Të mbrojmë dhe rehabilitojmë liqenin e Viroit
Virua, Gjirokastër, 22 Maj 2014
Kombet e Bashkuara e shpallën 22 Majin si Ditën Ndërkombëtare e Biodiversitetit për të rritur ndërgjegjësimin dhe përmirësuar vlerësimin e çështjeve të biodiversitetit. Kjo ditë u shpall për të kujtuar miratimin e tekstit të Konventës së Diversitetit Biologjik në 22 Maj 1992 nga Akti Final i Konferencës së Nairobit.
Edhe Shqipëria vitet e fundit i është bashkuar festimeve të kësaj dite ndërkombëtare duke organizuar aktivitete të ndryshme sensibilizuese me fokus çështjet e mjedisit dhe ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri, vlera që janë vënë gjithmonë e më shumë në rrezik nga keqmenaxhimi dhe shfrytëzimi për përfitime.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, organizata Çajupi, pjesë e “Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës”, në bashkëpunim me INCA-n (Instituti pë Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri) organizoi në Virua (Gjirokastër) aktivitetin “Të mbrojmë dhe rehabilitojmë liqenin e Viroit”.
Liqeni i Viroit është Monument Natyre që prej vitit 1982vetëm 3 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Një oaz i mikroklimës me ndikim të drejtpërdrejt në përmirësimin e parametrave klimatike të qytetit të Gjirokastrës. Një liqen artificial me siperfaqe ujore prej 17.5 hektarëshqë ushqehet me ujrat që burojnë me vrull nga “Mema”, një burim shumë i thellë, me natyrë karstike, me ujë të kulluar e të pastër. Mendohet se uji i Viroit vjen nga shpella me natyrë karstike e Skotinisë, që ndodhet në fshatin Vanistër në jug të Gjirokastrës. Kodrat përreth të mbështetura mbi shpatullat e Malit të Gjerë i japin kësaj zone hijeshi dhe peizazhe të papërsëritshme me vlera ekonomike e rekreative. Kodrat përreth Viroit janë pyllëzuar nga Ndërmarja Pyjore në vitet 1972-1975 me llojin Pishë e egër dhe janë trajtuar si Pyll-Park. Mbas vitit 1991 shkatërrimi i pyllit dhe ekosistemeve në Virua është rezultat i një veprimtarie të pa kontrolluar, e cila ka sjellë
- Dëme të konsiderueshme vit pas viti të kurorës së gjelbër të liqenit dhe disa herë është rrezikuar nga zjarret dhe ajo pak bimësi e mbetur.
- Liqeni, nga një basen dikur për lundrimin me varka, për notin apo peshkimin sot është mbuluar nga algat dhe bimësi ujore.
- Mbetje të konsiderueshme urbane janë depozituar në ekstremin lindor të tij, ngjitur me rrugën nacionale Gjirokastër - Tepelenë.
- Si pasojë e mos thellimit dhe pastrimit, nga tejmbushja prej vitesh, ujërat e rrëmbyer të tij po rrëmbejnë tokë nga sheshi i parkimit të automjeteve duke iu afruar gjithnjë e më tepër rrugës nacionale.
Mungesa e vëmendjes ndaj tij e ka kthyer atë nga një pikë të vizitueshme e të shumë kërkuar, në një pikë turistike të braktisur.
Për këtë arsye duke vleresuar këto realitete në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, Shoqata Mjedisore “ÇAJUPI” dhe Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës, realizuan aktivitete sensibilizuese dhe promovuese për mbrojtjen dhe rehabilitimin e natyrës në liqenin e Viroit me pjesëmarrjen e grupeve të interesit nga shoqëria civile, Qarku, Prefektura, Bashkia e Qytetit, Universiteti “Eqrem Cabej”, Drejtoria Arsimore, Agjensia Rajonale e Mjedisit, DRSHP Gjirokaster, etj.
Kjo inisiativë u ndërmor edhe për t’ju bashkuar nismave ndëkombëtare por njëkohësisht edhe tërheqjen e vëmëndjes për problematikat vendore lidhur me mungesën e sensibilimit dhe keqmenaxhimin e burimeve ujore dhe pyjore në Shqipëri. Rrjeti i organizatave për ruajtjen e natyrës e sheh të nevojshëm lobimin për tërheqjen e vëmendjes së aktorëve lokal dhe kombëtar lidhur me këto çështje.
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri — INCA është një organizate jo qeveritare, e ngritur në Qershor të vitit 2000, dhe e regjistruar si e tille nga Gjykata e Tiranës në vitin 2004, me vendimin Nr. 1087. INCA ka zyrën e saj në Tiranë, por vepron në të gjithë territorin e Shqipërisë. INCA ka si qëllim kryesor të japë ndihmesën e saj në fushën e formimit profesional nëpërmjet trajnimeve dhe procesit të pjesëmarrjes, në ruajtjen e mjedisit, në mbrojtjen e vlerave natyrore dhe zhvillimin rajonal, mbrojtjen e florës dhe të faunës, vlerësimin e diversitetit biologjik, menaxhimin e zonave të mbrojtura, rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe vendimmarrësve politik, dhe të ndërmarrë masa mbrojtëse kur është e mundur dhe e nevojshme për mbrojtjen e llojeve dhe habitateve të tyre kritike. Detyra e Institutit është gjithashtu të integroje ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit me të gjitha çështjet e tjera ose fusha të shkencës që kane një ndikim në burimet natyrore në vend. Instituti do të jete pjese e procesit të përmirësimit të legjislacionit dhe të problematikave të tjera të lidhura me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve mjedisore Shqiptare, si dhe integrimin Evropian. INCA është organizata drejtuese e Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës.
ÇAJUPI është një shoqatë mjedisore me seli në Gjirokastër. Ajo ka si qëllim kryesor të kontribuoje me aktivitete konkrete dhe të mbështesë mbrojtjen e mjedisit natyror dhe biodiversitetin në rajonin jugor të vendit, fokusuar kryesisht në parandalimin e zjarreve në pyje dhe kullota, të vlerësojë dhe të mbrojë vlerat e larta të natyrës, të bashkëpunojë me OJF-të e tjera për mbrojtjen e natyrës etj.
Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës është krijuar në kuadër të projektit SENiOR-A (Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri) me financim të Qeverisë Suedeze dhe asistencë të REC-Albania. Ai përbëhet nga 8 organizata të cilat kanë një shpërndarje në të gjithë Shqipërinë, INCA (Tiranë), Iliria (Tiranë), Adriatik (Vlorë), Green & Clean (Korçë), Mbrojtja e Mjedisit (Kukës), Miqësia (Ulëz), FSLSH (Shkodër) dhe Çajupi (Gjirokastër). Organizatat veprojnë në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe kanë eksperienca të mëparshme me zonat e mbrojtura.