Vazhdojnë takimet e grupimit “Të mbrojmë lumenjtë”
Vlorë, 27 Korrik 2015
Në kuadër të nismës për moratoriumin për ndalimin e dhënies së licencave për HEC-e, INCA, Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës dhe Shoqata Milieukontakt organizuan një takim konsultativ me shoqatat mjedisore të rajonit të Jugut.
Nisma për moratoriumin ka nisur në Ditën Botërore të Ujit ku janë diskutuar gjerësisht problemet e menaxhimit të burimeve ujore. Theksi më i madh në këtë diskutim iu vu ndikimit të ndërtimit pa kritere strategjike të HEC-eve në rrjedhat ujore të lumenjve dhe përrenjve duke hedhur idenë e hartimit të një kërkese për moratorium për ndërprerjen e procesit të dhënies së koncesioneve për ndërtimin e tyre për një periudhë tre vjeçare. Qëllimi i kësaj ideje është ndalimi i ndërtimit pa kritere të HEC-eve dhe përmirësimit gjatë kësaj kohe të kuadrit ligjor të menaxhimit të integruar të burimeve ujore duke hartuar aktet nënligjore të nevojshme dhe duke forcuar pozitat e institucioneve qendrore dhe lokale në mënyrën e menaxhimit dhe dhënies së leheve për përdorim dhe shfrytëzim të burimeve ujore.
Problemet e kuadrit ligjor të procesit të dhënies së licencave e në veçanti i studimeve të vlerësimit të ndikimit në mjedis të ndërtimit të HEC-eve në rrjedhat ujore të vendit janë bërë pjesë e një raporti të realizuar në kuadër të projektit DASHI i financuar nga WWF. Gjithashtu ndikimet social-ekonomike të ndërtimit të HEC-eve janë studiuar nëpërmjet një projekti i financuar nga REC Albania, grante për prioritetet e mjedisit në Shqipëri. Rezultatet e këtyre dy studimeve do të prezantohen në këtë takim si dhe do të merret nga pjesëmarrësit feedback për problemet, mundësitë e përmirësimeve si dhe propozime konkrete për kuadrin ligjor dhe monitorimin e zbatimit të tij, nëpërmjet përfshirjes së komunitetit dhe të shoqërisë civile në këto procese.
Në takim u nxit sjelljen proaktive e organizatave të shoqërisë civile në procesin e menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave, si dhe në pjesëmarrjen aktive të shoqërisë në proceset e diskutimeve publike për projekte dhe investime të qëndrueshme në dobi të ekonomisë dhe mjedisit.