Nënshkruhet Marëveshja e bashkëpunimit midis AKT-së dhe INCA-s
Tiranë, 5 Qershor 2014
Dita Botërore e Mjedisit, 5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-s me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.
U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes së Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP). Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo dite zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar.
Në të kaluarën tema të kësaj ngjarjeje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm, duke patur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit njerëzor. Tema e këtij viti është “Ngri zërin tënd, jo nivelin e detit”.
Në këtë kuadër, në mbarë botën organizohen aktivitete ndërgjegjësuese në ruajtje të mjedisit.
Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) dhe Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit dhe në kuadër të promovimit të natyrës shqiptare dhe vlerave të saj, nënshkruan një marëveshjë bashkëpunimi, e cila ka në themel të saj bashkëpunimin në kuadër të zhvillimit, promovimit dhe ruajtjes së vlerave natyrore të Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë, të promovojë aktivitetet dhe projektet për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe kryesisht ato me bazë natyrore, të mbështesë dhe promovojë zonat e mbrojtura dhe aktivitetet turistike që zhvillohen në to, etj. Për Agjencinë Kombëtare të Turizmit marrëveshja u firmos nga Drejtoresha e Përgjithshme e këtij institucioni, Znj. Julinda Dhame, kurse për INCA-n nga Presidenti i Bordit të Menaxhimit të INCA-s Z. Zamir Dedej. Gjatë firmosjes i pranishëm ishte edhe Z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i REC Shqipëri i cili theksoi se REC Shqipëri mbështet këtë nismë të ndërmarrë nga dy institucionet e cila do të zhvillojë akoma më shumë turizmin shqiptar dhe promovimin e zonave të mbrojtura me theks për të joshur jo vetëm turistin e huaj por edhe atë vendas.
Me këtë rast u shfaqën edhe dy spote me interes, ai i turizmit dhe spoti i zonave te mbrojtura. Gjithashtu drejtuesit e dy institucioneve prezantuan edhe politikat qe do të ndiqen në zhvillimin e turizmit si dhe aktivitetet që do të zhvillohen në zonat e mbrojtura shqiptare.