Aktivitete

Aktivitetet

Ndiqni aktivitetet e kryera nga INCA

22 MARS - DITA BOTËRORE E UJIT 2014

Tiranë, 22 Mars 2014

Dita botërore e ujit festohet çdo vit më 22 Mars dhe synon të fokusojë vëmendjen botërore mbi ujin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore. Këtë vit tema e përzgjedhur është “Uji dhe Energjia” e cila kërkon të rrisë ndërgjegjësimin mbi ndërvartësin e këtyre të dyjave si dhe nevojën për të përdorur zgjidhje dhe përqasje të integruara me qëllim arrtijen e përftimeve më të mëdha ekonomike, sociale dhe mjedisore. Në këtë kuadër, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) dhe Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës të mbështetur edhe nga organizata të tjera mjedisore si PPNEA, EDEN dhe Ekolëvizja kanë organizuar këtë Konferencë për Shtyp.

Shoqëria civile dhe organizatat jo fitimprurëse prej kohesh kanë ngritur zërin për të mbrojtur dhe shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme burimet ujore të vendit dhe kryesisht ato të lumenjve. Sot jemi dëshmitar të një sulmi të pa preçedent që i është bërë rrjetit hidrik të vendit, ku janë dhënë mbi 450 leje shfrytëzimi për ndërtimin e hidroçentraleve me një përfitim tëpër minimal energjitik në raport me dëmin mjedisor që ato shkatojnë. Dokumentacioni dhe proçedurat e ndjekura për “Vlerësimin e ndikimit në mjedis” në shumicën e rasteve nuk ndjekin standartet ligjore dhe ato të Bashkimit Europian; aq me tepër kjo në rastin e burimeve ujore me kontekst ndërkufitar. Efektet e para negative të vërejtura (mangesia e ujit, turbullira e shkaktuar, erozioni tokësor, dëmtimet e faunës, etj) dhe reagimet e komuniteteve lokale në disa komuna janë dëshmitë e para të pasojave të pritshme që do të kenë shpejt pasoja shumë herë më të rënda në mjedis dhe në mirëqënien e popullatave që jetojnë në këto basene.

Përpjekjet e organizatave të Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës dhe veçanerisht të Institutit për Ruajtjen e Natyrës (INCA) kanë qënë përqëndruar në informimin e komuniteteve lokale dhe organeve vendore mbi vlerat dhe risqet potenciale të ndërtimit të hidrocentraleve, duke publikuar udhëzues për investitorët dhe institucionet shtetërore, duke kryer studime me karakter lokal e kombëtar, zbatuar miniprojkte për ndërgjegjësimin e komuniteteve lokale, por edhe duke kërkuar në forma dhe mënyra të ndryshme reagimin e organeve shtetërore. Ne mbeshtetemi në këtë përpjekje rajonale edhe nga Fondi Botëror për Jetën e Egër (WWF) por edhe me grupimet dhe organizatat e tjera të vendit si PPNEA, EDEN, Eko-lëvizja.

Dy rastet që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe që kanë kakrakter ndërkufitar janë ato të Lumit Radika dhe Vjosës. Në rast se në rastin e parë ka pasur një reagim të shpejtë të organeve shtetërore shqiptare dhe maqedonase, deri më sot nuk kemi asnje prononcim për rastin e planit për devijimin e lumit Vjosa në pjesën Greke.

Para një viti me Vendimin 1005/4.9.2013 Këshilli Kombëtar i Ujërave në Greqi që miratoi “PLANIN E MENAXHMIT TE LUMENJEVE NE QARKUN E EPIRIT”, dhe me vendimin e përbashkët  169278/8.7.2013 me Këshillin e Ministrave që miratuan “STUDIMIN STRATEGJIK TE NDIKIMIT MJEDISOR TE PLANIT TE MENAXHIMIT TE LUMENJEVE NE BASENIN E EPIRIT”, mori rrugë vendimarrja për devijimin e Lumit Vjosa në afërsi të burimit të saj për të transferuar 70.000.000 m3 ujë në vit nga baseni hidrologjik i lumit drejt basenit të Janinës, me qëllim prodhimin e energjisë si dhe pasurimin me ujë të Liqenit të Janinës. Të dy këto vendime janë kundërshtuar me padi pranë Këshillit të Shtetit Grek (Gjykata e Lartë Administrative Greqisë), e ngritur nga Instituti Mesdhetar për Natyrën dhe Anthropos (Med-INA) në Greqi në bashkëpunim me Zyrën e WWF në Greqi, Callisto, Autoritetin Menaxhues të Parkut Kombëtar të Pindus-it Verior dhe Bashkinë e Konicës, e cila do të ndikohet drejtpërdrejt nga devijimi. Ky është një rast i mirë për të bashkuar forcat në përmbysje të vendimarrjeve politike të gabuara, nga të cilat demtohet edhe pjesa shqiptare dhe prandaj bëjmë thirrje të mbështesim peticionin në blogun http://protectaoos.blogspot.com/ ku çdo kush mund të “firmosë” elektronikisht duke dhënë kontribut në pranimin e padisë dhe shpëtimin e Vjosës.

Ne mendojme se ky hap duhet përkrahur si nje risi në lëvizjen e shoqërisë civile, duke ju drejtuar gjykatave për kundërshtimin e vendimeve të padrejta siç është ky i Vjosës, por edhe ato në vendin tonë ku lejet janë dhënë në territore të zonave të mbrojtura në shkelje të hapur me ligjin. Për këtë arsye mendojmë që në rast se qeveria shqiptare nuk kontrollon dhe rishikon lejet e dhëna në kundërshtim me legjislacionin vendas, ashtu siç premtoi në fushatën elektorale, dhe ndalon hemoragjinë e hidroçentraleve të paqëndrueshëm në vendin tone, ne do ti drejtohemi gjykatave për anullimin e lejeve të dhëna.

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri — INCAështë një organizate jo qeveritare, e ngritur në Qershor të vitit 2000, dhe e regjistruar si e tille nga Gjykata e Tiranës në vitin 2004, me vendimin Nr. 1087. INCA ka zyrën e saj në Tiranë, por vepron në të gjithë territorin e Shqipërisë. INCA ka si qëllim kryesor të japë ndihmesën e saj në fushën e formimit profesional nëpërmjet trajnimeve dhe procesit të pjesëmarrjes, në ruajtjen e mjedisit, në mbrojtjen e vlerave natyrore dhe zhvillimin rajonal, mbrojtjen e florës dhe të faunës, vlerësimin e diversitetit biologjik, menaxhimin e zonave të mbrojtura, rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe vendimmarrësve politik, dhe të ndërmarrë masa mbrojtëse kur është e mundur dhe e nevojshme për mbrojtjen e llojeve dhe habitateve të tyre kritike.  Detyra e Institutit është gjithashtu të integroje ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit me të gjitha çështjet e tjera ose fusha të shkencës që kane një ndikim në burimet natyrore në vend. Instituti do të jete pjese e procesit të përmirësimit të legjislacionit dhe të problematikave të tjera të lidhura me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve mjedisore Shqiptare, si dhe integrimin Evropian.

INCA është organizata drejtuese e Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës.

Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës është krijuar në kuadër të projektit SENiOR-A (Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri) me financim të Qeverisë Suedeze dhe asistencë të REC-Albania. Ai përbëhet nga 7 organizata të cilat kanë një shpërndarje në të gjithë Shqipërinë, INCA (Tiranë), Iliria (Tiranë), Adriatik (Vlorë), Green & Clean (Korçë), Mbrojtja e Mjedisit (Kukës), Miqësia (Ulëz) dhe FSLSH (Shkodër). Organizatat veprojnë në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe kanë eksperienca të mëparshme me zonat e mbrojtura.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: