5 Qershor, Dita Ndërkombetare e Mjedisit
Në kuadër të 5 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, Forumi Shqiptar i Liqenit të Shkodrës, (FSLS) në bashkëpunim me Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, (INCA) dhe në kuadër të programit SENiOR-A, organizuan në Shkodër një Konferencë për Shtyp.
Qëllimi i kësaj konference ishte nxitja e veprimtarive të ndryshme për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit në rajonin e Shkodrës dhe më gjerë. Në fjalën e tij Z. Hoti, Presidenti i FSLS, midis të tjerash, vuri theksin dhe mbi mangësitë që vihen re në menaxhimin e kompleksit ujor të rajonit të Shkodrës për shkak të të cilave, tokat e nën Shkodrës i kanë ndjerë më shumë se kushdo tjetër problemet që kanë lindur nga ky keq menaxhim.
5 Qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me qëllim ndërgjegjësimin rreth çështjeve të mjedisit, për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim. Kjo datë u zgjodh sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së OKB-së mbi Mjedisin që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm. Në këtë ditë përcillet një tematikë të caktuar. Tematika e vitit 2013 është “mendo, ushqehu, kurse”.