Zhvillohet takimi i dytë për Peizazhin e Mbrojtur Tokësor dhe Ujor të Lumit Buna
Në datat 22-24 Shkurt 2012, u zhvillua në Dajç të Shkodrës takimi i dytë lokal për të prezantuar detajet e planit për zbatimin e projektit dhe objektivat kryesorë për përgatitjen e planit të menaxhimi gjithëpërfshirës për Peizazhin e Mbrojtur Tokësor dhe Ujor të Lumit Buna dhe zonave ligatinore përreth. Takimi i dytë synoi në vlerësimin e dinamikave kryesore të ruajtjes së ekosistemit dhe zhvillimit të komunitetit, të cilat karakterizojnë zonat e ekosistemit që sigurojnë shërbime social-ekonomike për përdoruesit e tij.
Takimi u organizua nga Zyra e Programit për Evropën Jug-Lindore të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës – IUCN (International Union for the Conservation of Nature), në bashkëpunim me MMPAU dhe INCA, me mbështetjen financiare të Zyrës së Zhvillimit të Bashkëpunimit Italian (Italian Development Cooperation Office) të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë ne kuadër të zbatimit të projektit për fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e kapaciteteve të stafit në nivel kombëtar dhe atë lokal për procesin e planifikimit dhe menaxhimit të zonave të mbrojtura.