Aktivitete

Aktivitetet

Ndiqni aktivitetet e kryera nga INCA

Turi i Lumenjve të Ballkanit mbërrin në Lumin Osum - Kanionet e Osumit

Turi i Lumenjve të Ballkanit mbërrin në Lumin Osum - Kanionet e Osumit

Çorovodë, 11 Maj 2016 - Turi i Lumenjve të Ballkanit mbërriti sot në luginën e lumit Osum, për të vazhduar rrugëtimin e nisur 26 ditë më parë në Slloveni. Kajakistë dhe admirues të natyrës nga e gjithë Evropa kanë përshkruar mbi 17 lumenj në vende të ndryshme të Ballkanit, për të ndërgjegjësuar publikun për rëndësinë e ruajtjes së këtyre perlave natyrore me biodiversitetin dhe peizazhin që ato ofrojnë.

Lumi i Osumit mendohet të jetë krijuar 2-3 milion vjet më parë. Ai ka kanionin më të madh në Shqipëri dhe shihet nga shumë gjeografë dhe kërkues evropian si një nga më të mëdhenjtë në Evropë. Rreziku më i madh i lumit Osum është plani i qeverisë shqiptare për të ndërtuar në kaskadë tetë hidrocentrale.

Ndërtimi i tetë digave përgjatë Osumit do të ndryshojë rrjedhën e lumit dhe peizazhin e bukur të kanionit. Kjo do të rrezikojë speciet e peshqve autoktone dhe turizmin e aventurës që është zhvilluar kohët e fundit përgjatë lumit. WWF dhe INCA janë aktive në Shqipëri për mbrojtjen e lumenjve kundrejt zhvillimit të paqëndrueshëm të hidrocentraleve dhe Osumi është një simbol i kësaj përpjekje. Së bashku me disa partnerë lokalë, WWF dhe INCA kanë kërkuar që qeveria shqiptare të deklarojë moratorium për digat, duke vendosur që të gjitha projektet e hidrocentraleve të ndalohen për një periudhë tre vjeçare derisa një kuadër më i rreptë i vendimmarrjes të vendoset në përputhje me legjislacionin e BE.

“Në këtë ditë u fokusuam në një nga luginat më të bukura të lumenjve tanë, atë të Osumit. Sollëm këtu vëmendjen ndërkombëtare tek kërcënimi nga HEC-et në këtë luginë. Paraditen e sotme të pranishmit patën mundësinë të provonin vozitjen me kajak apo rafting dhe të shprehnin gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar më shumë në mbrojtjen e lumenjve dhe veçanërisht të kësaj bukurie, të kanioneve të Osumit”, thotë Emirjeta Adhami, oficere e ujërave të ëmbla pranë Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) dhe të WWF Adria në Shqipëri.

Banorët e luginës së Osumit dhe qytetit të Çorovodës të cilët i janë bashkuar Turit të Lumenjve të Ballkanit, kanë bashkuar protestën e tyre kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe shprehen se “Çdo pjesë e lumit është e rëndësishme për ne, ndaj do ta ruajmë atë të lirë, të pastër, kështu si natyra na e ka falur”.

Ndalesa e radhës do të jetë turi që do të përmbyllet me finalen e madhe në lumin Vjosa nga data 13-18 Maj. “Ne jemi të lumtur që u bëmë pjesë e një aktiviteti kaq të madh për mbrojtjen e lumenjve në të gjithë Ballkanin dhe që lumi i Osumit u fut në listën e këtij aktiviteti, Turin e Lumenjve të Ballkanit në Shqipëri, pikërisht për bukurinë e tij natyrore. Ndërtimi i HEC-eve në zonat e mbrojtura dhe ato me ndjeshmëri të lartë është i papranueshëm pasi dëmi që ata shkaktojnë në këto ekosisteme, nëse ndërtohen, është i pallogaritshëm” thotë Rok Rozman, një nga koordinatorët e këtij turi nga shoqata Leeway e Sllovenisë.

Arsyeja e shpalljes së zonave të mbrojtura është ruajtja e natyrës dhe si të tilla zonat e mbrojtura, veçanërisht Parqet Kombëtare duhet të qëndrojnë pa hidrocentrale”, thotë Fatos Nako, drejtor i Administratës Rajonale për Zonat e Mbrojtura.

Kajakistët do të dorëzojnë një peticion të veçantë me kërkesën për mbrojtjen e Vjosës, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në 20 maj. Vjosa është lumi i fundit, “i egër” i Evropës, në të cilin, gjithashtu, janë planifikuar projekte hidrocentralesh.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: