Dritare e dijes, informimit, përditësimit dhe e risive mbi Natyrën!...

Dritare e dijes, informimit, përditësimit dhe e risive mbi Natyrën!...

Dritare e dijes, informimit, përditësimit dhe e risive mbi Natyrën!...

10 vjet më parë, në Qershor 2013, nisi hapat “Ditari i Natyrës”, fillesa e një dritareje të dijes, informimit, përditësimit dhe të nxënurit për ruajtjen e natyrës sonë për një të ardhme të qëndrueshme, i formësuar nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA).

Një 10-vjetor jubile, që e konsiderojmë të rëndësishëm për jetën tonë si INCA, kolegët dhe dashamirësit e natyrës, duke e shpërndarë në mbi 400 adresa elektronike dhe deri më sot kemi arritur në 109 të Ditarit të Natyrës së publikuar.

Kjo Dritare, u themelua si nevojë e pashtyeshme e kohës dhe në rrethana jo edhe aq të lehta për natyrën, biodiversitetin dhe burimet natyrore, si dhe ato shoqërore, ekonomike e politike në Shqipëri. Themelimi i këtij Ditari u bë i domosdoshëm edhe për afirmimin e identitetit tonë të trashëgimisë natyore.

Në këta 10 vjet, misioni i kësaj Dritareje ka synuar: “Të ndikojë, inkurajojë dhe advokojë shoqërinë në të gjithë vendin për të ruajtur integritetin dhe larminë e natyrës, për të siguruar që çdo përdorim i natyrës dhe i burimeve të saj të jetë i barabartë dhe ekologjikisht i qëndrueshëm!”.

10 vjet histori të këtij Ditari mund të mos duken shumë në jetën e natyrës shqiptare, por për Ne janë, për të përcjellë më shumë specifika, rezultate dhe zhvillime të arrira, për të pasqyruar ecjen tonë, në rrugën e mundimshme, për të arritur këtu ku jemi.

Çdo muaj dhe vit Ditari pëson ndryshime të përparuara si në paraqitje, formë dhe në larminë e problematikave që trajton. Roli i tij mbetet i qartë dhe i pandryshueshëm para këtyre sprovave, por edhe para problemeve dhe zhvillimit të përgjithshëm shoqëror të vendit tonë, ku ato ndjehen sot dhe do të reflektohen edhe nesër. Fati i këtij rrugëtimi, sfidat e së cilës ishin dhe mbeten të mëdha janë misioni dhe roli për të cilët është themeluar Ditari.

Përvjetori që po shënojmë është dhe një rast të kujtojmë jo vetëm rrugëtimin e këtij DITARI, të arriturat dhe sukseset, por edhe çfarë duhet për të ardhmen. Është, gjithashtu, rasti të mendojmë dhe pasqyrojmë nismat dhe programet e rinj, sipas nevojave dhe prioriteteve të ruajtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të natyrës dhe burimeve natyrore.

Në Ditar sigurojmë dhe përcjellim informacion të mirëfilltë, të pavarur mbi fushën e ruajtjes së natyrës për të gjithë ata që janë përfshirë në zhvillim, vendimmarrje, zbatim dhe vlerësim të politikës e programeve të kësaj fushe, njëherazi edhe publikun e gjerë.

Në këtë Dritare, tashmë, janë të njohura kontributi dhe angazhimi në realizimin me suksese të tematikave në lidhje me rritjen, nxitjen e formimit profesional, aktivizimin e burimeve njerëzore për mbrojtjen e natyrës në bazë të parimit të zhvillimit të qëndrueshëm si dhe përmirësimin e strategjive, ligjeve, programeve kombëtare, vendore e rajonale; menaxhimin, vlerësimin dhe advokimin e praktikave më të mira të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve dhe vlerave natyrore të integruara me ato historike, kulturore, arkeologjike dhe shpirtërore.

INCA, përmes këtij Ditari, ka ofruar dhe ofron shërbimet kryesore të saj në pjesën kërkimore e studimore dhe proçesin e ngritjes së kapaciteteve, kryesisht për: Vlerësime për biodiversitetin dhe shërbimet mjedisore dhe të ekosistemit; Kryerjen e studimeve dhe përgatitjen e dokumentave strategjike; Përgatitjen e planeve të menaxhimit (zonat e mbrojtura, zonat bregdetare, pyjet, plane turizmi, etj); Trajnime për edukimin mjedisor dhe aktivitet për ngritje kapacitetesh; Përgatitjen e datebase-ve dhe të kartografimit (GIS) për zonat e mbrojtura dhe sistemin e monitorimit të faunës së egër; Organizimin dhe lehtësimin e takimeve e workshope-ve të larmishme, si dhe të mjaft projekteve lokale, kombëtare, rajonale dhe evropiane që zhvillohen për realizimin e programeve të ruajtjes dhe zhvillimit të natyrës.

Gjatë këtyre 10 viteve Ditari ka sjellë në vëmendje të mbarë opinionit publik çështjet kyçe të ruajtjes dhe qëndrueshmërisë së natyrës që kërkojnë masa urgjente të tilla si nevoja për bashkëpunim dhe harmonizim, për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, rolin e ruajtjes si një instrument për zhvillimin dhe ndërtimin e jetesës së komuniteteve në të gjithë kufijtë kombëtar e rajonal si dhe nevojën për të fuqizuar e edukuar brezat e ardhshëm, në një përpjekje për të arritur një jetë më të qëndrueshme së bashku me natyrën.

Veprimtaria njerëzore kundrejt natyrës po rritet me ritme të përshpejtuara dhe kjo gjë vë në rrezik natyrën. Kësaj dukurie nuk i ka shpëtuar edhe Shqipëria, që ka një peizazh të fragmentuar, i cili është nën presion në rritje nga kërkesat konkurruese të përdorimit të tokës, shpyllëzimet, tjetërsimi i trupave ujore dhe përdorimi i skajshëm i burimeve natyrore, infrastruktura, përhapja e pakontrolluar urbane, turizmi masiv dhe ndotja mbeten presionet kryesore për një rënie të theksuar, të menjëhershme e të paktheyshme të biodiversitetit, duke kërcënuar mbijetesën e mijëra llojeve të florës, të faunës dhe të tipave të habitateve, po ashtu ndryshimet klimatike dhe menaxhimi e qeverisja e pamjaftueshme.

Njeriu dhe natyra ndërlidhen shumë me njeri tjetrin, këtë e shprehim në Ditarin e Natyrës. Aty ku ka natyrë, ka edhe njerëz, por dhe faktin që njeriu ndryshon mjedisin natyror, duke e kthyer atë në një mjedis artificial.

Në Ditarin e Natyrës kemi pasqyruar praktikat më të mira për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të natyrës dhe burimeve natyrore, nëpërmjet projekteve shumëdimensional të realizuar; është pasqyruar çfarë i kemi bërë dhe po i bëjmë natyrës, si realitet dhe si një formë thirrjeje për reflektim e përkushtimin që duhet të tregojmë ndaj saj, çdo ditë, sa dhe si të mundemi, për t'a ruajtur e kujdesur si sytë e ballit!

Ditari ka qenë dhe mbetet mjeti i domosdoshëm për të gjithë dashamirësit që janë të shqetësuar për gjendjen e natyrës së vendit tonë; ka inkurajuar dhe ndihmon institucionet përgjegjëse shtetërore, qendrore e vendore, agjencitë ligj-zbatuese, kompanitë, biznesin, komunitetet dhe shoqërinë civile në ruajtjen e integritetit dhe larminë e natyrës, përdorimin e mençur dhe të qëndrueshëm të burimeve natyrore si një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë shqiptare.

Ditari, përmes zbatimit të veprimtarive mjaft të larmishme, kontribuon në përmirësimin e mirëmenaxhimit të fushës së ruajtjes të natyrës, të rrjetit të zonave të mbrojtura të vendit dhe mirë administrimin e tyre me një qasjeje pjesëmarrëse të aktorëve, palëve të interesuara e përfituese, për përdorimin e qëndrueshëm dhe të mençuar të biodiversitetit, burimeve natyrore, të peizazhit, tokës, pyjeve, kullotave, bimëve mjekësore, florës e faunës së egër, të trupave ujore, liqeneve e lagunave, zonës malore, kodrinore, bregdetare dhe ekosistemeve të mjedisit detar.

Në 10 vite, Ditari ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve në nivel qendror dhe vendor, duke siguruar koordinimin dhe bashkëpunimin shumëpalësh ndërinstitucional, duke përfshirë marrëdhëniet me publikun dhe palët e tjera të interesuara. Dhe gjithmonë ka synuar advokimin e një përqasjeje strategjike dhe angazhimin e shoqërisë civile dhe të komuniteteve për adresimin afatgjatë të problematikës dhe promovimit të vlerave të natyrës, burimeve kryesore dhe zonat e mbrojtura mjedisore.

Nëpërmjet tij kemi bërë me dije se përvoja e këtyre viteve reflekton një aftësi e admirueshme për të punuar në mënyrë efektive me grupet e interesit vendor, kombëtar dhe rajonal; është synuar nxitja e bashkëpunimit, rrjetëzimit dhe ngritjes së forumeve mjedisore me përfaqësues nga OJF-ve, ekspertë dhe operatorë vendore, të cilët shërbejnë si struktura profesionale të gatshme për të marrë pjesë në proceset advokuese dhe këshilluese pranë strukturave vendore përgjegjëse për menaxhimin e natyrës, të biodiversitetit, burimeve natyrore dhe peizazhit.

Përmes Ditarit, me mundësitë e krijuara dhe të punës shumëvjeçare, rritjen e bashkëpunimit në shkëmbimin e njohurive, informacionit dhe të praktikave më të mira për biodiversitetin dhe fushën e mbrojtjes së natyrës, janë bërë të mundur pasqyrimi me sukses të disa projekteve madhore, në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal.

Kësisoj, Ditari ka luajtur dhe luan një rol themelor në pasqyrimin e krijimin dhe të punës së “Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri”, si dhe vazhdon të mbështesë zgjidhjet e bazuara në natyrë si çelës për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të programeve rajonale, kombëtare e vendore.

Përvoja e këtyre viteve të pasyruar gjërësisht në këtë Ditar reflekton një aftësi e admirueshme për të punuar në mënyrë efektive me grupet e interesit vendor, kombëtar dhe rajonal. Me punën tonë kemi synuar nxitjen e bashkëpunimit, rrjetëzimit dhe ngritjes së forumeve mjedisore me përfaqësues nga OJF-ve, ekspertë dhe operatorë vendor, të cilët shërbejnë si struktura profesionale të gatshme për të marrë pjesë në proceset e ruajtjes, promovimit, advokimit dhe këshilluese pranë strukturave vendore përgjegjëse për menaxhimin e burimeve natyrore.

Ditari, në këto 10 vite, është zëri për të gjithë rrjetin e zonave të mbrojtura, biodiversitetin, peizazhin dhe më gjerë. Ka ndihmuar dhe pasqyruar krijimin e një rrjetëzimi organizatash unifikuese të rrjetit kombëtar të ruajtjes së natyrës, një qasje më të mirë për të mbështetur bashkëpunëtorët e partnerët dhe për t'iu përgjigjur aktualitetit, sfidave të sotme dhe të ardhmes, me të cilat përballet natyra e Shqipërisë. Ne e ndjemë të nevojshme të ndryshonim qasjen tonë dhe të kalonim nga një vizion sektorial në një bashkëpunim midis aktorëve që kujdesen për natyrën, si një mjet për të përmirësuar qeverisjen, rrjedhimisht edhe politikat e menaxhimit dhe të përdorimit të mençur të burimeve natyrore.

Në këtë konteks Ditari i Natyrës ka qenë, mbetet dhe është i hapur për të pasqyruar e mbështetur punën, përpjekjet dhe të gjitha veprimtaritë apo projektet që ndërmerren prej OMShC-ve dhe rrjetëzimeve të tyre lokale, të dashmirësve të ruajtjes së natyrës, përfshi reagimet e protestat e tyre për mjedisin, natyrën, biodiversitetin si dhe duke botuar materiale të ndryshme të organizatave mjedisore.

Përmes Ditarit kemi pasqyruar dhe bashkëpunimin rajonal me organizata të tjera mjedisore, me një pasion të përbashkët për natyrën dhe peizazhet për të parë përtej interesave tona dhe për të nxjerrë në pah rëndësinë për konservimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor, social, ekonomik dhe ekoturistik të rajoneve dhe shoqërisë, duke ndikuar në politikën e programeve vendore e qeveritare, në vetëdijesim dhe edukim, përfshi kërkimin shkencor të kësaj fushe. Po ashtu edhe bashkëpunimin me institucionet publike në nivel rajonal.

Në Ditar një tematikë e rëndësishme është Edukimi Mjedisor, pasi me të zhvillohen dijet, ndërgjegjësimi, qëndrimi kritik, vlerat dhe aftësitë, që do t’i mundësojë individëve dhe shoqërisë të ruajnë dhe të përmirësojnë mjedisin e natyrën ku ata jetojnë dhe punojnë.

Edukimi mjedisor i njohur edhe një fushë ndërdisiplinore e mësimit dhe studimit, i cili i referohet përpjekjeve të strukturave të mësimdhënies lidhur me mjediset natyrore dhe veçanërisht mundësive të menaxhimit të ekosistemeve, llojeve bimore e shtazore, zonat e mbrojtura, etj, është dhe mbetet pa dyshim pasqyrimi më edukues dhe i vetëdijes së gjithsecilit në këtë Ditar të Natyrës.

Në Ditar, janë pasqyruar veprimtaritë e edukimi mjedisor që kanë një rëndësi thelbësore në ofrimin e një respekti të qenësishëm për natyrën dhe në rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë, veçanërisht të brezit të ri. Shpesh nënkuptohet arsimimi brenda sistemit shkollor, duke përfshirë shkollën fillore dhe të mesme. Por përmes Ditarit kemi sjell përvoja dhe udhëzime që ekzistojnë gjithashtu për edukimin dhe arsimin mjedisor që mësohet edhe jashtë ambienteve tradicionale shkollore.

Një vend të posaçëm dhe vëmendje të shtuar, në Ditar, i është kushtuar bashkëpunimit me mediat, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në procesin përhapjes së fjalës dhe mendimit të lirë, në advokimin dhe formulimin e një mesazhi bindës mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës, të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore për politikë-bërësit, subjektet dhe komunitetin, duke vlerësuar kontributin e tyre si të nevojshëm për të mirën e përgjithshme dhe në funksion të mbrojtjes së natyrës.

Ne synojmë që, përmes Ditarit, të pasqyrojmë në mediat e çfarëdolloj veprime të kombinuara në të gjitha nivelet qendrore, lokale e rajonale, ku njerëzit duhet të jenë në front të këtyre veprimeve për të mbrojtur dhe rivendosur natyrën në të mirën e tyre dhe duke jetuar në një mjedis të shëndetshëm, sepse njerëzit janë pjesë e natyrës.

Andaj mbetet një nevojë e ngutshme për të përcjellë mesazhe dhe rritur ndërgjegjësimin në të gjitha nivelet në shoqëri, nga publiku i gjerë deri tek vendimmarrësit, në lidhje me arsyet pse natyra dhe burimet e saja duhet të mbrohen dhe të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme.

Përherë Ditari do të pasqyrojë thellësisht që suksesi ynë dhe jo vetem i yni, por dhe i OSHC-ve të tjera, në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal të jetë i bazuar në besim dhe bashkëpunim, pasi së bashku, jemi duke punuar që njerëzit të jetojnë në harmoni me natyrën. Ne jemi pjesë e zgjidhjes për të qenë një vazhdimësi e vrullit të gjeneruar që "Zgjidhjet tona janë në Natyrë". Atje ku flet natyra, me biodiversitetin e madh të habitateve, florën dhe faunën e egër, etj, përbën një apel mbi politikat e qeverisjes, menaxhimit, mundësitë ekonomike dhe në strategjitë e zhvillimit.

#StafiiINCA , me rastin e 10-vjetori, Ju shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin, mbështetjen dhe kontributin e dhënë për ruajtjen e natyrës në Shqipëri!

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: