
Veprime të Koordinuara për të Shpëtuar Shkumbinin nga Ndotja Plastike
"Veprime të Koordinuara për të Shpëtuar Shkumbinin nga Ndotja Plastike"
Sasitë e mëdha të mbeturinave të mbledhura përgjatë brigjeve të lumenjve, tregojnë qartë se duhet të ndërmarrim masa urgjente dhe të forta. Nga vlerësimet e bëra, është e domosdoshme që institucionet shtetërore dhe ato të zbatimit të ligjit të jenë më aktive dhe më të koordinuara. Duhet të merren masa parandaluese dhe menaxhuese për ndotjen plastike nga bashkitë që shtrihen përgjatë rrjedhës ujore të lumit Shkumbin, për të ndaluar hedhjen e mbeturinave në lumenj dhe për të zvogëluar ndotjen nga mbetjet plastike. Kjo mund të arrihet përmes hartimit dhe zbatimit të planeve lokale të veprimit që synojnë riciklimin dhe ripërdorimin, si dhe për të eliminuar përdorimin e plastikës njëpërdorimshme. Për këtë arsye, qeveritë vendore duhet të jenë më të qarta dhe më të vendosura në zbatimin e politikave dhe masave konkrete, për të mos lejuar askënd të trajtojë mjedisin si një mall pa zot, ku secili mund të bëjë çfarë të dojë. Lumenjtë nuk mund të vazhdojnë të shërbejnë si landfille të hapura për bashkitë apo fshatrat e vegjël. Duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur mjedisin tonë.
Projekti rajonal BeMed+, i financuar nga fondi global për mjedisin në Francë, që po zbatohet në Shqipëri në zonën pilot të basenit të lumit Shkumbin, synon reduktimin e ndotjes plastike të lumit, ujërat e të cilit derdhen më pas në detin Adriatik, pjesë e detit Mesdhe. Ky projekt po punon në tre drejtime kryesore: bashkëpunimi me bashkitë, sektorin HORECA dhe turizmin sportiv.
Le të kontribuojmë së bashku për një Shkumbin më të pastër!