik në menaxhimin e shëndoshë të zonës së mbrojtur dhe zbatimin e planit të saj të menaxhimit.

Për adresimin e kësaj problematike, partnerët e projektit “Mbrojtja e Grykëderdhjes së Lumit Buna - Faza II” organizuan në Shkodër, në datat 22 dhe 23 korrik, dy sesione trajnimi me temë “Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore” dedikuar respektivisht aktorëve lokalë, veçanërisht OJQ-ve lokale dhe përfaqësuesve të komunitetit të përfshirë në praktikat e qëndrueshme të biznesit të inicuara gjatë fazës I, dhe personelit të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe anëtarëve të Komitetit të Menaxhimit të zonës së mbrojtur “Peisazhi i Mbrojtur Lumi Buna dhe territoret ligatinore përreth tij ”.

Tematikat e trajtuara në këto trajnime u fokusuan kryesisht në informacionet më thelbësore mbi dinamikën natyrore të ligatinave dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tyre, praktikat më të mira të përdorimit të qëndrueshëm të ujit për ujitje, parimet dhe modelet për një bujqësie të qëndrueshme, menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve peshkore si dhe turizmi me bazë natyrën në Zonat e Mbrojtura. Ekspertë të IUCN ndanë me pjesëmarrësit disa informacione dhe modele të rëndësishme lidhur me Zgjidhjet me bazë Natyrën (NbS) si dhe Listën e gjelbër të IUCN. Një hapësirë e veçantë në këto trajnime iu kushtua prezantimit të skemës së minigranteve që do të shpallet së shpejti dhe do të qëndrojë e hapur deri me 22 Gusht 2021.

Aktivitete të tjera të rëndësishme të projektit përfshijnë vlerësimin e detajuar të kapaciteteve të nevojshme të gjithë aktorëve të përfshirë në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve natyrore në zonë si dhe identifikimin dhe adresimin e nevojave të më tejshme pë rkualifikim e ngritje kapacitetesh, si dhe rishikimin e planit të menaxhimit të Peisazhit të MbrojturLumi Buna dhe territoret ligatinore përreth tij.

Projekti për “Mbrojtjen e Grykëderdhjes së Lumit Buna, Faza II” financohet nga MAVA dhe zbatohet në partneritet nga Unioni Ndërkombëtar për Ruatjen e Natyrës (IUCN), Qendra Rajonale e Veprimit e Programit për Aksione Prioritare në zbatim të Planit të Veprimit për Mesdheun (PAP/RAC) dhe Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA).

 

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: