JO ndërhyrjeve në PK Divjakë-Karavasta
- Broshura PDF: Shiko dokumentin
PK Divjakë-Karavasta 30 Korrik 2016 - Rrjeti i Shoqatave Mjedisore shprehin kundërshtimin e tyre të fortë për ndërhyrjen antiligjore të ditëve të fundit e të shoqëruar me modifikime të papranueshme të ekosistemit natyror të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, duke futur mjete të rënda motorike gërmuese në Zonën Qendrore të Parkut, me efekt qartësisht negativ jo vetëm në biodiversitetin e parkut por dhe si ndërhyrje që mund të prishi gjithë ekuilibrat natyrorë dhe vlerat turistike të Parkut.
Institucioni i Bashkisë ka paraqitur përpara disa muajsh kërkesën për Leje Mjedisore për zhvillimin e një projekti në brendësi të PK Divjakë-Karavasta. Ky projekt, i padiskutuar publikisht, kërkon krijimin e një kanali të mirëfilltë lundrues që lidh Divjakën me lagunën e Karavastasë dhe ndërtimin e një ure druri të varur për këmbësorët në pyllin e Divjakës.
Përtej diskutimeve institucionale, sqarojmë se ndërhyrja e sapo nisur është planifikuar të kryhet në Zonën Qendrore të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, shpallur në vitin 1966 dhe zgjeruar në vitin 2005 me Vendim të Këshillit të Ministrave. Mbështetur në nenin 6 të ligjit për Zonat e Mbrojtura nr. 8906 date 06.06.2002 (i ndryshuar me ligjin nr. 9868 datë 04.02.2008) në Zonat Qendrore nuk lejohet asnjë lloj ndërhyrjeje.
Po kështu, sipas nenit 19 të ligjit për zonat e mbrojtura ku përmendet “Veprimtaritë ekonomike e shoqërore, projektet që synojnë të zbatohen në një zonë të mbrojtur, pajisen me leje mjedisi, pasi të paraqesin studimin përkatës dhe raportin e plotë të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në bazë të studimeve dhe planeve rregulluese të përgjithshme, të cilat miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit”. Deri më sot, Bashkia e Divjakës nuk ka marrë leje mjedisi nga institucionet përgjegjëse dhe futja e makinerive të rënda në park është tërësisht antiligjore.
Jo vetëm kaq. Ndërhyrja kryhet në zonën më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri, në Zonën Ramsar të Divjakë-Karavastasë, në Biotopin CORINE të shpallur për rëndësinë ndërkombëtare të kësaj zone për ruajtjen e diversitetit biologjik, në Zonën Veçanërisht të Mbrojtur, pjesë e listës kombëtare të Rrjeti EMERALD, me kodin AL 0000002 (2001) dhe në sipërfaqen e shpallur që prej vitit 2003 si Zonë e Rëndësishme për Shpendët (Important Bird Area Nr. 006).
Vendi ku parashikohet të kryhet ndërhyrja dhe më pas përdorimi për qëllime turistike është i vetmi territor i folezimit të Pelikanit kaçurrel në Shqipëri, është një habitat shumë i rëndësishëm për qëndrimin dhe ushqimin e 45 mijë shpendëve ujorë dimërues, një habitat me rëndësi ndërkombëtare të paktën për 4 lloje të shpendëve, vendi ku riprodhohen mbi 1 mije çifte të shpendëve folezues si dhe një nga zonat më të njohura në Lagunën e Karavastasë si mbajtëse e rasatit të peshkut që furnizon më pas gjithë lagunën.
Bashkia nuk ka respektuar si duhet dhe dispozitat e ligjit nr. 107, datë 31.7.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe të ligjit nr. 111, datë 15.11.2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”. Projekti para zbatimit duhet te diskutohet dhe miratohet nga organet kompetente te planifikimit te territorit dhe organet kombëtare të administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore.
Ky projekt gjithashtu nuk ka kaluar përmes procesit të transparencës ku duhej të diskutohej me komunitetin dhe me grupet e interesit që veprojnë në zonën ku shtrihet Parku Kombëtar. Deri më sot asnjë njoftim për zhvillimin e diskutimit me publikun është bërë nga ana e Bashkisë Divjakë. Në këtë mënyrë nuk është zbatuar nga ana e institucionit të qeverisjes lokale e drejta për informimin e publikut kur zhvillohen projekte në interes të komunitetit.
Për këtë ngjarje të padëshirueshme të ndodhur në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë, kërkojmë që të sensibilizojmë edhe mediat në mbrojtje të kësaj pasurie jo vetëm kombëtare por edhe botërore.
Rrjeti i shoqatave mjedisore përbëhet nga:
INCA, AOS, PPNEA, ASPBM, EDEN, SHBO, EPER, REC Albania, EcoAlbania, Milieukontakt, Ekolevizja, Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës, IEP, PSEDA-Iliria, Shoqata Kombëtare e Parqeve Natyrore, etj.