Aktivitete

Aktivitetet

Ndiqni aktivitetet e kryera nga INCA

“One Love Valbona Park”

“One Love Valbona Park”

Dita Evropiane e Parqeve Festohet edhe në Pakrun Kombëtar Lugina e Valbonës!

Parku Kombëtar Lugina e Valbonës, mirëpret fëmijët nga shkollat 9-vjeçare të qytetit të bajram Currit, të cilët i bashkohen parkut me mesazhin “One Love Valbona Park”.

Si në të gjithë Evropën, Dita Evropiane e Parqeve u festua edhe në Shqipëri, për të përkujtuar  krijimin e Parkut të Parë në Suedi, por njëkohësisht për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi rëndësinë që kanë parqet në ruajtjen e biodiveristetit dhe zbutjen e ndikimeve klimatike. 

Në Parkun Kombëtar Lugina e Valbonës, INCA së bashku me AdRZM Kukës, këtë ditë zgjodhën ta festojnë si një orë edukimi në natyrë për monitorimin e biodiversitetit dhe ekosistemeve natyrore, me nxënës të shkollës 9-vjeçare, me qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri dhe forcimin e lidhjes së tyre me natyrën.

Gjatë aktivitetit fëmijët u mblodhën në qendrën e Parkut dhe si fillim u njohën me vlerat e parkut, biodiversitetin e tij,  kafshët dhe bimët të cilat janë krenaria e parkut dhe e alpeve. Një kohe e veçantë ju kushtua rolit të administratës në mbrojtjen dhe promovimin e parkut dhe habitatit natyror të pyllit. Më pas nxënësit u ndanë në dy grupe monitorimi. Një grup vëzhgoi pemët dhe tjetri zogjtë dhe kafshët e egra. Së bashku me rojet e parkut, fëmijët vëzhguan disa nga pemët me karakteristike të parkut dhe për më tepër, ata patën mundësi të punojnë në mënyrë specifike në karakteristikat e pemës si lartësia, diametri, perimetri dhe lloji, duke përdorur edhe disa nga mjetet e rojeve mjedisore. Grupi tjetër, i cili u angazhua me vëzhgimin e shpendëve u fokusua tek monitorimi i zërave të tyre dhe vëzhgimit nëpërmjet dylbive. Në fund të aktivitetit, studentët vendosën në degët pemëve  ushqim shpendësh të përgatitura me fara nga INCA.

Ky aktivitet ishte i rëndësishëm për brezin e ri për të inkurajuar kureshtjen dhe pasionin e tyre për ruajtjen e natyrës, për t'i përgatitur ata për të qenë “rojtarët e ardhshëm” të Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i OMSHC-ve shqiptare për promovimin e ruajtjes së natyrës në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian (Delegacioni në Shqipëri), në kuadër të programit ACHIEVE, i cili është zbatuar nga REC- Shqipëri. 

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: