Aktivitete

Aktivitetet

Ndiqni aktivitetet e kryera nga INCA

Shqipëria JO Duhanit Eja t'i themi NDAL së bashku !

Shqipëria JO Duhanit Eja t'i themi NDAL së bashku !

Broshura PDF: Shiko dokumentin

Tiranë, 05/09/2014 - Lançohet nisma e shoqërisë civile “Shqipëria Jo Duhanit!” Ministri Beqaj: “Ftojmë të gjithë shqiptarët t’i bashkohen nismës duke i thënë Ndal! duhanpirjes”

“Shqipëria Jo duhanit” është nisma e shoqërisë civile e lançuar sot nga disa organizata dhe aktorë të shoqërisë civile, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, me synim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për t’i thënë ndal duhanpirjes. Në takimin hapës, përfaqësuesit e shoqërisë civile shpallën krijimin e aleancës kundër duhanit, duke u shprehur se janë rreshtuar në një llogore me nismën e Qeverisë për t’i thënë stop duhanpirjes.

Në takim mori pjesë Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i cili e përshëndeti nismën, duke theksuar se kjo është një sfidë e Qeverisë dhe e tij personale, jo vetëm për domosdoshmërinë e një shëndërrimi rrënjësor dhe përmirësimit të shëndetit publik, por edhe për faktin, se është tentuar dhe herë të tjera dhe nuk ka qenë e suksesshme, çka e bën atë një sfidë të dyfishtë. “Ka dhe një element që e bën të trefishtë sfidën, sikurse është ligjzbatimi në Shqipëri”, tha më tej z. Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë u shpreh se është një përpjekje që duhet ta bëjmë bashkërisht, duke përcjellë mesazhin edhe te rinia se, duhanpirja është realisht e dëmshme për shëndetin. “Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Botë, tumoret që vijnë nga duhanpirja janë një shkallë më lart. Ne, për fat të keq në Shqipëri, e kemi të vonshme shkallën e zbulimit. Besoj se dhe kjo, së bashku me përpjekjet e tjera që po bëjmë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, do të jetë një vlerë e shtuar”, tha z. Beqaj. Në fund të fjalës së tij, ministri i Shëndetësisë ftoi sportistët, artistët, të rinjtë, etj, për t’ju bashkuar nismës dhe për ta shtrirë atë në të gjithë Shqipërinë.

Ndërkohë, z. Zamir Dedej nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës, bëri thirrje që të gjithë shqiptarët t’i bashkohen kësaj nismeje, për t’i thënë JO! një plage të shoqërisë, siç është ajo e duhanpirjes. Ndërsa përfaqësuesit e Lidhjes së Gazetarëve të Shëndetit e vunë theksin te rëndësia që ka media për të përcjellë nëpërmjet historive reale, dëmet e pamata që shkaktohen ndaj shëndetit nga duhanpirja, për ata që e konsumojnë, por edhe për duhanpirësit pasivë, që në fund të ditës ndihen po aq të kërcënuar nga duhani edhe pse mundohen t’i qëndrojnë larg atij.

Në takim u shpall numri i gjelbër 0800 40 40, ku çdokush mund të denoncojë raste të pirjes së duhanit në mjedise publike, në shkelje të kërkesave të ligjit, si dhe një faqje e posaçme online, dedikuar denoncimeve të këtyre rasteve, por edhe këshillave për të lënë duhanin. Për më tepër informacion për këtë faqe, mund të gjeni duke klikuar link-un e mëposhtëm: http://shqiperiajoduhanit.al/.

Gjithashtu, faqja online e nismës “Shqipëria Jo Duhanit!” ofron mundësinë, që me anën e një aplikacioni online në pajisje PC, Laptop, apo edhe Tablet ose Smartphone, me anë të një videoje, fotografie ose thjesht, teksti, të mund të denonconi rastet e duhanpirjes në mjedise publike, qofshin këto institucione shtetërore, biznese private, bare e restorante apo edhe ndërmarrje të ndryshme ku punonjësit shkelin ligjin e duhanit.

Aplikacionin online për denoncimin e kundravajtësve mund ta gjeni këtu: http://shqiperiajoduhanit.al/denonco.php.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: