Aktivitete

Aktivitetet

Ndiqni aktivitetet e kryera nga INCA

Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”, Nismëtar për moratoriumin ndaj HEC-eve në Shqipëri

Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”, Nismëtar për moratoriumin ndaj HEC-eve në Shqipëri

Në kuadër të nismës për kërkesën për moratorium për ndalimin e dhënies së lejeve për koncesione për HEC-e në territorin e Shqipërisë, grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”, i cili përbëhet nga organizata mjedisore të shoqërisë civile (INCA, REC Albania, EDEN, Ekolëvizja, EkoAlbania, Mileukontakt Albania, Shoqata për Bujqësinë Organike, Instituti për Politikat Mjedisore, Qendra EPER), organizuan në datë 16.07.2015, një konferencë për shtyp me qëllim lançimin e kësaj nisme dhe prezantimin e qëllimit dhe aktiviteteve të nismës.

Rritja e përdorimit të ujit për prodhimin e energjisë elektrike është një nga trendet e zhvillimit në mbarë rajonin në ditët e sotme. Sipas raportit të vitit 2003, të Zhvillimit Botëror të Ujit të Kombeve të Bashkuara, 60% e 227 lumenjve më të mëdha botërore janë të fragmentuar rëndë nga digat, devijimet dhe kanalet e ndërtuara me qëllimin e ndërtimit të HEC-eve apo përdorimit të ujërave të lumenjve në bujqësi, industri apo furnizim me ujë të pijshëm, që çojnë në degradimin e ekosistemeve të cilat luajnë një rol thelbësor në filtrimin dhe sigurimin e burimeve e ujërave të ëmbla. Megjithëse kjo mënyrë e prodhimit të energjisë është klasifikuar si burim energjetik i rinovueshëm, një numër marramendës i HEC-eve (rreth 499, burimi AKBN) planifikohet të ndikojnë negativisht në ekosistemet natyrore, duke përfshirë edhe zonat e mbrojtura me vlera të larta, të tilla si parqet kombëtare natyrore. Ndonëse këto zona janë ligjërisht të mbrojtura ndaj zhvillimit të hidrocentraleve, ka shumë shembuj të HEC-eve që janë në punë ose që po ndërtohen në parqet kombëtare (p.sh. HEC-et në parqet e Shebenik-Jablanicës, Valbonës, Lurës, Bredhi i Hotovës, Bënçës, etj.) duke ndikuar negativisht në vlerat natyrore të këtyre zonave deri në degradimin e tyre, vlera që ndikojnë në atraksionin që këto zona ofrojnë dhe në zvogëlimin e vizitorëve të tyre.

Këto çështje të rëndësishme që janë pjesë e planifikimit dhe menaxhimit të integruar të territorit e në veçanti të zonave të mbrojtura natyrore, që tërheqin vëmendjen e të gjithë publikut e në veçanti të atyre që e duan natyrën e bukur shqiptare me vlerat e saj të rralla dhe papërshkrueshme, janë tashmë çështje të nxehta kur prishen ekuilibrat natyrorë, kur bëhen burime konfliktesh komunitare, kur ndryshojnë rrjedhën natyrore të lumit apo kur shkatërrojnë një shpat mali a kodre për interesa të ngushta dhe në dëm të zhvillimit të shoqërisë.

Për të realizuar mbrojtjen dhe menaxhimin me kritere pro mjedisore dhe pro zhvillimit të qëndrueshëm, grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” ka ndërmarrë nismën për t’i kërkuar moratorium lidhur me ndërtimin e veprave energjetike në lumenjtë e Shqipërisë për një periudhë 3 vjeçare. Moratoriumi kërkohet para së gjithash për ndalimin e dhënies së licencave për koncesione për HEC-e në të gjithë territorin e vendit. Ky moratorium do të shërbejë për të analizuar situatën aktuale të koncesioneve dhe kushteve të zbatimit të tyre në përputhje me kërkesat ligjore të zhvillimit të territorit si dhe kërkesat e zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor. Kjo nismë do të shërbejë në përmirësimin e kuadrit ligjor, zbatimit të praktikave të mira për koncesionet dhe ruajtjen e mjedisit, si dhe për integrimin e konventave dhe direktivave evropiane në dokumentet strategjike kombëtare sikurse janë Strategjia Kombëtare e Ujit, Strategjia Kombëtare e Energjisë, Vlerësimin Strategjik Mjedisor për Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe Planet Kombëtare Sektoriale, zbatimi i ligjit për menaxhimin e integruar të burimeve ujore që është përafrim i direktivës kuadër të ujit të KE, etj., dokumente të cilat janë tashmë në fazat e zhvillimit të tyre.
Në mënyrë më specifike gjatë periudhës së moratoriumit do të nevojitet të rishikohen, pezullohen dhe anulohen të gjitha licencat e dhëna deri më sot në zonat e mbrojtura dhe zonat sensitive lumore me potenciale të larta natyrore me prani të monumenteve natyrore në to. Rishikimi i veprave hidrike mbi lumin Vjose, HEC-i i Kalivaçit, Lengaricës dhe Bënçës janë një prioritet, qëkurse kryeministri i vendit është shprehur për angazhimin qeveritar për ta kthyer lumin Vjosa në Park Kombëtar. Por jo vetëm mbi lumin Vjosë, pasi ka ende koncesione që janë dhënë dhe nuk janë vënë në zbatim dhe që ndikojnë në zonat e mbrojtura natyrore si në lumin e Valbonës, në zonën e Shebenik-Jablanicës, në zonën e Korabit, në zonën e malit të Tomorrit, etj.

Askush nuk thotë “JO” për zhvillimin e shoqërisë, për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit, për përdorimin efektiv të burimeve natyrore, por i themi ”JO” zhvillimit pa kritere që sjell pasoja katastrofike në mënyrën e menaxhimit të burimeve natyrore.

 

 
logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: