Takimi Strategjik i Koordinimit për projektin EP-EACH

Takimi Strategjik i Koordinimit për projektin EP-EACH

Takimi Strategjik i Koordinimit për projektin EP-EACH

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Parqeve të Shqipërisë (SHKPSH) dhe me mbështetjen e Zyrës së UNICEF-it në Shqipëri, organizoi sot në Qendrën Edukative të Parkut Zoologjik të Tiranës, Takimin Strategjik të Koordinimit për projektin “Mbrojtja Mjedisore – Edukimi dhe Ndryshimi i Sjelljes ndaj Mjedisit (EP-EACH)”.

Ky takim synonte të prezantojë projektin trevjeçar me mbështetje nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, që synon të fuqizojë rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve arsimore në promovimin e edukimit mjedisor në tre rajone pilot: Kukës, Elbasan dhe Vlorë.

Në një kohë kur ekuilibri ekologjik po cenohet nga veprimtaritë njerëzore, edukimi mjedisor dhe ndërgjegjësimi publik janë kthyer në mjete thelbësore për mbrojtjen e natyrës. Mungesa e zbatimit efektiv të legjislacionit, menaxhimi i dobët i burimeve natyrore dhe niveli i ulët i njohurive mjedisore kanë krijuar nevojën për një qasje të re, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Edhe pse edukimi mjedisor është tashmë i integruar në kurrikulën shkollore në Shqipëri përmes një qasjeje ndërdisiplinore, praktika tregon se ka ende nevojë për përmirësim në cilësi, sasi dhe zbatim konkret në terren. Mungesa e materialeve të dedikuara, trajnimeve të strukturuara dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërinstitucional ka kufizuar ndikimin e tij tek nxënësit dhe komunitetet. Projekti EP-EACH synon të plotësojë këto boshllëqe, duke fuqizuar organizatat e shoqërisë civile, mësuesit dhe institucionet arsimore për të ndërtuar një qasje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në praktika konkrete për edukimin mjedisor.

Projekti EP-EACH synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin mes nxënësve, mësuesve, shkollave dhe komunitetit lokal, duke krijuar një trekëndësh aktiv për edukimin mjedisor dhe ndryshimin e sjelljes. Në këtë kuadër, projekti angazhon edhe komunitetin e prindërve të shkollave si pjesë e rëndësishme e këtij transformimi, si dhe mbështet Këshillat Rinorë Lokalë në rajonet e synuara, duke i përfshirë si aktorë të rëndësishëm në veprimtaritë mjedisore dhe në proceset pjesëmarrëse të edukimit. Përmes metodologjive tërheqëse dhe qasjeve bashkëpunuese, projekti synon të aktivizojë të rinjtë si promotorë të ndryshimit të sjelljes ndaj mjedisit, në bashkëpunim me shkollat, mësuesit, prindërit dhe institucionet vendore.

Projekti EP-EACH adreson këtë nevojë përmes:

  • Krijimit të rrjetit të organizatave për edukimin mjedisor, që do të bashkëpunojnë me shkollat dhe komunitetet lokale.
  • Trajnimeve për mësuesit dhe organizatat, duke përdorur metodologji inovative si “Fëmija për Fëmijën” dhe “Shkolla e Gjelbër”.
  • Zhvillimit të materialeve burimore në mbështetje të kurrikulës së përditësuar për edukimin mjedisor, në bashkëpunim me institucionet arsimore kombëtare dhe lokale.
  • Aktiviteteve në terren, përfshirë klasat e hapura dhe projektet bashkëpunuese me komunitetin.
  • Mbështetjes për Këshillat Lokale të Rinisë, të krijuar në përputhje me ligjin nr. 75/2019 “Për Rininë”.

Në kuadër të projektit EP-EACH, duke filluar nga viti i dytë i zbatimit, do të vihet në funksion një skemë mbështetjeje financiare për organizatat e shoqërisë civile (OMSHC), përmes nën-granteve që synojnë zgjerimin e veprimtarive të edukimit mjedisor dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme. Kjo mbështetje do të mundësojë realizimin e projekteve të përbashkëta mes OMSHC-ve, shkollave, komuniteteve dhe autoriteteve vendore, duke përfshirë edhe sektorin privat. Thirrja për aplikime do të publikohet në faqet zyrtare dhe mediat sociale të partnerëve, e shoqëruar me udhëzues të detajuar dhe kritere të qarta për përzgjedhje. Organizatat përfituese do të angazhohen aktivisht në rrjetin e edukimit mjedisor dhe do të mbështeten me mentorim, monitorim dhe vlerësim të vazhdueshëm për të siguruar cilësi dhe ndikim të qëndrueshëm në komunitet.

Ky projekt është plotësisht i harmonizuar me strategjitë kombëtare për biodiversitetin, menaxhimin e integruar të ujërave, ndryshimet klimatike dhe menaxhimin e mbetjeve, duke kontribuar në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2022–2030 dhe Agjendës për Zhvillim Ekonomik të Qëndrueshëm, Ndërlidhje dhe Rritje të Gjelbër. Këto dokumente strategjike theksojnë nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe zhvillimin e një këndvështrimi gjithëpërfshirës për mbrojtjen e mjedisit në të gjitha sektorët e shoqërisë. Arsimi konsiderohet një instrument kyç për arritjen e këtij qëllimi, jo vetëm përmes integrimit të edukimit mjedisor në kurrikulën shkollore, por edhe përmes programeve të trajnimit në sektorët ekonomikë dhe në administratën vendore.

Partnerët e projektit, me përvojën e gjatë në rrjetëzimin e organizatave mjedisore dhe bashkëpunimin me institucionet publike, synojnë të krijojnë ura të reja bashkëpunimi për të rritur ndikimin e edukimit mjedisor në nivel lokal dhe kombëtar. Ky projekt vjen si vazhdimësi e nismave të mëparshme si projekti CLEEN (2009–2012), i mbështetur nga UNICEF, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një brezi të ndërgjegjshëm dhe aktiv për mbrojtjen e mjedisit.

Mirëpresim të gjithë aktorët e interesuar institucione publike, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të shkollave dhe komuniteteve lokale të marrin pjesë në zbatimin strategjik dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një qasjeje të përbashkët për edukimin dhe mbrojtjen mjedisore.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: