Dita Ndërkombëtare të Biodiversitetit 22 Maj 2013
Ditën e mërkurë, më datë 22 Maj, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, INCA në bashkëpunim me Qëndrën Rajonale të Mjedisit REC, me organizata mjedisore të Korçës dhe Pogradecit, Komunën Hudenisht e bashkinë Pogradec, organizuan një protestë paqësore në një nga pikat më problematike e më të dëmtuara të liqenit të Ohrid, ku prej disa muajsh po ndërtohet rruga e re dhe ku shkatërrimi i zonës bregliqenore është i dukshëm. Nga një anë promovojmë vlerat e këtij liqeni nga më të vjetrit në botë dhe me shumë specie endemike, duke kërkuar ta fusim në listën e vendeve të Trashëgimisë Natyrore të Botës (UNESCO) dhe nga ana tjetër ndërtojmë rrugën duke prishur në një gjatësi të konsderueshme të tij prej 10 km zonën bregliqenore, duke betonizuar zonën dhe hedhur inertet dhe baltën e nxjerrë ne liqen.
Kohët e fundit menaxhimi i Liqeni i Ohrit është parë në mënyrë kritike nga organizatat e Shoqërisë Civile, jo vetem per ndertimet e pa kontrolluara urbane ashtu dhe për humbjen e biodiversitetit nga mbi peshkimi dhe përdorimi i praktikave jo efektive në këtë drejtim. Rikonstruksioni dhe zgjerimi i rrugës kombëtare në krah të liqenit po ndërhyn në habitatin natyral të liqenit, duke zvogëluar sipërfaqen dhe duke prishur cilësinë e ujrave me hedhjen e materialeve inerte në liqen.