1FUTURE

1FUTURE

1FUTURE
 
Në datat 3 – 4 Maj 2023 u zhvillua Takimi Hapës i projektit “1FUTURE”, financuar nga Bashkimi Evropian, në mjediset e Qendrës “Liria” pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, me qëllimin e prezantimit të objektivave dhe aktiviteteve të planifikuara për zbatimin e këtij projekti nga 18 partnerët e tij, që janë nga vendet evropiane dhe të Ballkanit e që do të shkëmbejnë eksperiencat dhe modelet më të mira për të arritur rezultate e pritshme të këtij projekti.
 
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri – INCA është pjesë e projektit “1 FUTURE”, që ka në fokus në ngritjen e kapaciteteve për forcimin e kërkimit dhe mësimdhënies në fushat e lidhura me Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Ndryshimet Klimatike. Projekti "1 FUTURE", ku janë angazhuar 18 partnerë nga vende të ndryshme dhe 3 partnerë të asociuar, ka si synim trajnimin e vazhdueshëm të personelit, kurrikula të reja, por edhe ngritjen e qendrave të mirëfillta kërkimore-shkencore për klimën dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vendet e Ballkanit. Ai do të zbatohet për një periudhë 3 vjeçare, ndërsa platforma e gjeneruar nga projekti, “1FUTURE” do të jetë një platformë virtuale bashkëpunimi midis kompanive dhe aktorëve në arsimin e lartë.
 
Ekspertja e INCA-s, Dr. Emirjeta Adhami, në fjalën e mbajtur në aktivitetin e organizuar, me rastin e fillimit të zbatimit të projektit theksoi se shoqatat e shoqërisë civile do të jenë një vlerë e shtuar në partneritetin e këtij projekti me dhënien e eksperiencës së tyre në fushat e mjedisit, ndryshimeve klimatike, ekonomisë qarkulluese, menaxhimit të burimeve natyrore, si dhe në pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse për hartimin e politikave të ndryshme në mbrojtje të natyrës dhe jo vetëm, duke i dhënë mundësi botës akademike për të rritur pjesëmarrjen në aktivitete monitoruese, të vlerësimit të gjendjes dhe në bashkëpunime për zgjidhje situatash, ku mendimi shkencor ka vlerë të padiskutueshme.
 
logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: