Categoria principale: INCA
Visite: 1237
Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”
Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”
Vendndodhja: Qarku i Elbasanit dhe i Dibrës.
Sipërfaqja totale: 33,927.7ha.
Statusi: Park Kombëtar, Kategoria II, IUCN; miratuar me VKM nr. 640, datë 21.05.2008. Zonë e rrjetit EMERALD. Zonë e Brezit të Gjelbër Evropian.
Parku Kombëtar i Shebenik-Jabllanicës ndodhet në "Brezin e Gjelbërt" të Evropës dhe është pjesë e një zone të gjerë dhe komplekse gjeografike përhapur përgjatë zonës kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Malet e Shebenik-Jabllanicës janë një zonë me bukuri të rrallë natyrore, ku gjenden disa nga peizazhet malore më madhështore dhe befasues në tërë Ballkanin. Në anën shqiptare, ngrihen mbi luginën e lumit Shkumbin nga rreth 300m mbi nivelin e detit deri në 2000m, me lumenj e përrenj të shumtë që zbresin në kodrat dhe luginat e fushave më vazhdim. Maja e Rreshpë-Shebenikut është 2262m mbi nivelin e detit. Klima është mesdhetaro- malore me ndikime kontinentale. Temperatura mesatare varion nga 7-10°C dhe reshjet mesatare vjetore variojnë nga 1300-1800mm.
Zonë ndërkufitare, me vlera të larta biodiversiteti. Paraqitet si një territor mjaft i gjërë me një biodiversitet të lartë ku dominojnë pyjet plotësisht të virgjër të Ahut. Shkalla e lartë e biodiversitetit llojor e habitator, vlerat unikale si sipërfaqe e virgjër, ekzistenca e llojeve të rralla të Pinus sylvestris e meshtekna që vënë këtë territor në një pozicion superior si rajon me vlera specifike mbrojtëse. Takohen dhe drurë të tjerë si pisha, bredhi i bardhë, rrobulli, lloje të ndryshme të dushkut, lloje me prezencë më të rrallë si plepi, shelgu, panja etj; Bimë endemike e subendemike si manushaqja e Dukagjinit, Genista endemike etj. Takohen liqene akullnajore, livadhe subalpine e alpine.
Parku është një bërthamë dhe biokorridor i rëndësishëm i gjitarëve të mëdhenj të mbrojtur nga Konventat, duke fituar kështu vlera dhe rëndësi rajonale/ballkanike. Llojet kryesore më të kërcënuar në Shqipëri si rreqebulli i Ballkanit, habitat i ariut të murrmë, ujkut, dhisë së egër, derrit të egër, lundërzës etj. Ujërat e freskëta të lumenjve të parkut janë habitat i troftës së kuqërremtë.
Mbrojtja afatgjatë e biodiversitetit të pasur dhe përdorimi e qëndrueshëm i burimeve natyrore janë sfidat kryesore që lidhen me menaxhimin e parkut. Kërcënimet kryesore ndaj ekosistemit të Shebenik-Jabllanicës janë kullotjet, rreziku i zjarreve, gjuetia e paligjshme, mbishfrytëzimi i pyjeve për dru zjarri, erozioni i tokës, ndotja e ujit, ndërtimet e paligjshme dhe asgjësimi jo i kontrolluar i mbetjeve të ngurta. Një nga problemet kryesore mbtetet ndërtimi hidrocentraleve të cila rrezikojnë seriozisht ekzistencën e këtij parku po ashtu edhe galeritë dhe shfrytëzimet e sipërfaqeve për nxjerrje dhe grumbullim të mineraleve.
Turizmi akoma është në fazat e para të zhvillimit. Vizitorët janë të pakët dhe të vetëorganizuar Kohët e fundit pas riorganizimit të AdRZM dhe ndërtimit të qëndrës së vizitorëve, numri i tyre po vjen në rritje. Zona e parkut, përveç vlerave turistike ka edhe pasuri kulturore e tradita të hershme. Përmendin psh, Fshatin Llangë me shtëpi karakteristike me mure guri, trekatëshe, shumëvjeçare; Shpella Eremite e Koshorishtit, ndërtuar në një shpelle në shek. XI; si dhe mjaft monumente natyre si Liqenet akullnajore Shebenik, liqenin e Fushë Studnës,Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë Kuqes, Mështeknën, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut etj. Në këtë zonë Komuniteti organizon mjaft aktivitete social-kulturore tradicionale, si festat që festohen gati në çdo fshat dhe kanë secili të veçantat e veta, por nga pikëpamja e pjesëmarrjes janë shumë të vlefshme, sepse marrin pjesë shume anëtare të komunitetit, të ftuar, po dhe të huaj. Gjithashtu ka filluar të organizohen eskursione, guida e deri tek pushimet 3 ditore apo javore, ku vihet re ndërtime të reja të stilit alpin që dalëngadalë po zhvillojnë turizmin malorë familjare dhe biznesi po tregon interes, duke përmirësuar shërbimet dhe duke shtuar aktivitete të tjera të nevojshme.
Edhe njësitë vendore, në hapsirën e këtij parku, janë të mirëinformuar për rëndësinë e këtij parku në kuadër të zhvillimit të turizmit, dhe kanë afruar të gjithë ndihmën dhe eksperiencën e tyre per projekte të ndryshme në lidhje me parkun.
PK "Shebenik-Jabllanicë” menaxhohet dhe trajtohet nga AKZM, nëpërmjet AdRZM, qarku i Elbasan. Për këtë park është hartuar dhe miratuar plani i menaxhimit.