Shoqëria civile bashkë për të mbrojtur ligatinat e mesdheut
Në datat 18-20 Nëntor 2019, u zhvillua në Tour du Valat (Francë) trajnimi me temë “Ngritja e një Observatori lokal ose kombëtar për ligatinat”. Në këtë event, morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile nga shtetet që i përkasin pellgut të Mesdheut (Marok, Algjeri, Tunizi, Libi, Turqi, Liban, Jordani, Shqipëri dhe Mali i Zi). Ky trajnim pasoi atë të zhvilluar në Tiranë, në datat 9-11 Tetor, mbi kërcënimet që u kanosen ligatinave.
Në datën 19 Nëntor 2019, u lançua projekti "Menaxhimi i qëndrueshëm i ligatinave në Mesdhe", FFEM, ku #Shqipëria u bë zyrtarisht partnere në projekt. Projekti financohet nga Agjencia Franceze për Zhvillim (ADF) dhe mbështetet nga Tour du Valat. #INCA është përfaqësuese e Shqipërisë në këtë projekt.
Ky projekt synon të risë vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse dhe OShC-ve mbi ligatinat para dhe gjatë vendimmarrjeve mbi zhvillimin dhe planifikimin hapësinor në Jug dhe Lindje të Mesdheut. Kjo përfshin ndërtimin e aftësive të shoqërisë civile për të ndërmarrë veprime për të menaxhuar ligatinat dhe rritjen e kapaciteve për të ndikuar sektorët e zhvillimit që ndikojnë në këto zona, duke përfshirë shënjestrimin e faktorëve përgjegjës për degradimin e këtyre zonave.
Ligatinat mesdhetare përfshijnë ekosisteme me shërbime të shumta të ekosistemeve, të cilat po rrezikojnë të zhduken për shkak të presioneve të forta me të cilat përballen: demografike, ekonomike dhe bujqësore. Sidoqoftë, ligatinat mund të sigurojnë, në afatgjatë, burime për komunitetitin lokal nëse përdoren në mënyrë të qëndrueshme. Ato mund të ruhen me përfshirjen e shoqërisë civile të vendeve partnere (Marok, Algjeri, Tunizi, Libi, Turqi, Liban, Jordani, Shqipëri dhe Mali i Zi).
Aktivitete të tjera do të zhvillohen në vazhdim dhe lajme të mira pritet të vijnë përsa i përket mbrojtjes së ligatinave në Shqipëri, dhe jo vetëm.