INCA mbyll me sukses projektin në kuadër të SENiOR-II
- Broshura PDF: Shiko dokumentin
Tiranë - 29 Tetor 2018 - Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) dhe Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në kuadër të programit SENIOR-II, “Mbështetje për OSHC-të Mjedisore në Shqipëri”, zbatuar nga REC Shqipëri, me financim të Qeverisë Suedeze, zhvilluan Konferencën Kombëtare (përmbyllëse) “Prezantimi i vlerësimeve dhe rekomandimeve të monitorimit të pjesëmarrjes publike dhe përfshirjes së organizatave të RrMN në vendimmarrje për një menaxhim të qëndrueshëm e shumë përdorimshëm të Zonave të Mbrojtura Mjedisore”, në kuadër të projektit “Promovimi dhe advokimi i menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve dhe vlerave natyrore nëz onat e mbrojtura”.
INCA në këtë konferencë përmbyllëse ndau dhe diskutoi me pjesemarresit vlerësimet dhe rekomandimet mbi përfshirjen e organizatave të RrMN në vendimmarje për një menaxhim të qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura Mjedisore në Shqipëri.
Konfernca Kombëtare u mbajt me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë nga 16 zona të mbrojtura në rajonet pilote të përzgjedhura: Tiranë (Tiranë, Dibër), Vlorë (Vlorë), Gjirokastër (Përmet, Dropull), Korçë (Korçë, Pustec), Mat (Ulëz), Durrës (Krujë), Kukës (Kukës,Tropojë), Shkodër (Shkodër, Malësia e Madhe), Elbasan (Librazhd) dhe Fier (Divjakë). Gjithashtu të pranishëm në aktivitet ishin përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, AdRZM në rrethe, përfaqësues nga pushteti vendor, përfaqesues nga Organizata të Shoqërisë Civile etj.
Gjatë konferencës u prezantua puna 7-mujore për advokimin dhe nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje si një shtyllë e rëndesishme që qëndron në themel të mirëfunksionimit të një sistemi demokratik. Çdo organizate e Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri paraqiti në mënyrë të përmbledhur sfidat dhe arritjet e projektit dhe në fund të tij u prezantuan kronikat/emisionet e dedikuara televizive të realizuara në kuadër të këtij projekti.
Qëllimi kryesor i projektit ishte të forcojë rolin pjesëmarrës dhe advokues të shoqërisë civile në promovimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe veçanërisht Zonave të Mbrojtura. Risia e këtij projekti konsistoi në krijimin e grupimeve lokale për të marre pjesë në proceset advokuese dhe këshilluese pranë strukturave vendore përgjegjëse për menaxhimin e burimeve natyrore.
Nëpërmjet këtij projekti u synua një përqasje strategjike e angazhimit të shoqërisë civile në adresimin afatgjatë të problematikës dhe promovimit te vlerave kryesore ne 16 Zona të Mbrojtura Mjedisore (ZMM) të përzgjedhura në rajonet: Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Mat, Kukës, Shkodër, Elbasan dhe Fier.
Vëmendja në këtë aktivitet ju kushtua jo vetëm funksionimit të mekanizmave të ngritur në nivel strukturash vendimmarres për përfshirjen e publikut por edhe rolit të shoqërisë civile në tërësi, të medias, si dhe evidentimin e mundësive për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Ky aktivitet është realizuar nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në kuadër të projektit “Promovimi dhe advokimi për një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve dhe vlerave natyrore në zonat e mbrojtura”, si pjesë e Programit “Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri SENiOR-II, i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC Shqipëri) dhe financohet nga Qeveria Suedeze.