Aktivitetet e projektit
Krijimi i një rrjeti të organizatave lokale për avokim dhe lobim për shpalljen e Porto Palermos - Zonë e Mbrojtur Detare
Në 12 Mars 2019, në mjediset e Qendrës Rinore, Vlorë, u organizua aktiviteti: "Krijimi i një rrjeti të organizatave lokale për avokim dhe lobim për shpalljen e Porto Palermos - Zonë e Mbrojtur Detare".
Aktiviteti kishte në fokus krijimin e një rrjeti të organizatave lokale e të individëve të interesuar, për të advokuar dhe lobuar në pushtetin vendor dhe qendror, në lidhje me dhënjen e statusit Zonë e Mbrojtur Detare, Porto Palermos.
Takimi u hap nga z. Nikollaq Dumani, drejtor ekzekutiv i shoqatës PPNE. Z. Dumani bëri prezantimin e projektit, të mbështetjes financiare nga BE dhe zbatuar nga INCA. Z. Xhemal Mato, ekspert i mjedisit dhe medias argumentoi domosdoshmërinë e një statusi mbrojtës, për ta ruajtur pasurinë mjedisore nënujore të Porto Palermos. Zona shquhet për një biodiversitet të pasur, si dhe janë gjetur objekte kulturore si psh. anfora. Në takim u theksua se zona i ka të gjitha potencialet për të zhvilluar ekoturizmin dhe duhen ndaluar ndërtimet të cilat rrezikojnë natyrën dhe peizazhin e mrekullueshëm të Gjirit të Porto Palermos, por që të mbrohet nga zhvillimet e paqendrueshme, kjo zonë ka nevojë për një status mbrojtës.
Përfaqësues të shoqatës së Himarës ODHISSYA, ngritën shqetësimin e një resorti turistik që është planifikuar të ndërtohet në zonë. Në lidhje me këtë problematikë, shoqatat do të ngrenë zerin në nivel lokal dhe qendror, për ti frenuar zhvillime të tilla turistike të paqendrueshme dhe do të kërkojnë që Porto Palermo, të shpallet Zonë e Mbrojtur Detare.
Shoqatat dhe individë të interesuar (pedagog të Universitetit të Vlorës, specialist të mjedisit etj.) dakortësuan për të qenë pjesë e një rrjeti që do të advokoj dhe loboj për çështjen. Nga diskutimet rrjeti u vendos të quhet “Riviera Blu”.
Trajnim “Forcimi i kapaciteteve të rrjetit për komunikimin efektiv me median, në funksion të fushatës së advokacisë dhe lobimit për Gjirin e Porto Palermos”
Në 31 tetor 2019, në mjediset e Qendrës Rinore Vlorë u mbajt trajnimi “Forcimi i kapaciteteve të rrjetit për komunikimin efektiv me median, në funksion të fushatës së advokacisë dhe lobimit për Gjirin e Porto Palermos”.
Trajnimi u zhvillua nga eksperti i mjedisit z. Xhemal Mato, me një eksperiencë të gjerë në fushën e komunikimit me median. Z. Mato theksoi ndër të tjera rëndësinë e mjeteve të komunikimit masiv për informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe politikanëve, me të cilat OSHC-të duhet të bashkëpunojnë. Gjithashtu e vuri theksin tek vërtetësia e informacionit në fushën e mjedisit, pasi gjykimi i publikut varet nga informacioni që i ofrohet. Nikollaq Dumani prezantoi punën dhe aktivitetet e realizuara nga shoqata në drejtim të advokacisë dhe lobimit që Gjiri i Porto Palermos të shpallet Zonë e Mbrojtur Detare. Ai vlerësoi ndihmën që shoqata INCA ka dhënë për rrjetin në realizimin e fushatës advokuese dhe lobuese: në aspektin teknik të fushatës por edhe nëpërmjet literaturës përkatëse si psh. “Doracaku për ndikimin në politikat e ruajtjes së natyrës përmes advokim-lobimit efektiv”, Studimi ekologjik i Gjirit të Porto Palermos etj. Znj. Emirjeta Adhami, eksperte ujërsh pranë INCA-s prezantoi përfitimet që ka komuniteti nga menaxhimi dhe përdorimi i resurseve natyrore dhe kulturore që ka zona. Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive dhe pati diskutime nga të pranishmit e sugjerime. Aktiviteti u publikua i plotë në median lokale Vlora News.
Trajnimi “Advokaci dhe lobim për mbrojtjen e bregdetit dhe detit të Jugut”
Në 12.04.2019, në mjediset e Hotel Prinos, Himarë u zhvillua trajnimi: “Advokaci dhe lobim për mbrojtjen e bregdetit dhe detit të Jugut”. Takimi u hap nga z. Nikollaq Dumani, në cilësinë e drejtuesit të shoqatës “Për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror”, Vlorë dhe në cilësinë e ekspertit të trajnimit për çështjet e advokacisë dhe lobimit, i cili u prezantoi pjesëmarrësve projektin dhe qëllimin e trajnimit. Trajnimi kishte në fokus ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të rrjetit të organizatave lokale, për të zhvilluar një fushatë advokacie efektive dhe lobim në pushtetin vendor dhe qëndror, për të kërkuar që Gjiri i Porto Palermos të shpallet Park Kombëtar Detar. Më pas fjalën e pati z. Nihat Dragoti, Drejtor Ekzekutiv i shoqatës “Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri”(INCA).
Z. Dragoti e vuri theksin tek zhvillimi i ekoturizmit, nevojën për sensibilizimin e komunitetit për mbrojtjen e burimeve natyrore për zhvillim të qendrueshëm, të cilat mund të arrihen nëpërmjet një pune të bashkërenduar. Duhet të forcohet roli i organizatave lokale dhe komunitetit për të advokuar dhe lobuar që të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes, shtoi më tej z. Dragoti. Më pas z. Dumani shpjegoi konceptet e advokacisë dhe lobimit, elementët bazë të advokacisë, identifikimin e çështjes, përcaktimin e qëllimit dhe objektivave të advokacisë, përcaktimin e audiencave për qëllime të avokatësisë, përgatitjen dhe shpërndarjen e mesazhit, krijimin e rrjeteve etj. Pas anës teorike të trajnimit, pati shumë diskutime nga të pranishmit. Një përfaqësues i komunitetit ishte i interesuar të krijonte organizatë lokale me fokus mbrojtjen e mjedisit, ndaj organizata “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror, Vlorë dhe përfaqësues të tjerë të rrjetit do të ndihmojnë në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të organizatës së re që do të krijohet. Një nga pjesëmarrësit ngriti problematikën e mungesës së organizimit në Himarë, ndaj rrjeti do të lehtësoj në organizimin e komunitetit, për të reaguar në mbrojtjen e burimeve natyrore të Porto Palermos. Një tjetër shqetësim që u ngrit ishin 4 resortet që janë planifikuar të ndërtohen në zonë, të cilat janë në kundërshtim me zhvillimin ekoturistik dhe të qendrueshëm të zonës. Banorët e Himarës kishin shqetësim kryesor problemin e pronave, gjë e cila u reflektua vazhdimisht në diskutimet e tyre.
Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave lokale, komunitetit, pushtetit vendor, operatorëve turistik, biznesit dhe medias.
Vizita studimore “Vlerat e biodiversitetit në Gjirin e Porto Palermos”
Në 3 qershor 2019, në Porto Palermo, Himarë u zhvillua vizita studimore “Vlerat e biodiversitetit në Gjirin e Porto Palermos”
Takimi u hap nga drejtori i shoqatës “Për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror”, Vlorë, z. Nikollaq Dumani, i cili fillimisht prezantoi qëllimin dhe objektivat e vizitës studimore.
Më pas z. Dumani mbajti prezantimin “Përshkrimi i vlerave të biodiversitetit” dhe “Biodiversiteti nënujor, klasa e Molusqeve”. Z. Dumani e vuri theksin tek domosdoshmëria e statusit mbrojtës për Porto Palermon, që të mos dëmtohet siç është bërë në zonat e tjera bregdetare. Ai u ndal tek legjislacioni dhe konventat e ratifikuara nga Shqipëria për ruajtjen e ujërave detare, peizazheve etj.
Një ndër vlerat e spikatura të biodiversitetit nënujor floristik të Gjirit të Porto Palemos është edhe Posidonia e cila është në rrezik. Ndaj duhet advokuar dhe lobuar në bashkëpunim me rrjetin dhe komunitetin që të kërkohet që Gjiri i Porto Palermos, të shpallet Zonë e Mbrojtur Detare.
Më pas z. Xhemal Mato mbajti prezantimin: “Pse një Park i Mbrojtur, ka vlera të mëdha për turizmin? Pasuritë natyrore e kulturore dhe zhvillimi i qendrueshëm”
Z. Nihat Dragoti, drejtor i INCA-s, e vuri theksin tek shërbimet e ekosistemit dhe të menaxhimit të burimeve natyrore të Gjirit të Porto Palermos, nga komuniteti.
Znj. Emirjeta Adhami, eksperte e ujërave, pranë INCA-s, në vijim të idesë së z. Dragoti, shtoi: “Duhet të krijohet një model i pjesëmarrjes në menaxhimin e qendrueshëm të burimeve natyrore, e cila sjell përfitime ekonomike për vetë komunitetin, duke i përdorur por edhe duke i ruajtur burimet natyrore. Janë identifikuar 3 ekosisteme: ekosistemet tokësore, detare dhe pelagjike nga të cilat do të përcaktohen përfitimet që mund të nxjerr komuniteti, duke i përdorur dhe mirëmbajtur”. Më tëj znj. Adhami tha se do të bëhet një vlerësim ekonomik i shërbimeve të ekosistemit: vlera ekonomike që do të përfitojnë nga shërbimet e ekosistemit, si dhe përllogaritja e vlerës ekonomike që do të humbasin nëse do ti dëmtojnë ekosistemet. Do të zhvillohen takime në komunitet me grupe të ndryshme të interesit për të vlerësuar dhe idetë e banorëve mbi aktivitetet që ata mund të zhvillojnë, pa i cënuar resurset natyrore.
Rishikimi i Planit të Menaxhimit, me qasjen e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të burimeve natyrore nga komuniteti do të krijoj më tepër mundësi për advokim, për të kërkuar mbështetje ligjore.
Pas prezantimeve u zhvilluan diskutime nga të pranishmit.
Z. Anesti Dhimojani, përfaqësues i komunitetit dhe i shoqatës “Bregdeti”, e vlerësoi si mjaft të rëndësishme idenë e menaxhimit të burimeve natyrore nga komuniteti, e cila sipas tij, do të gjej mbështetje nga komuniteti. Nga ana tjetër ai e sheh të vështirë mentalitetin e komunitetit, ndaj duhet punuar në këtë drejtim, pasi ndodh rëndom që ato nuk bien dakort me njëri –tjetrin.
Pjesëmarrësve ju shpërnda “Studimi ekologjik i Gjirit të Porto Palermos dhe zonave përreth” dhe “Analiza socio-ekonomike dhe studimi mbi zhvillimin e turizmit në Gjirin e Porto Palermos”, të realizuara nga INCA, në kuadër të projektit MedMPAnet.
Gjithashtu, u zhvilluan vëzhgime në terren. Në pjesën e vizitës studimore në terren, ishin parashikuar shëtitje me varka dhe zhytje me maska, por për shkak të kushteve shumë të këqija të motit të cilat ndryshuan ditën e fundit, këto aktivitete nuk u realizuan dot. Aktiviteti u publikua në televizionin lokal EDEN3 Tv.
Projekti “Ngritja dhe forcimi i kapaciteteve të rrjetit të organizatave lokale për mbrojtjen e mjedisit dhe advokacinë për shpalljen zonë e mbrojtur detare të Porto Palermos” zbatohet nga shoqata PPNEA, Vlorë, në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri – INCA dhe Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës – IUCN.
Ky publikim është prodhuar me asistencë të Komunitetit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është vetëm përgjegjësi e partnerëve që zbatojnë projektin dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.
MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI MES ORGANIZATAVE MJEDISORE TË SHOQËRISË CIVILE PËR NGRITJEN E RRJETIT "RIVIERA BLU"