Forum Publik!
FORUM PUBLIK
"Rekomandimet politike për një kuadër ligjor më efektiv në ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, detyrimet dhe të drejtat për pjesëmarrjen publike"
Për tre ditë me rradhë stafi i INCA në bashkëpunim me IUCN organizuan në Parkun Natyror Kune-Vain-Tale, Parku Kombëtar Divjake-Karavasta dhe në Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë Forumet Publike "Rekomandimet politike për një kuadër ligjor më efektiv në ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, detyrimet dhe të drejtat për pjesëmarrjen publike".
Njeriu dhe natyra kanë bashkëjetuar në harmoni të plotë, që nga epokat parahistorike, duke qenë gjithmonë pjesë të pandashme. Në vendin tonë “Mbrojtja e natyrës”, si pjesë e politikave dhe strategjive mjedisore, është përmendur vazhdimisht si një nga drejtimet e saj, megjithëse gjëndet e shpërndarë në disa aspekte si biodiversiteti, zonat e mbrojtura, pyjet, shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore, burimet peshkore, etj., të cilat në një formë ose tjetër janë të lidhura ngushtësisht me njëra tjetrën.
Ndër vite Shqipëria ka humbur shumë nga vlerat e saj të biodiversitetit dhe habitateve natyrore për shkak të zhvillimit të pakontrolluar urban dhe turistik, rritjes së ndotjes, shpyllëzimit, zjarreve, erozionit, mungesës së legjislacionit të përshtatshëm mjedisor dhe zbatimit të tij të dobët apo dhe të përdorimit të praktikave dhe metodave të gabuara. Zhvillimi i aktiviteteve të paligjshme në territorin e ZMM ka cënuar shumë territore e lloje të marra në mbrojtje nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare.
Në sferën e ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit, Shqipëria ka detyrim njëhsimin e legjislacionit kombëtar të ruajtjes së natyrës, të biodiversitetit e peizazhit me atë të BE, nëpërmjet transpozimit të direktivave, zbatimit të tyre dhe forcimit të kapaciteteve për mirëmenaxhimin e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë, bazuar në standardet dhe direktivat e BE, si domosdoshmëri në procesin e integrimit.
Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Shqipëri nuk është i integruar ende si duhet në politikën kombëtare dhe lokale. Përfshirja e komuniteteve lokale në ruajtjen e natyrës dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura ka ende një rrugë të gjatë për të kryer. Aktualisht, kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikave të ruajtjes së mjedisit dhe natyrës, dhe lehtësisht të çon në konflikte të panevojshme dhe keqkuptime, veçanërisht për komunitetet lokale që jetojnë në rajonet me biodiversitetit të larta të vendit. Komunikimi me pjesëmarrjen e gjërë të publik, nëpërmjet edukimit e zbatimit të praktikave më të mira për ruajtjen e natyrës dhe përdorimin e integruar e të baraspeshuar të burimeve natyrore, mbeten instrumente thelbësore për të rritur mbështetjen për këtë problem dhe për të kontribuar në menaxhimin efektiv të zonave të mbrojtura dhe të burimeve natyrore në Shqipëri.
Në këtë këndvështrim Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”, të financiar nga Bashkimi Evropian (BE), nëpërmjet programit “Mbështetje për kapacitet e Shoqërisë Civile”, organizon organizon Forumin Publik mbi "Rekomandimet politike për një kuadër ligjor më efektiv në ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, detyrimet dhe të drejtat për pjesëmarrjen publike".
Qëllimi i këtyre forumeve është prezantimi dhe diskutimi i rekomandimeve politike për të përmirësuar kornizën ligjore rregullatore për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, detyrimet dhe të drejtat për pjesëmarrjen publike në proceset e vendimmarrjes.
Ky forum publik synon të nxitë debatin dhe diskutimin publik lokal për formulimin e rekomandimeve politike të argumentuara qartë për ndryshime dhe/ose miratimin e legjislacionit të ri të nevojshëm për mirëpërdorimin e burimeve natyrore, për luftën kundra krimit mjedisor në natyrën shqiptare, dhe transparencën publike në vendimmarrje, të mbështetura nga sugjerime të ekspertëve të fushës.
Forumi publik do të shërbejë si një tavolinë e rrumbullakët debati, me përfaqësues nga autoritetet publike lokale dhe rajonale, investitorë privatë, institucione financiare, OMShC dhe media. Gjatë takimit, do të inkurajohet dialogu midis palëve, me fokus të veçantë nxitjen e proceseve transparente dhe demokratike për përdorim të qëndrueshëm të burimeve natyrore lokale dhe kombëtare.
Për informacione të mëtejshme:
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA)
E-mail: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
Shënim për botuesit:
INCA
Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) është një OJQ e krijuar në korrik 2000, me qendër në Tiranë,por që punon në të gjithë vendin dhe në rajon nëpërmjet bashkëpunimit me organizata partnere. Qëllimi kryesor i INCA është lehtësimi i ngritjes së kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimeve dhe proceseve me pjesëmarrje, ruajtja e natyrës dhe mbrojtja e florës dhe faunës në Shqipëri, mbështetja e zhvillimit rural. Ajo fokusohet në vlerësimin e biodiversitetit, zonat e mbrojtura dhe menaxhimin e baseneve të lumenjve dhe zbaton projekte në Shqipëri dhe në kontekst ndërkufitar. INCA është anëtar i IUCN dhe Forumit Global të Ujit (GWP) dhe përfaqëson WWF në Shqipëri. Që prej prillit 2013 INCA drejton Rrjetin për Rruajtjen e Natyrës në Shqipëri.
IUCN
IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) është organizata mjedisore më e vjetër dhe më e madhe në botë, me më shumë se 1200 qeveri dhe OJQ anëtare dhe rreth 11,000 ekspertë vullnetare në mbi 160 vende. Zyra e IUCN-së për Evropën mbulon kontinentin Evropian, Rusinë dhe Azinë qendrore dhe vendet e Bashkimit Evropian përtej detit. Zyra e IUCN për Evropën Juglindore (IUCN SEE) nxit përmirësimin e qeverisjes së burimeve natyrore dhe biodiveristetit dhe mbështet nismat për ruajtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e ekosistemeve për mirëqenien e njerëzve. Duke punuar bashkërisht me anëtarët e IUCN dhe Komisionet ajo harton politikat rajonale dhe mbështet dy iniciativa kryesore: Nismën e Harkut Dinarik dhe Brezin e Gjelbër të Evropës.
www.iucn.org/southeasterneurope
Këto aktivitete u organizuan në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”, të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), nëpërmjet programit “Mbështetje për kapacitet e Shoqërisë Civile”.
Ky publikim është prodhuar me asistencë të Komunitetit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është vetëm përgjegjësi e partnerëve që zbatojnë projektin dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.
https://inca-al.org/sq/postimet/lajmet-e-fundit/forum-publik#sigProId60e8ab1790