Forumi i ZMD të Mesdheut & Udhërrëfyesi i tyre pas 2020 - Sfidat dhe zgjidhjet
Forumi i Zonave të Mbrojtura Detare të Mesdheut 2020 & Udhërrëfyesi i Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe pas 2020: Sfidat dhe zgjidhjet
Mesdheu është shtëpia e 510 milionë njerëzve dhe shpesh përshkruhet si "djepi i qytetërimit". Deti Mesdhe jo pak here përballet me presione të shumta jo vetëm nga zhvillimi bregdetar, por edhe nga aktivitete te tjera si, nxjerrja e naftës, transportit detar, peshkimi, turizmi, akuakultura etj. Këto presione rendohen edhe me shume nen efektin e ndryshimeve klimatike. Rajoni po ngrohet 20% më shpejt se mesatarja globale (MedECC, 2020) (WWF, 2021). Ndikimet që lidhen me ngrohjen e oqeaneve do të ushtrojnë presion shtesë mbi ekosistemet tashmë të tendosura dhe mbi ekonomitë dhe shoqëritë vulnerabile. Prandaj, ekziston një urgjencë për të vepruar dhe për të ndryshuar tendenca të tilla. Zonat e mbrojtura detare (ZMD) njihen si një nga mjetet më të fuqishme dhe efektive për mbrojtjen e jetës detare dhe jetesën e komuniteteve bregdetare. Ato ndihmojnë në mbrojtjen e biodiversitetit të kërcënuar dhe të rrezikuar, habitateve të rëndësishme detare dhe bregdetare si koralet, barishtet e detit dhe lagunat bregdetare dhe janë të paçmueshme në rolin e tyre për të rivendosur habitatet detare të degraduara dhe për të rimbushur rezervat e peshkut. ZMD-të janë gjithashtu vende për kërkime shkencore dhe mund të gjenerojnë të ardhura përmes turizmit të qëndrueshëm dhe peshkimit.
Në vitin 2010, komuniteti global ra dakord në Takimin e 10-të të Konferencës së Palëve të Konventës për Diversitetin Biologjik (CBD) në Nagoya (Japoni) që, ndër të tjera, të ruajë "të paktën 10% të zonave bregdetare dhe detare, veçanërisht zona me rëndësi të veçantë për biodiversitetin dhe shërbimet e ekosistemit. Në vitin 2012, komuniteti ZMD i Mesdheut zhvilloi Udhërrëfyesin 2020 “Drejt një rrjeti gjithëpërfshirës, përfaqësues ekologjik, të lidhur efektivisht dhe të menaxhuar në mënyrë efikase të Zonave të Mbrojtura Detare Mesdhetare deri në vitin 2020”. Sipas raportit të statusit të ZMD-ve të Mesdheut 2020, Deti Mesdhe aktualisht është në mbrojtje vetëm 8.3% - duke mos arritur plotësisht objektivin e Biodiversitetit prej 10%. Boshllëqet e rëndësishme në arritjen e udhërrëfyesit të kaluar kërkojnë zhvillimin e masave dhe partneriteteve të reja, duke përfshirë edhe donatorët. Të kuptuarit e progresit kundrejt udhërrëfyesve të së kaluarës ndihmon në kuadrin e Vizionit te ZMD-ve të Mesdheut pas 2020 dhe rekomandimeve për të ardhmen.
Në ketë kontekst "Forumi i Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe 2020", organizuar nga data 28 nëntor deri më 1 dhjetor 2021 në Monako, prezantoi "Udhërrëfyesin e ri për Zonat e Mbrojtura Detare (ZMD) të Mesdheut pas 2020-ës", të hartuar nga partnerët e MedPAN. Forumi mblodhi së bashku mbi 224 pjesëmarrës nga 26 vende mesdhetare dhe më gjerë. Ky udhërrëfyes i ri përfshin një vizion, gjashtë objektiva strategjikë dhe rekomandime për arritjen e tyre. Arritja e rekomandimeve të udhërrëfyesit do t'i lejojë vendeve te Mesdheut të japin një kontribut të rëndësishëm në arritjen e synimeve dhe objektivave të Kuadrit Global të Biodiversitetit pas 2020. Gjashte objektivat strategjikë në përgjithësi ndjekin temat si (Politika dhe Qeverisja, Legjislacioni dhe Zbatimi, Menaxhimi dhe Njohuria, Kapaciteti dhe Ndërgjegjësimi, dhe Financimi i Qëndrueshëm):
- Zhvilloni më tej politikat dhe strukturat e qeverisjes mesdhetare të ZMD-së për të qenë më të barabarta, duke përfshirë autoritetet lokale, të integruara me sektorë të tjerë dhe të përgjegjshme ndaj kushteve lokale të ZMD-së
- Forcimi i legjislacionit kombëtar dhe sigurimi i mekanizmave efektivë të zbatimit për të prodhuar rezultate më të mira për ZMD-të
- Sigurohuni që strukturat e menaxhimit të ZMD-ve të jenë efektive dhe të koordinuara mirë ndërmjet qeverisë dhe palëve të interesuara për të përmirësuar njohuritë dhe për të siguruar menaxhimin e duhur të ZMD-ve
- Ndërtoni kapacitetet e menaxherëve, stafit dhe palëve të interesuara të ZMD-së dhe komunikoni mbi vlerat e ZMD-së me audiencë më të madhe të jashtme për të rritur ndërgjegjësimin e tyre
- Ofroni mbështetje për qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të ZMD-ve përmes zhvillimit të kapaciteteve dhe mekanizmave të qëndrueshëm financues, duke përfshirë fondet e mirëbesimit
- Rekomandime nder sektoriale
Ky dokument përmban rekomandime operacionale, të matshme dhe që tregojnë qartë palët përgjegjëse, duke e bërë më të lehtë zbatimin e tij për palët e interesuara, qeveritë dhe partnerët që përfshihen në udhërrëfyes. “Udhërrëfyesi i ZMD për Mesdheun pas 2020” do i ndihmoje aktorët në nivele të ndryshme të identifikojnë veprimet prioritare dhe mekanizmat koordinues në mënyrë që të nxisin zbatimin e objektivave ndërkombëtare të ZMD-ve në Mesdhe, ne përputhje edhe me Konventën e Barcelonës dhe Konventën e Biodiversitetit. Udhërrëfyesi shënon fillimin e një mobilizimi të gjerë për të siguruar që 30% e Detit Mesdhe të mbrohet efektivisht deri në vitin 2030, përmes një rrjeti efektiv të ZMD-ve ne rajon. Ky udhërrëfyes u bën thirrje të gjithë aktorëve të ZMD-ve (menaxherët, politik bërësit, shkencëtarët, aktorët publike e privatë, shoqëria civile) për të zbatuar veprimet kyçe në nivel lokal, kombëtar dhe mesdhetar për të arritur rezultate të strukturuara dhe pragmatike.
Në këtë kontekst, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim me AdZM Vlorë, me mbështetjen e projektit "MPA Networks" (Rrjete të Zonave të Mbrojtura Detare) të financuar nga programi i Bashkimit Evropian, Interreg për Mesdheun, me bashkëfinancim të Fondit Evropian të Zhvillimit Rajonal, organizon takimin informues me temë "Forumi i Zonave të Mbrojtura Detare të Mesdheut 2020 dhe Udhërrëfyesi i Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe pas 2020: Sfidat dhe zgjidhjet". Qëllimi i takimit është të informojë dhe diskutojë më tej mbi “Udhërrëfyesin për Zonat e Mbrojtura Detare (ZMD) të Mesdheut pas 2020-ës” me aktore lokale dhe kombëtar.
Takimi shërbeu si një hapësirë e lirë informimi, diskutimi dhe konsultimi mes ekspertëve, autoriteteve lokale, përfaqësuesve te shoqërisë civile për identifikimin e mënyrave më të mira te ndërtimit te mekanizmave bashkëpunues, rregullatorë dhe institucionale, lokal dhe kombëtar efikas për mirë qeverisjen e ZMD Karaburun-Sazan, te cilat do te mund te shërbejnë në të ardhmen edhe si një model reference për ZMD te tjera në Shqipëri.
https://inca-al.org/sq/postimet/lajmet-e-fundit/forumi-i-zmd-te-mesdheut-udherrefyesi-i-tyre-pas-2020-sfidat-dhe-zgjidhjet#sigProId3b10859830