Takimi përmbyllës / Aktivitetë të Qëndrueshme Ekonomike në ZMD të Mesdheut
Vlorë, 3 Shkurt 2017 – Ditën e premte në ambientet e Hotel Miramare në Vlorë, INCA organizoi takimin përmbyllës të projektit "Aktivitete të Qëndrueshme Ekonomike në Zonat e Mbrojtura Detare të Mesdheut – SEA-Med” mbështetur nga WWF MedPO dhe CEPF.
Aktiviteti mblodhi bashkë të gjithë partnerët dhe bashkëpunëtorët e projektit, si përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe lokal, OJF-të lokale dhe operatorët lokal të turizmit, përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, asaj të Turizmit, AKZM, UNDP, Këshillit të Qarkut dhe Bashkisë Vlorë, Njësisë Administrative Orikum, AdRZM Vlorë, Universitetit të Vlorës etj.
Takimi synoi të risjellë në vëmëndjen e partnerëve arritjet kryesore të projektit, aktivitetet, sfidat dhe perspektivë e ardhshme. Gjithashtu gjatë aktivitetit u mbajte dhe një seancë ku çdo partner pati mundësinë të ndajë përvojën e tij në këtë projekt. Në fund të takimit u organizua një ekspozitë fotografike nga aktivitetet kryesore të projektit si dhe performanca e fëmijëve të Shkollës 9-Vjeçare Orikum me valle tradicionale të zonës, ia shtoi akoma më shumë bukurinë. Aktiviteti u përshëndet edhe nga Ansambli Polifonik Çipini me kënge tradicionale dhe bejte.