Plani i ri i zonimit për Liqenin e Shkodrës
Shkodër, 4 Nëntor, 2016 - Një plan i ri i zonimit që përcakton nivelet e mbrojtjes së Rezervatit Natyror të Menaxhuar (RNM) të Liqenit të Shkodrës dhe mundëson menaxhimin efektiv u prezantua sot në Shkodër. Ky plan u hartua me mbështetjen e projektit "Mbështetje afatgjatë për menaxhimin ndërkufitar të qëndrueshëm të Liqenit të Shkodrës". Procesi i konsultimit është udhëhequr nga Administrata Rajonale për Zonat e Mbrojtura (AdRZM), me mbështetjen e IUCN dhe INCA, si dhe me përfshirjen aktive të profesorëve nga Universiteti i Shkodrës dhe komunitetit lokal peshkatarëve. Takime konsultative dhe diskutime të hapura me aktorët lokalë janë mbajtur pranë liqenit, dhe komentet kryesore janë reflektuar tashmë në planin e ri të propozuar për zonimin.
Zonimi përcakton se çfarë mund dhe nuk mund të ndodhë në nënzonat e përkufizuara gjeografikisht të një zonë të mbrojtur, të përcaktuara në bazë të rëndësisë dhe ndjeshmërisë së habitateve të zonës dhe ekosistemeve. Zonat dhe politikat e zbatuara janë përshkruar zakonisht në Planin e Menaxhimit të zonës. Zonimi i ri i Liqenit të Shkodrës padyshim do të kufizojë disa nga aktivitetet aktuale, por kjo është bërë për të mirën afatgjatë të komunitetit lokal që varet nga burimet e liqenit. Është propozuar që:
- Nënzona qëndrore do të mbulojë 3.18% të sipërfaqes së përgjithshme të RNM, duke krijuar kështu nje zonë natyrore të pashqetësuar të një rëndësie tepër të lartë për ruajtjen e biodiversitetit
- Nënzona e Rekreacionit do të perfshije 14.86% të sipërfaqes së përgjithshme të RNM, duke qenë e përshtatshme për rekreacion ekologjikisht të qëndrueshëm, ka funksion ruajtjen parësore të biodiversitetit dhe siguron një zonë natyrore pak të shqetësuar nga veprimtaritë ekoturistike, të cila kryhen nëpërmjet një menaxhimi efektiv të vizitorëve dhe të infrastrukturës mbështetëse;
- Nënzona e zhvillimit të qëndrueshëm do të mbulojë 81.95% të sipërfaqes së përgjithshme të RNM, duke lejuar banorët të vazhdojnë me praktikat tradicionale të përdorimit të burimeve natyrore dhe peshkimin. Vizitorët mund të shijojnë prodhimet dhe peizazhin, duke u njohur me mënyrën dhe stilin e jetesës, kulturën dhe historinë e banorëve dhe të bashkëjetesës së komuniteteve fetare. Gjithashtu, mundëson kërkimin shkencor, studimet, monitorimin dhe veprimtaritë promovuese, edukative dhe ndërgjegjësuese.
Kur është fjala për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore të liqenit, komuniteti lokal i peshkatarëve, të organizuar në OMP në Shkodër, janë ndër aktorët më të rëndësishëm në anën shqiptare të liqenit. Përgjatë procesit të konsultimit ata janë informuar për rëndësinë e planit të zonimit si dhe konceptet kryesore të lidhura në zona të ndryshme. Ata kan punuar në grupe për të kuptuar më mirë konceptet dhe për të ndarë mendimet e tyre, shqetësimet dhe sugjerimet në lidhje me procesin e zonimit.
Përmes një debati konsruktiv të realizuar nga ekspertët e INCA dhe AdRZM Shkodër, u mundësua informimi dhe sqarimi i kushteve ligjore dhe sociale që duhen marrë në konsiderate gjatë procesit të zonimit. Diskutimet aktive kanë rezultuar në komente të dobishme dhe sygjerime për përmirësimin e planit të zonimit. Komuniteti i Peshkatarëve ka rënë dakord për të mbështetur përpjekjet e ardhshme që do të bëjë AdRZM Shkodër për të vënë në zbatimin planin e zonimit të liqenit.
Për t'u bërë zyrtare, plani i propozuar i zonimit do të duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, duke zëvendësuar zonimin aktual të miratuar në 2012. Sapo zonimi i ri të jetë zyrtarizuar, zbatimi i planit të zonimit do të mbështetet nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe aktiviteteve të edukimit mjedisor. Përdorimi i mençur e biodiversitetit të liqenit do të garantojë zhvillimin e ekonomisë lokale dhe ruajtjen e burimeve natyrore dhe vlerave të Rezervës Natyrore te Menaxhuar për gjeneratat e ardhshme.
Me një sipërfaqe prej 5,490 km2, liqeni i Shkodrës është më i madhi në Ballkan. Ai ka një diversitet të larte të bimëve dhe kafshëve. Për këto vlera të larta të biodiversitetit, ky liqen është shpallur zonë e mbrojtur si në Shqipëri ashtu edhe në Mal të Zi (në Malin e Zi ka statusin e Parkut Kombëtar ndërsa në Shqipëri atë të Rezervës Natyrore të Menaxhuar). Në nivel ndërkombëtar ai është shpallur si Zonë Ramsar, Zonë Emerald dhe Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Bimët.
Zyra e IUCN-s për Evropën Juglindore dhe Azinë Qëndrore në partneritet me INCA-n dhe Green Home (Malin e Zi), dhe me autoritetet përkatëse të Zonave të Mbrojtura dhe ruajtjes se natyrës kanë punuar në tre vitet e fundit për një menaxhim efektiv te biodiversitetit të këtij liqeni. Ky aksion i përbashkët ështe mbështetetur nga Fondi i Partneritetit për Ekosistemet Kritike dhe synon të forcoje zbatimin e ligjit, të nxisë pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në monitorimin dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e biodiversitetit midis aktorëve kryesore dhe menaxhereve të burimeve natyrore. Qëllimi i kësaj iniciative është të krijojë një rrjet që do të mbledhë aktorët nga Shqipëria dhe Mali i Zi për të mbështetur punën e tyre në menaxhimin e qëndrueshëm të liqenit të Shkodrës.