Një ditë në Parkun tim
Vlorë Mars 2016 - Një tjetër komponent i projektit “Aktivitete të Qëndrueshme Ekonomike në Zonat e Mbrojtura Detare të Mesdheut-Karaburun-Sazan“ është edhe ai i edukimit. Programi i edukimit është konceptuar të mbështet në parimin e “interpretimit” dhe të zbatohet në tre faza kryesore. Ky program zbatohet për herë të parë në këtë zonë dhe ka fokus kryesor trajnimin e stafit të AdZM mbi edukimin e vlerave të parkut në brezin e ri dhe demonstrimin e këtij programi me fëmijët e shkollave.
Teknika e edukimit nëpërmjet interpretimit është një teknikë relativisht e vjetër, e përdorur gjerësisht në parqet kombëtare në USA, e cila me vonë është huazuar në të gjithë botën. Kjo teknike përdoret nga rojet e parqeve dhe stafi përgjegjës për edukimin, për të zbuluar dhe interpretuar kuptimin e vlerat natyrore dhe historike të parqeve dhe për ti përkthyer ato në një gjuhë që të gjithë vizitorët mund të kuptojnë. Kjo mënyrë e transmetimit të vlerave ndihmon vizitorët të të gjitha moshave të zbulojnë, kuptojnë dhe krijojnë një lidhje personale me vlerat e parkut. Teknika e edukimit nëpërmjet interpretimit është konsideruar veçanërisht interesante për t'u zbatuar në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, ku mbi të gjitha deri tani kanë munguar programet e edukimit të mirëfillt të zbatuara nga administrata dhe aktorë të tjerë për ketë zonë.
Programi i edukimit nëpërmjet interpretimit në Parkun Detar Kombëtar, mbështet mbi parimin e “gjithëpërfshirjes”, si një prej principeve kryesore të kësaj teknike. Programi vendos në fokus Parkun Detar Kombëtar me vlerat natyrore dhe historike të tij, speciet dhe rëndësinë e ekosistemeve duke përfshire edhe zonat përreth, Parkun Arkeologjik të Orikut, Lagunën e Orikumit dhe Qendrën e Peshkimit dhe Aktiviteteve Eko Turistike Radhimë, të cilat janë po ashtu elemente të rëndësishëm të vlerave turistike te zonës. Përmbajtja e këtij programi është e vlefshme për stafin e AdZM dhe do të shërbejë si një burim informacionin në të ardhmen dhe gjithashtu si një model dhe praktikë e vlefshme për zbatimin e kësaj praktike në të ardhmen.
Programi i edukimit është planifikuar të zbatohet në tre faza kryesore, trajnimi i stafit të AdZM Vlorë, zbatimi në terren me fëmijët e shkollës 9-vjeçare "Balil Pelari", Orikum dhe stafin e AdZM Vlorë dhe zhvillimi i ekspozitës me krijimet e fëmijëve. Përgatitja e përmbajtjes së programit është bërë në bashkëpunim me stafin e administratës dhe ekspertët e edukimit pranë INCA.
Në datë 21 Mars 2016, pranë zyrave të AdZM Vlorë, INCA zhvilloi trajnimin “Hyrje në Interpretim” me stafin e AdZM mbi teknikat e edukimit nëpërmjet interpretimit, udhëzime praktike dhe mënyrën sesi këto teknika mund të përshtaten në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Ky trajnim ishte një fazë përgatitore për të rritur performancën për stafin jo vetëm gjatë ekskursionit në zonë, por edhe për të ardhmen.
Ndërsa në datë 29 Mars, INCA dhe AdZM Vlorë, në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare "Balil Pelari", Orikum, zhvilloi ekskursionin e me teme “Një Dite në Parkun Tim!” me rreth 40 nxënës të kësaj shkolle. Gjatë ekskursionit ishin rojet e parkut ata që drejtuan ekskursionin dhe patën rolin kryesor. Rojet u treguan fëmijëve rreth punës se tyre, vlerave të parkut dhe zonave përreth në bashkëpunim me arkeologun dhe operatorin turistik. Misioni i fëmijëve në këtë ditë ishte të angazhoheshin në vlerësimin e zonës nëpërmjet punimeve artistike, bazuar në tregimin rojeve. Gjatë ekskursionit fëmijët u ndalën në tre pika kryesore, në Parkun Arkeologjik të Orikut, Lagunën e Orikumit dhe Qendrën e Peshkimit dhe Eko Turizmit Radhimë. Në çdo pikë rojet dhe stafi i AdZM treguan për zonën, historinë e saj, vlerat natyrore, speciet dhe eksositemin, duke i komunikuar ato me terma të thjeshtë dhe në mënyre interaktive.
Në fund të muajit Prill, do të zhvillohet një ekspozitë me punët artistike të nxënësve, me pjesëmarrjen e stafit të AdZM, prindërve, mëuesve të shkollës, përfaqësues të Njësisë Administrative Orikum etj.