27 Janar - Dita e Shërbimit Pyjor

27 Janar - Dita e Shërbimit Pyjor

27 Janar - Dita e Shërbimit Pyjor

Pyjet luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë në Shqipëri. Përveç aspekteve ekonomike, pyjet sigurojnë përfitime mjedisore, sociale dhe kulturore. Është tipike në Shqipërinë rurale që fshatarët të menaxhojnë si burimet bujqësore ashtu edhe ato pyjore në sisteme të ndryshme agro-pyjore, ku kulturat bujqësore, drurët dhe bagëtitë gërshetohen brenda të njëjtës njësi ekonomike (fermë). Përveç kësaj, varfëria në zonat rurale sjell presion të shtuar mbi burimet pyjore, gjë që ka çuar në rritjen e prerjeve të paligjshme në pyje, veçanërisht për sa i përket kërkesës për dru zjarri.

27 janari 2025, e gjen shërbimin pyjor jo në ditën e tij më të mirë. Gjatë dekadave të fundit, sektori i pyjeve ka përjetuar sfida të shumta, përfshirë ndryshime të sipërfaqes dhe reduktim të vëllimit të fondit pyjor, si dhe ndryshime thelbësore institucionale. Që nga fundi i viteve 1990, pas rënies së regjimit komunist, pyjet janë degraduar rëndë kryesisht për shkak të operacioneve të paqëndrueshme dhe shpesh të paligjshme të prerjes, shkatërrimit dhe shpyllëzimit të pyjeve, çon në dëmtimin e gjithë ekosistemit tokësor. Zjarret në pyje dhe përdorimi në masë të gjerë i druve të zjarrit për gatim dhe ngrohje kanë kontribuar gjerësisht në këtë humbje.

Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të reformuar politikat e pyjeve me qëllim mbrojtjen e burimeve natyrore dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Dokumenti i politikave për zhvillimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave për periudhën 2018-2030, synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe shumë funksional të burimeve pyjore dhe kullotave duke garantuar ruajtjen e biodiversitetit përmes mbrojtjes së habitateve natyrore, si dhe përmirësimin e jetës së komuniteteve rurale nëpërmjet përdorimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore.

Aktualisht bashkitë menaxhojnë rreth 80% të pyjeve në Shqipëri, por në shumë prej tyre mungojnë gjerësisht kapacitetet dhe burimet për të menaxhuar siç duhet burimet pyjore. Specialistët në strukturat e menaxhimit të pyjeve nuk janë tërësisht të fushës përkatëse, si dhe u mungon baza logjistike dhe për pasojë nuk janë në gjendje të kontrollojnë të gjithë zonën pyjore për të parandaluar prerjet e paligjshme të pyjeve apo zjarret në pyje. Mungesa e burimeve financiare nga bashkitë ndikon që niveli i investimeve në pyje të jete shumë i ulët.

Zbatimi i dobët i politikave në sektorin pyjor dhe mungesa e rezultateve në luftën kundër praktikave të paligjshme brenda sektorit është një pengesë kryesore për një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori. Nga ana tjetër, mungesa e investimeve në infrastrukturë, teknologji dhe kapacitete njerëzore kufizon ndejshëm mundësitë për zhvillime në sektor.

Menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve është një faktor kyç për zhvillimin rural. Praktikat e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve janë vendimtare për mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të qytetarëve dhe mund të kenë ndikime pozitive në turizëm. Nga ana tjetër pyjet janë, gjithashtu, të rëndësishëm dhe ndihmojnë në mbrojtjen nga pasojat e ngjarjeve ekstreme të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Kjo është thelbësore për perspektivat e gjelbra të zhvillimit të vendit si pjesë e procesit të përafrimit me Bashkimin Evropian.

Procesi i integrimit në BE ofron potenciale të reja për zhvillimin e sektorit, veçanërisht për ndërtimin dhe forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe njerëzore. Nëse sektori i pyjeve do të ndryshojë dhe të përmbushë potencialin e tij të plotë, duhet investuar ndjeshëm në burimet njerëzore nëpërmjet ofrimit të aftësive specifike në disa fusha kyçe të qeverisjes dhe menaxhimit të pyjeve, komunikimit për të siguruar mbështetjen e komuniteteve lokale dhe ndërgjegjësimit të publikut mbi rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe përfitimet që rrjedhin nga kjo qasje.

Implementimi i politikave të reja kërkon një qasje të integruar që përfshin bashkëpunimin midis qeverisë, sektorit privat dhe organizatave të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të pyjeve kërkon rritjen e kapacitetit të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e pyjeve dhe rritjen e efektivitetit të kontrolleve për të parandaluar aktivitetet e paligjshme. Njëkohësisht, investimet në infrastrukturë e pajisje do të lehtësojnë monitorimin dhe menaxhimin e pyjeve.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: