Categoria principale: INCA
Visite: 1015
Takim konsultativ mbi analizën e përbashkët të legjislacionit
Takim konsultativ mbi analizën e përbashkët të legjislacionit, politikave dhe rregulloreve për modelin Blue Land
E mërkure, 23.09.2020 - U zhvillua në Himare takimi konsultativ mbi analizën e përbashkët të legjislacionit, politikave dhe rregulloreve për modelin Blue Land. Në takim morën pjesë Prefekti i Qarkut Vlorë, zv/Kryetaria e Bashkisë Himarë, specialitë të zonave të mbrojtura, përfaqësues të AKZM, të AdZM Vlorë, të INCA, të grupeve të interesit etj.
Zona e Gjirit të Porto-Palermos edhe pse ende jo pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura në Shqipëri, përbën një zonë me interes natyror por edhe ekonomik në shkalle lokale dhe kombëtare.
E propozuar si një zonë “Blue land”, në kuadër të projektit Interreg Shqipëri-Itali-Mali i Zi, Agjencia e Zonave të Mbrojtura në bashkëpunim me partnerët e projektit është angazhuar prej disa vitesh në promovimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi dhe menaxhimi të gjirit të Porto Palermos duke u fokusuar në përfshirjen dhe angazhimin e grupeve lokale të interesit.
Modeli menaxhues “Blue Lands” ose “Territoret Blu”, ka për qëllim zhvillimin dhe ngritjen e një modeli qeverisës me pjesëmarrje në nivel ndërkufitar, duke përfshirë komunitetet lokale bregdetare në përcaktimin e veprimeve menaxhuese për mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve detare dhe bregdetare. Kjo ka kërkuar një analizë të thelluar të hapësirave ligjore dhe propozime për përmirësime dhe ndryshime në trajtimin ligjor të bashkëmenaxhimit të zonave natyrore. Qëllimi është të sigurohet menaxhim i qëndrueshëm i burimeve natyrore dhe kulturore të zonave detare dhe bregdetare, me pjesëmarrjen aktive të komuniteteve lokale.
Ky model menaxhimi synohet të jetë i krahasueshëm me atë të një “Zone të Mbrojtur Detare”, duke dhënë shembullin e menaxhimit të qëndrueshëm të një zone pavarësisht nesë gëzon apo jo statusin “ Zonë e Mbrojtur Mjedisore”, sipas Ligjit të Zonave të Mbrojtura.
Përfitues kryesor nga ky model menaxhimi parashikohen të jenë: grupet lokale të interesit, shoqatat e peshkatarëve, institucionet e qeverisjes lokale, administratat e zonës së mbrojtur në nivel lokal, sektori i turizmit, biznesi, qytetarët, vizitorët dhe komuniteti lokal.
Ky takim u zhvillua ne kuader te Projekti Blue Land i cili financohet nga Interreg IPA CBC Italy-Albania-Montenegro dhe zbatohet në bashkëpunim me CIHEAMBari, Agjensia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura-AKZM (Shqipëri), INCA Albania, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi, Universiteti i Malit të Zi - Instituti i Biologjisë Detare, Instituti i Kërkimit dhe Bashkëpunimit-ICR, në partneritet me AICS Tirana dhe Regione Puglia, Departamenti i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Mjedisor.