Pavarësisht nëse ajri që thithim po përkeqësohet në mënyrë progresive, ose ne jemi thjesht më të vetëdijshëm për të falë aplikacioneve të njohura për celularë dhe fushatave të aktivistëve, presioni i publikut mbetet një faktor thelbësor në përmirësimin e sistemit të monitorimit dhe përmbushjen e të drejtës së dikujt për t'u informuar në lidhje me nivelet e ndotjes.
Jo më larg se sa dhjetë vjet më parë, të dhënat mbi ndotjen e ajrit i viheshin në dispozicion vetëm shkencëtarëve dhe institucioneve të shëndetit publik. Ne të tjerët, vetëm mund të hamendësonim nëse po shikonim mjegullën e zakonshme apo një re smogu dhe pluhuri të imët. Të vetmit njerëz që u ankuan për këtë ishin pacientët me sëmundje kronike të mushkërive dhe banorët e qendrave kryesore industriale dhe atyre minierare. Këta të fundit shpesh mund të shihnin dhe nuhasnin ndotjen dhe të vinin re shtresat e blozës në automjete dhe bimët e kopshteve të tyre.
Ndërtimi i stacioneve të monitorimit të ndotjes filloi ndërkohë; megjithatë, të dhënat nuk u bënë publike dhe të kuptueshme menjëherë. Sot, disa programe televizive shfaqin edhe indeksin e cilësisë së ajrit, megjithëse kjo përfshin vetëm kryeqytetet dhe qytetet e mëdha. Kjo rrallë aplikohet për hapësirat publike.
Stacionet më të sofistikuara të matjes në Ballkanin Perëndimor, menaxhohen nga ministritë përkatëse të mjedisit dhe institucionet e tjera nën vartësinë e tyre. Në një formë të thjeshtuar, niveli i përgjithshëm i ndotjes kategorizohet sipas ngjyrave - ka pesë ose gjashtë prej tyre, në varësi të metodologjisë.
Kategoria që përmban treguesin e përgjithshëm përcaktohet nga ndotësi më dominues. Për shembull, nëse përqendrimi i dioksidit të squfurit është një rrezik i një niveli vjollcë për shëndetin, treguesi i përgjithshëm do të arrijë kategorinë vjollcë edhe kur të gjitha substancat e tjera janë jeshile.
Vitet e fundit, qytetarët gjithnjë e më shumë po blejnë pajisje personale, të thjeshta për matjen e ndotjes së ajrit. Pastruesit e ajrit nëpër shtëpia janë gjithashtu popullor. Zakonisht ata masin edhe nivelet e lëndës së dëmshme.
Detyrimi ligjor
Qeveria dhe pushteti lokal, i detyron ligji që të monitorojnë ndotjen e ajrit, të informojnë qytetarët për rezultatet e monitorimit dhe të krijojnë plane dhe të zbatojnë masa për përmirësimin e tij kur tejkalohen nivelet e lejuara. Përkundër avancimeve të rëndësishme që ndodhën që nga krijimi i stacioneve të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe sistemeve që mbajnë publikun të informuar në shtetet e rajonit, cilësia dhe sasia e të dhënave nuk kanë arritur nivele të kënaqshme, dhe rezultatet zyrtare duhet të jenë shumë më të disponueshme dhe më të qarta.
Nëse nuk do të ishin faqet e njohura të internetit dhe aplikacionet e celularëve, që ofrojnë të dhëna në kohë reale nga shumica e stacioneve në botë, banorët e shumë qyteteve do të duhet të mbështeteshin në informacionin e faqeve të internetit të institucioneve lokale. Ato janë shpesh të vonuara dhe nuk paraqiten në një mënyrë lehtësisht të kuptueshme.
Për më tepër, shumë zona, përfshirë ato urbane, duhet të mbulohen nga stacionet e monitorimit dhe ato ekzistuese nuk kanë matës për të gjithë komponentët që ndosin mjedisin. Banorët e zonave ku popullsia është e ulët dhe njerëzit pa qasje në internet, mbahen kryesisht në “errësirë” përsa i përket informacionit. Nëse ata do kishin informacion mbi ambientin e jashtëm, d.m.th. që ndotja e ajrit në mjedis është duke arritur nivele të rrezikshme, ata mund të kufizojnë aktivitetet e tyre në natyrë dhe t'i mbajnë dritaret e tyre të mbyllura derisa të përmirësohet situata, siç rekomandohet në situata të tilla.
Qytetarët kanë të drejtë të informohen për nivelet e ndotjes së ajrit dhe të njoftohen për çdo ndryshim që ndodh. Institucionet vendore dhe shtetërore duhet të informojnë qytetarët në kohë reale, njësoj si në rastin kur ulet cilësia e ujit në sistemin e furnizimit, apo kur rritet përqendrimi i alergjenëve në ajër ose rrezatimi ultraviolet diellor.
Mund të bëjmë një krahasim tjetër, përkatësisht me paralajmërimet për motin ekstrem ose ndërprerjet e energjisë elektrike. Kushtet e motit ndikojnë gjithashtu në përqendrimet e ndotësve të ajrit, megjithatë institucionet kompetente në Ballkanin Perëndimor ende nuk arrijnë të publikojnë parashikimet për cilësinë e ajrit.
Boshllëqet e sistemit
Sipas gjetjeve nga Komisioni Europian[1], ne kemi më pak të dhëna në dispozicion në lidhje me nivelet e grimcave të ngurta në kategorinë PM 2.5 (me diamtëri 2.5 mikrometra dhe më të vogla), duke pasur parasysh që shumë stacione ose nuk i masin fare ose e bëjnë këtë me ndërprerje. Ky është një nga ndotësit më të rrezikshëm - pluhuri më i imët, i padukshëm që depërton në trup, madje edhe përmes lëkurës.
Aty mungojnë analizat kimike të cilat do të përcaktonin burimin dhe nivelet e grimcave dytësore të ajrit. Pra, stacionet e monitorimit nuk mund të përcaktojnë origjinën e grimcave, dhe disa lloje të PM nuk arrijnë atmosferën direkt nga djegia, por janë rezultat i reaksioneve kimike të ndotësve të tjerë. Institucioneve përgjegjëse për monitorimin e ajrit u mungojnë burimet e mjaftueshme financiare dhe njerëzore, siç thuhet në raportet e Bankës Botërore përkatësisht për Maqedoninë e Veriut[2], Bosnje-Hercegovinën[3] dhe Kosovën[4].
Vlefshmëria e të dhënave, si në raportet kombëtare, ashtu edhe në ato të paraqitura në Agjencinë Europiane të Mjedisit (ZEE) ndryshon në bazë të lokacioneve dhe vende të ndryshme. Rezultatet e matjes orë pas ore janë kriteret kryesore. Standardet europiane kërkojnë një disponueshmëri vjetore te nivelit 90% të të dhënave; megjithatë, regjistri gjithashtu përmban të dhëna nga stacionet matëse që arrijnë deri në 75%.
Komisioni Europian deklaron se numri i stacioneve që dërgojnë të dhëna në Agjenci është i kufizuar. Shumica e këtyre ndodhen në Maqedoninë e Veriut.
Cilësia e të dhënave kërkon mirëmbajtje të rregullt të pajisjeve të rrjetit shtetëror, e cila është e shtrenjtë. Fondet më të mëdha janë të nevojshme për matjen automatike të niveleve të PM, dhe procedurat e ngadalta të prokurimit kanë shkaktuar vonesa edhe 30 ditore[5][6].
Shumica e vendeve të rajonit nuk kanë një regjistër të saktë të burimeve dhe niveleve të emetimeve të ndotësve[7].
Vullneti politik
Marrja e vendimeve për masat për të përmirësuar cilësinë e ajrit kërkon monitorim të hollësishëm të situatës, së bashku me raportet zyrtare që përmbajnë të dhëna totale. Nëse nuk ka një matje të vazhdueshme, institucionet e kujdesit shëndetësor nuk janë në gjendje të monitorojnë dhe studiojnë efektet e ndotjes së ajrit.
Pjesa më e madhe e përgjegjësisë për monitorimin e ndotjes dhe sistemet e informimit publik u takojnë qeverive të shteteve të rajonit. Për të kapërcyer këto sfida, duhet të ketë investime të mëdha, por shumë nga problemet mund të zgjidhen thjesht duke shfaqur vullnet politik - autoritetet qendrore kanë fuqinë dhe kapacitetet për të përmirësuar bashkëpunimin dhe koordinimin me nivelet më të ulëta administrative dhe gjithashtu për të mundësuar shkëmbimin e informacionit. Ata janë gjithashtu përgjegjës për përmirësimin e procesit të mirëmbajtjes së stacioneve të monitorimit dhe përfshirjen e sa më shumë prej tyre në sistemin europian.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për ndotjen që është më e lartë në disa zona apo ne që thjesht jemi bërë më të vetëdijshëm për këtë, për shkak se më shumë të dhëna janë në dispozicion tani, kjo nënkupton një faktor tjetër të rëndësishëm kur bëhet fjalë për vullnetin politik. Pra, presioni nga publiku. Është e qartë se qytetarët dhe organizatat për mbrojtjen e mjedisit duhet të kërkojnë përmbushjen e së drejtës për informim në lidhje me ajrin që thithim.
Fuqia e bashkimit
Presioni i ushtruar mbi institucionet tashmë është amplifikuar nga popullariteti i faqeve të internetit për monitorimin e ndotjes së ajrit dhe aplikacioneve celulare që ofrojnë të dhëna të përgjithshme dhe qasje të thjeshtë në informimin për qytetet dhe shtetet nga i gjithë rajoni. Zhvillimi i tyre i vazhdueshëm, së bashku me aksesin e mundshëm në të dhënat historike dhe analizën e tij krahasuese, do të mobilizojnë më tej popullatën dhe do të rrisin ndërgjegjësimin në lidhje me këtë çështje të nxehtë.
Kohët e fundit, qytetarët kanë bërë krahasimin e të dhënave nga aplikacionet me ato të mbledhura nga pajisjet e tyre matëse të ndotjes së ajrit që kanë nëpër shtëpia. Këto nuk janë aq preçize sa stacionet zyrtare - megjithatë, të lidhura me të dhënat meteorologjike, ato mund të jenë një aset i dobishëm për parashikimin e ndotjes. Transferimi i informacionit nga pajisjet personale në aplikacione është gjithashtu i dobishëm për njerëzit në zona që ende nuk kanë njësi zyrtare të monitorimit.
Një nga detyrat kryesore është krijimi i një katalogu / inventari të burimeve, llojeve dhe sasive të ndotësve, në mënyrë që të regjistrohet edhe ndikimi nga veprimtaritë individuale njerëzore në shkaktimin e ndotjes së ajrit. Pushteti lokal luan një rol jetësor në këtë çështje. Pra, ky informacion do të jetë i plotë vetëm nëse përfshin pajisjet shtëpiake për ngrohje dhe llojin e lëndës djegëse që ato përdorin. Përsa i përket bashkive dhe qyteteve, ato gjithashtu mund të kontribuojnë duke vendosur ekrane dixhitale ku shfaqet informacioni mbi ndotjen e ajrit në vendet publike.
Duke nënshkruar Deklaratën e Sofjes në Nëntor 2020, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë rënë dakord të miratojnë Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila përcakton detyrimet e shteteve BB6 në përmirësimin e përpjekjeve të monitorimit dhe raportimit, dhe hap një rrugë drejt fondeve të BE-së.
Së fundmi, të qënit i mirëinformuar për këtë çështje është e mundur vetëm me përfshirjen e mediave - televizionit publik dhe atyre private, mediave lokale si dhe ato me mbulim kombëtar dhe rajonal. Kur bëhet fjalë për portalet dhe stacionet televizive, nuk duhet të jetë aq e vështirë përfshirja e një figurë të animuar, ndryshimi i ngjyrës së të cilës tregon cilësinë aktuale të ajrit që ne po thithim.
[1] European Commission: “JRC Science for Policy Report: Status of air pollutants and greenhouse gases in the Western Balkans”, 2020
https://publications.jrc.ec.europa.eu/repository/bitstream/JRC118679/air_qualityghg_western_balkans_online.pdf
[2] The World Bank: “Western Balkans Regional AQM – Northern Macedonia”, 2019 http://documents1.worldbank.org/curated/en/116521576516981237/pdf/Air-Quality-Management-in-North-Macedonia.pdf
[3] The World Bank: “Western Balkans Reqional AQM – Bosnia and Herzegovina”, 2019 http://documents1.worldbank.org/curated/en/117281576515111584/pdf/Air-Quality-Management-in-Bosnia-and-Herzegovina.pdf
[4] The World Bank: “Western Balkans Regional AQM – Kosovo”, 2019 https://openknowledge.worldbank.org/bitstream/handle/10986/33041/Air-Pollution-Management-in-Kosovo.pdf?sequence=1&isAllowed=y#page=64&zoom=100,92,813
[5] Institut za javno zdravlje Srbije “Milan Jovanović Batut” (Institute of Public Health of Serbia): “Zagađenost urbanog vazduha na teritoriji Republike Srbije merena u mreži institucija javnog zdravlja u 2019. godini”, 2020 http://www.batut.org.rs/download/izvestaji/higijena/GodisnjiIzvestajVazduh%202019.pdf
[6] Godišnji izvještaj o kvalitetu zraka u Federaciji Bosne i Hercegovine za 2019. godinu (2020) (Annual Report on Air Quality in the Federation of Bosnia and Herzegovina in 2019)
[7] European Commission: “JRC Science for Policy Report: Status of air pollutants and greenhouse gases in the Western Balkans”, 2020
https://publications.jrc.ec.europa.eu/repository/bitstream/JRC118679/air_qualityghg_western_balkans_online.pdf