Mbahet takimi i parë i Rrjetit të Organizatave për Mbrojtjen e Natyrës
Në kuadër të programit të projektit SENiOR-A, (Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri) me asistencë të REC Albania dhe financim të SIDA-s,më 31 Maj, pranë ambienteve të zyrave të INCA-s, u mbajt takimi i parë i Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës. Ky takim kishte si qëllim kryesor forcimin e lidhjes dhe njohjes së punës së organizatave brenda rrjetit, shkëmbimin e informacionit për planin e punës midis organizatave që përbëjnë këtë rrjet dhe njëkohësisht, përcaktimin e qartë të detyrave, detyrimeve dhe përgjegjësive të secilit përfaqësues në vazhdim të zbatimit të projektit.
Ky takim ishte i pari i këtij lloji dhe në të morën pjesë përfaqësuesit e të gjashta organizatave të Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës, Green & Clean - Korçë; Mbrojtja e Mjedisit - Kukës; Miqësia - Ulëz; Adriatiku - Vlorë; ILIRIA – Tiranë dhe Forumi Shqiptar Liqeni i Shkodrës (FSLS) - Shkodër. Takimi u drejtua nga Z. Zamir Dedej, i cili vuri theksin mbi forcimin e bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët në rrjet. Një vëmendje e veçantë iu kushtua prezantimit të organizatave dhe planeve të tyre të punës. Ato treguan se kanë filluar nga puna për zbatimin e programit që kanë paraqitur në kuadër të projektit.
Një risi në këtë takim ishte edhe prezantimi i buletinit “Ditari Natyrës” i cili është një përpjekje e re e Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) dhe rrjetit të OJF-ve të \"Mbrojtjes së Natyrës\" për të evidentuar dhe prurë sa më afër informacionin që lidhet me mbrojtjen e vlerave natyrore dhe aktiviteteve që lidhen me to, si dhe për të vizualizuar dhe promovuar rolin e organizatave të shoqërisë civile për ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës