INCA mbështet pozicionin e IUCN-së për COP29 të UNFCCC
INCA mbështet pozicionin e IUCN-së për COP29 të UNFCCC
Ndërsa Palët mblidhen në Baku, Azerbajxhan nga 11 deri më 22 nëntor 2024, për #COP29 të #UNFCCC, është urgjentisht e nevojshme të përshpejtohet progresi në të gjitha shtyllat e Marrëveshjes së Parisit – veçanërisht financat – duke u udhëhequr nga të dhënat më të fundit të shkencës dhe duke u mbështetur në rezultatet e vlerësimit të parë global, të përfunduar vitin e kaluar.
INCA bashkohet me #IUCN-në për t'u kërkuar Palëve që të rrisin ndjeshëm ambicien e tyre në reduktimin e emetimeve të gazrave me efekt serë (#GES), zvogëlimin e hendekut në zbatim dhe fillimin e menjëhershëm të nxjerrjes jashtë përdorimit të të gjithë karburanteve fosile në mënyrë të drejtë, të rregullt e të barabartë, për të parandaluar kalimin e kufirit prej 1.5°C të rritjes së temperaturës.
Në këtë kontekst, #INCA dëshiron të përsërisë mesazhet kryesore të IUCN-së dhe t'i kërkojë delegacionit shqiptar në COP29 të UNFCCC t'u përmbahet sa më rigorozisht këtyre kërkesave:
- IUCN u bën thirrje të gjitha Palëve që të sigurohen që #NDC-të e tyre të reja të jenë në nivelin e ambicies së tyre më të lartë të mundshme, plotësisht në përputhje me objektivin 1.5°C dhe të lidhura sa më ngushtë, kur është e mundur, me legjislacionin dhe kornizave rregullatore kombëtare.
- IUCN u bën thirrje të gjitha Palëve të zgjerojnë aktivitetet e tyre kombëtare të përshtatjes me qëllim zbatimin e veprimeve të përshtatjes afat-gjatë dhe transformuese dhe të sigurojnë arritjen në kohë të të gjitha objektivave të vitit 2030 të rënë dakord në kuadrin e #UAE për elasticitetin global të klimës.
- IUCN u bën thirrje të gjitha Palëve të vendosin në COP29 një objektiv të ri ambicioz të kuantifikuar kolektiv (#NCQG) mbi mobilizimin e financave për klimën që rrit financimin bazuar në grante për vendet në zhvillim, përdor një shumëllojshmëri të gjerë burimesh financimi dhe prioritizon nevojat e më të cënuarve.
- IUCN u kërkon të gjitha Palëve të përfshijnë objektiva konkrete dhe të kuantifikuara mbi zgjidhjet e bazuara në natyrë dhe qasjet e bazuara në ekosistem brenda NDC-ve të tyre të ardhshme, dhe t'i bëjnë këto sa më ambicioze që të jetë e mundur, me qëllim që të maksimizojnë përfitimet si për zbutjen dhe përshtatjen, ashtu edhe për ruajtjen e biodiversitetit.
- IUCN u bën thirrje Palëve të inkorporojnë sistematikisht rolin dhe kontributin e natyrës në të gjitha programet e punës, proceset, kornizat dhe marrëveshjet e raportimit përkatës të UNFCCC që po mbështesin aktualisht zbatimin e Marrëveshjes së Parisit.
- IUCN u kërkon Palëve të sigurojnë nivelet më të larta të integritetit mjedisor dhe të ekosistemit në operacionalizimin e nenit 6 të Marrëveshjes së Parisit (#ParisAgreement), dhe të mbajnë masa mbrojtëse të forta ekologjike dhe sociale, veçanërisht në përdorimin e çdo përthithësi dhe reduktimi të bazuar në natyrë, duke përfshirë parandalimin e çdo ndikimi të dëmshëm në stabilitetin e rezervuarëve të karbonit bazuar në ekosistem.
- IUCN u kërkon Presidencave të COP të UNFCCC, #CBD dhe #UNCCD (Azerbajxhani, Kolumbia dhe Arabia Saudite) dhe sekretariateve përkatëse të Konventave të identifikojnë dhe nxisin së bashku veprime konkrete për të forcuar bashkëpunimin midis Konventave, për të ndërtuar sinergji dhe për të trajtuar në mënyrë efektive sfidat e ndërlidhura të ndryshimeve klimatike, humbjes së biodiversitetit dhe degradimit të tokës.
- IUCN u kërkon me forcë Palëve të nxisin dhe zbatojnë politika dhe veprime klimatike gjithëpërfshirëse, të drejta dhe të barabarta, të cilat përfshijnë përparësitë, shqetësimet, nevojat dhe të drejtat thelbësore të më të cënuarve, veçanërisht të popujve indigjenë, grave, të rinjve dhe fëmijëve dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe kuptimplotë në të gjitha proceset e UNFCCC.
- IUCN u bën thirrje sektorëve privatë dhe financiarë që të vendosin, zbatojnë dhe shpalosin në mënyrë transparente politikat dhe masat ambicioze të korporatave që janë neutrale ndaj emetimeve të GES, pozitive ndaj natyrës dhe problemeve sociale, dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në objektivin #1.5°C dhe në zbatimin efektiv të NDC-ve në juridiksionet ku ato operojnë.