Parqet e Harkut Dinarik në Shqipëri, rezultatet dhe sfidat në të ardhmen
- Broshura PDF: Shiko dokumentin
Tiranë 5 Nëntor 2014
Përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, ekspertë të turizmit, specialistë të Zonave të Mbrojtura dhe drejtues të qeverisjes lokale u mblodhën në një takim informues për prezantimin e rezultateve dhe gjetjeve të projektit “Parqet e Harkut Dinarik” në Shqipëri.
Projekti filloi punën në muajin Tetor 2013 dhe u vu në zbatim nga organizata ndërkombëtare WWF në bashkëpunim me INCA (Instituti i Ruajtjes së Natyrës në Shqipëri) dhe Ministrinë e Mjedisit. Analiza e rezultateve u shtri në katër komponentë kryesorë: rrjeti i bashkëpunimit rajonal, komunikimi me publikun, vlerësimi i përfitimeve nga ZM si dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm.
Projekti i Parqeve Dinarike mbështeti krijimin e organizatës shqiptare të specialistëve të zonave të mbrojtura, një rrjet që bashkëpunon me kolegët e rajonit të Ballkanit Perëndimor, për menaxhim më të mirë të parqeve si dhe për promovimin e destinacionit të përbashkët – Parqet Dinarike. Duke përdorur një metodologji vlerësimi, ekspertët e WWF grumbulluan të dhëna shumëplanëshe në nivel kombëtar e lokal që do të mund të përdoren në përpilimet e planeve menaxhuese nga institucionet qendrore e lokale. Nga analiza e të dhënave rezulton se parqet kombëtare kanë një rëndësi specifike në zhvillimin ekonomik të turizmit dhe ekonomive rurale, furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm, sigurimin e energjisë përmes lëndës drusore, prodhimin blegtoral, etj.
Projekti i erdhi në ndihmë sektorit në rritje të turizmit të natyrës, me anë të publikimit dhe shpërndarjes së një broshure dygjuhëshe për destinacionet e natyrës shqiptare. Mbi 12.000 broshura promovuese u shpërndanë në pikat kufitare të hyrjes, në parqet kombëtare dhe në agjencitë e operatorëve turistikë. Promovimi i trashëgimisë së zonave të mbrojtura synon jo vetëm ruajtjen e pasurive natyrore por dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve që jetojnë pranë këtyre zonave. Aktualisht WWF po mbështet proçesin e aplikimit të Parkut Kombëtar Lugina e Valbonës pranë Federatës Europiane të Parqeve, si dhe përgatitjen e strategjise së turizmit të qendrueshëm për zonën. Kjo do ta bëjë Valbonën parkun e parë në Shqipëri, ku turizmi zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.
Z. Leon Kebe, menaxher i projektit rajonal tha në fjalën e tij se “Jemi të kënaqur të ndajmë sot me grupet e ndryshme të interesit, rezultatet e punës sonë në Shqipëri. Qëllimi ynë është të mbështesim specialistët shqiptare drejt menaxhimit efektiv të ZM, por në kushtet kur specialistët shqiptare nuk ushtrojnë detyrën e tyre në territorin e ZM, është tepër e vështirë të flasim për mbështetje, menaxhim apo arritje në sektorin e mbrojtjen së natyrës. Në vijim WWF po planifikon të punojë në projekte të zhvillimit të qëndrueshëm në disa ZM, në mënyrë që të kuptohet se mbrojtja e natyrës nuk është një dizavantazh për zhvillimin ekonomik të komuniteteve, përkundrazi është një mundësi e shkëlqyer drejt përmirësimit të jetës së banorëve lokale”.
Puna e nisur në vitin 2013 për ngritjen e rrjetit kombëtar të parqeve vijon tashme me dy projekte te tjera. Projektinë vijim i WWF në Shqipëri synon zhvillimin e një plan-menaxhimi të turizmit të qendrueshëm në Parkun Kombëtar Detar të Karaburun-Sazanit ndërsa tjetri, ndërgjegjësimin e vendimmarrësve mbi rreziqet e ndërtimit të hidrocentraleve, si i vetmi burim energjie për vendin.