Aktivitete

Aktivitetet

Ndiqni aktivitetet e kryera nga INCA

Platforma One Adriatik kërkon një det pa ndotje

Platforma One Adriatik kërkon një det pa ndotje

Vlorë, 16/09/2016 - Apeli nga Vlora: Platforma One Adriatik kërkon një det pa ndotje nga nafta dhe jo të kërcënohet nga aktivitetet e shpim-kërkimit për naftë

Eshtë mbajtur në Vlorë konferenca për shtyp në mbështetje të turneut ndërkombëtar të anijes italiane Goletta Verde, e cila është pjese e iniciativës “One Adriatik”. Kjo iniciativë bashkon organizatat mjedisore të pellgut të Adriatikut të cilat kundërshtojnë aktivitetet për shpim-kërkim nafte dhe gazi dhe mbështesin mbrojtjen e Detit Adriatik pa ndotje.

Në kuadër të kësaj fushate të rëndësishme të organizatës Legambiente dhe platformës “One Adriatik”, anija Goletta Verde ka lundruar në bregdetin Adriatik nga Dubrovniku (Kroaci) në Vlorë (Shqipëri), duke ndalur në potin e Bar-it (Mal të Zi) me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit lokal dhe rajonal si dhe njoftimin e kërcënimit nga aktivitetet naftë-nxjerrëse.

Projektet e nxjerrjes dhe ekstraktimit të naftës dhe gazit natyror në det janë potencial për incidente industriale, të cilat mund të shkaktojnë dëme mjedisore dhe ekonomike të pa riparueshme. Veprimtari të tilla kanë një tendencë të bëhen aktive dhe në Shqipëri ku shembull i tyre është dhe aktivizimi për ndërtimin e sheshit te Pusit “Zvërneci Perëndimor -1” i cili do te shërbente për instalimin i sondës së shpimit të pusit kërkimor për naftë dhe do të kapte thellësinë rreth 4,600 m nën sipërfaqen e tokës. Zhvillimi i projektit do te kryhej nga kompania “San Leon Durrësi B.V” dega lokale e kompanisë ndërkombëtare San Leon Energy. Fatmirësisht, deri me tani kjo është ndërpre dhe kërkesa e organizatave mjedisore lokale me ndihmën e komunitetit është marre parasysh. Ato kundërshtuan ne mënyre te fuqishme nje veprimtari të tille sidomos në brendësi të zonave të mbrojtura.

Aktualisht, kërcënim serioz për situatën ne detin Adriatik, përbën Mali i Zi, ku qeveria ka dhënë aprovimin për aktivitete të tilla në det për konsorciumin italo-rus Eni Novatek. Organizatat e shoqërisë civile, pjesë të këtij grupimi kundërshtojnë dhe dënojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë dhe e cilësojnë si një dënim me vdekje për turizmin bregdetar, zhvillimin e aktiviteteve te tilla nafte nxjerrëse. Gjithashtu ky grupim dënon autoritetet për mos vënien në dijeni të më shumë se 80% e njerëzve në bregdet për pasojat mjedisore që shoqërohen dhe me ato ekonomike të komunitetit. Raporti mbi vlerësimin strategjik të ndikimit në mjedis të naftës dhe gazit nuk është i plotë dhe tregon qartë mungesën e plotë të institucioneve përkatëse të kujdesit në rast ndikimesh negative mbi peshkimin dhe turizmin. Dëgjesa publike gjatë procesit nuk janë respektuar dhe përfitimet ekonomike nga industria e nxjerrjes së naftës nuk janë të qarta për komunitetin.

Koncesionet në Malin e Zi pranë zonës së Ulqinit, përbejnë një kërcënim serioz edhe për Shqipërinë, pasi vendosja e tyre është shumë pranë kufirit me Shqipërinë. Në rast aksidentesh pasojat mund të prekin ujërat detare dhe vijën bregdetare të dy shteteve njëkohësisht.

Është e rëndësishme të theksohet se dhe pjesa shqiptare e detit Adriatik nuk reagon për projekte të tilla dhe jo vetëm. Incidentet e ndodhura në dy vitet e fundit ku janë derdhur tonelata nafte në det ka treguar një reagim të ngadaltë dhe jo në mënyrë institucionale për të menaxhuar situata të tilla dhe për të siguruar një det të pastër dhe tërheqës për turizmin.

Kundër eksplorimit dhe shfrytëzimit të naftës në Adriatik u deklarua dhe iniciativa e Greenpeace dhe Veprim Gjelbër të Kroacisë. Përfaqësuesit e iniciativës e kanë komentuar projektin e naftës në Mal të Zi si shumë shqetësues edhe për vendin e tyre pasi zona është vetëm disa dhjetëra kilometra larg nga Dubrovniku.

Sipas Legambinete Itali, deti Adriatik është nën sulmin e kompanive të mëdha të naftës. Në Itali, kompania Geo Spektri do të zbatojë një studim të ri sizmik në një sipërfaqe prej 35,000km2, pavarësisht kundërshtimit të madh nga komunitetet lokale dhe rajonale. Hulumtimi do të bëhet me teknika të dëmshme 'armë ajrore' që kanë një ndikim të fortë mbi peshkimin dhe biodiversitetin e Adriatikut, veçanërisht tek gjitarët si delfinët dhe balenat. Pasojat negative do te ndihen ne të dy anët e Adriatikut dhe për këtë duhet të reagojnë të gjitha strukturat përgjegjëse në të dyja anët e detit në mënyrë që së bashku të bëjmë çdo gjë të mundshme për të ndaluar atë.

Platform One Dubrovnik Adriatic mblodhi së bashku përfaqësues të organizatave mjedisore nga vendet me qasje në Detin Adriatik, duke përfshirë WWF, Greenpeace, Veprim Gjelbër (Miqtë e Tokës Kroacisë), Green Istria, Green Home nga Mali i Zi dhe Legambiente, Itali.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: