Categoria principale: INCA
Visite: 1171
Rezervati Natyror i Menaxhuar “Kune-Vain-Tale”
Rezervati Natyror i Menaxhuar “Kune-Vain-Tale”
Vendndodhja: Qarku i Lezhë.
Sipërfaqja totale: 4,393.2ha
Statusi: Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror, Kategoria e IV-t (IUCN). Shpallur me VKMnr.432, datë 28.04.2010.Zonë e rrjetit EMERALD dhe zonë IBA, miratuar me urdhër të ministrit të Mjedisit nr. 283, datë 10.04.2013.
Ka shtrirje V-J, 10-15km dhe L-P, 3km, ky rezervat është sistemi ligatinor më i ndërlikuar, i vendosur në deltën e rrjedhjes së poshtme të Drinit të Lezhës, në breg të detit Adriatik. Ndodhet në bashkinë e Lezhës të qarkut homonim, shumë afër qytetit të Shëngjinit dhe pranë fshatrave Ishull Lezhë, Ishull Shengjin, Tale etj.Përfshin habitate tokësore, laguna, moçale dhe këneta.Ishulli i Kunes është një ZM e veçantë, shumë i rëndësishëm për zogjtë IBA, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Këtë status ia japin Ardeidet dhe Phalocrocoridet.
Territori i rezervatit përbëhet nga depozitime kënetore, detare e lumore të kuaternarit. Të parat përfaqësohen nga argjila, rëra argjilore e rëra të imëta, me trashësi rreth 1 m, ndërsa trashësia e tokave të pasura me lëndë organike arrin 0,1-0,2m. Depozitimet detare, kryesisht rëra, formojnë brezin 100-300m të gjerë dhe 20-25 të thellë në bregdetit.
Laguna e Kënallës (rreth 20ha); Laguna e Kune/Merxhanit (rreth 360ha); Vija e Kularit; Kompleksi i lagunave të Vainit, rreth 9km2 përbëhet nga laguna e Cekës 4,9km2, e Zajës 2,4km2 dhe të tjera më të vogla (Fundi i Lymit, Shulëza, Gjoli i Buajve etj.). Komunikimi mes lagunave dhe detit realizohet nëpërmjet kanalit të Matkeqes, tashmë i mbyllur dhe kanalit Zajet/Drin. Në kanalet e vogla shkëmbehen ujërat midis lagunave të Zajet dhe Cekës.
Tokat e rezervatit lidhen me dinamikën e grykëderdhjes dhe të shtatit të Drinit të Lezhës, me dinamikën e bregut detar dhe me veprimtarinë e njeriut. Takohen disa tipa tokash: aluviale (Eutrix fluvisols), të varfra dhe alkaline pranë shtratit të lumit, të lidhura me vërshimet e tij; arenosolet, kryesisht në bregdet dhe disa herë në thellësi të masivit, të krijuara nga transportit selektiv i materialeve të ngurta nga ujërat detare dhe lumore, vende-vende, kur janë shkatërruar dunat, të mbuluara me pisha (Pinus Maritima); të kripura, që janë rëra me kripëzim të lartë në pjesën e sipërme; glay hydromorphis, tipike për zonat kënetore, zakonisht të kripura dhe me tri shtresa; Eutrix (Cambisols), të formuara nga procesi i transformimit në tokë bujqësore, të thella me shumë lagështi dhe argjila në pjesën e poshtme.
Janë identifikuar rreth 277 specie të bimëve vaskulare, të përfshira në 67 familje dhe 202 gjini.Numrin më të madh të specieve bimore e shënon familja Graminaceae, me rreth 35 specie, e ndjekur nga familja Composiates, me 24 specie etj. Larmia e faunës, e kushtëzuar nga tiparet fiziko-gjeografike të zonës, shprehet në numrin e madh të specieve: rreth 110 lloje planktonësh, 17 specie molusqesh, 117 tipa insektesh, 59 lloje krustacesh, 10 lloje amfibesh, 29 specie reptilash, 26 specie peshqish, 196 lloje zogjsh, 23 lloje gjitarësh.
Rezervati përmban peizazh tokësor, ligatinor dhe detar tërheqës. Ai përbën një sistem lagunash, të lidhura me njëra-tjetrën nga Drini i Lezhës.Karakteristikat fizike të mjedisit kanë krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e habitateve shumë të qëndrueshme, që ofrojnë strehë, ushqim dhe mundësi riprodhimi për shumë lloje speciesh.Habitati estuarin është më i rëndësishëm dhe me shtrirje më të madhe, 64% të rezervatit. Takohen këta tipa kryesorë vegjetacioni: bimësi ujore, hidro-higrofile, halophys, psamofile, pyje dhe shkurre.
Ka vegjetacion ujor (të ujërave të njelmëta e të ëmbla) të shprehur mirë, me shtrirje të kallamishteve të ndërthurur me pasqyra uji. Speciet kryesore të vegjetacionit ujor janë: Zosterra noltii dhe Ruppia cirrhosa. E para mbulon rreth 40% të shtratit ujor dhe është e vendosur më së shumti në fundin kënetor të lagunave.R. cirrhosa gjendet më tepër në ujërat e cekëta dhe të qeta.Shpesh, të dyja speciet krijojnë një komunitet bimor monolit.Së bashku me algat, formojnë disa biocenoza, që janë një nga burimet e oksigjenit në ujërat e lagunës.
Bimësia hidro-higrofilike mbulon një pjesë relativisht të madhe të lagunës së Kune-Vainit. Përbëhet nga komuniteti i Phragmites australis, shumë i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve mjedisore dhe i përhapur më shumë në brigjet e lagunës, sidomos të Cekës; komuniteti me Typha angustifolia, më pak i përhapur në lagunë se i pari, në formën e brezit përgjatë lumenjve, kanaleve apo rrjedhjeve të tjera; komuniteti me Scirpus s. etj.
Bimësia halofile, e përhapur në zonat me kripëzim të madh, shprehet me: komunitetet me speciet dominuese Arthrocnemum genera (Arthrocnemum fruticosum, A. perenne, A. glaucum, Salicornea europaea etj.), që jetojnë në tokat kënetore me shumë kripë, të mbuluara nga uji në pjesën më të madhe të vitit; komunitetet me specie mbizotëruese Juncus genera, të përfaqësuar nga Juncus acutus dhe Juncus maritimus, që shpesh formojnë breza të pandarë dhe, në ndonjë rast, të ndërthurur me komunitete të tjera si Arthrocnemum sp.; komuniteti i Juncus acutus, shumë i qëndrueshëm ndaj ujërave të kripura; komuniteti me dominim të specieve të Scirpus holoschoenus, Saccarum ravennae etj., me shtrirjetë vogël, pas dunave ranore mes komuniteteve të tjera; vegjetacioni i dunave ranore, psamofil, në formë brezi; speciet pioniere pas bregut, si: Cakile maritime, Xanthium stumarium. Rol më të dukshëm luan Cyperus capitatus, Euphorbia palasis etj.
Bimësia e lartë përbëhet nga pyjet dhe shkurre tipike mesdhetare.Komuniteti pyjor, rreth 20 ha, është i përqendruar kryesisht në ishullin e Kunes dhe Zajet.Dallohen komunitetet me specie mbizotëruese të Alnus glutinosa dhe Fraxinus angustifolia. Ka edhe Ulmus minor, Quercus robur, Populus albaetj. Nënkati i shkurreve përbëhet nga specie mbizotëruese Rubus ulmifolius, Tamarix dalmatica etj.Nënkati barishtor është i pasur me Lythrum salicaria, asparagus acutifolius etj.Në malin e Rencit ka pyll të rrallë dushku (Quercus trojana).Në gjendje natyrore rritet edhe shega (Punica granata).
Larmia e habitateve dhe e tipareve të tyre natyrore ose gati natyrore ka krijuar kushtet për larmi speciesh të faunës.Larmia dhe pasuria e shpendëve të ujit, me rëndësi të veçantë, ka qenë motivi i shpalljes së saj “Rezervat Gjuetie” në vitin 1940. Ndër gjallesat e egra, rëndësi kanë sidomos speciet e cilësuara të rrezikuara në shkallë botërore, si: karabullaku (Phalacrocorax Pygmeus) dhe lundërza (Lutra lutra). Ka edhe specie të tjera të rrezikuara në shkallë botërore që vizitojnë zonën, si: Rhinolopus euryale, Rh ferrumequinum, Milvus migrants, Rana balcanika, R lessone etj. Mes zogjve, më të rëndësishmit në nivel vendor dhe kombëtar janë Ardeides, si Ardea cinerea, Egretta garzetta, Egretta alba. Për Ardea cinerea dhe Egretta garzetta, Laguna e Kune–Vainit është e vetmja zonë shumimi në Shqipëri.Ndër shpendët rrëmbyes me dendësi më të lartë në vendin tonë, dallohen shqiponja e malit (Aquila chrysaetus) dhe petriti (Falco peregrinus) dhe lloje të rralla që mbrohen nga disa konventa.Vizitohet shpesh nga breshka deti dhe foka mesdhetare, me rëndësi të veçantë në ekosistemin mesdhetar.Zona luan rol në rregullimin e ujëkëmbimit dhe në rigjenerimin e mjedisit.
Ligatinat e përbëra nga ujëra bregdetarë, laguna e këneta, ujëra të ëmbla (lumenjtë dhe kanalet kullues) etj.kushtëzojnë praninë e shumë specieve peshqish me vlera ekonomike. Për shekuj, komuniteti ka peshkuar në këtë zonë.Shumë familje që jetojnë përreth, i sigurojnë të ardhurat bazë nëpërmjet peshkimit dhe tregtimit të peshkut.Por trysnia ndaj tyre është rritur në mënyrë dramatike gjatë shekullit të fundit.
Panorama e mrekullueshme, trashëgimia e pasur natyrore, por edhe kulturore që shprehet në veshjet, muzikën dhe gatimin tradicional, vlerat arkeologjike përreth, kushtet dhe mjetet lehtësuese për vizitorët, përbëjnë potenciale të mëdha turistike.
RNM "Kune-Vain-Tale” menaxhohet dhe trajtohet nga AKZM, nëpërmjet AdRZM, qarku i Lezhë. Për këtë RNM është hartuar dhe miratuar plani i menaxhimit.