Fuqizimi i OMSHC-ve për promovimin e mbrojtjes së natyrës në Shqipëri
Përmet - 22 Qershor 2016 - Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMSHC) Shqiptare për promovimin e mbrojtjes së natyrës në Shqipëri”, mbështetur nga programi ACHIVE, INCA organizoi një tavolinë të rrumbullakët në Përmet.
Qëllimi i kësaj tavoline ishte inkurajimi i pjesëmarrjes së gjërë lokale në ndërmarrjen e iniciativave të përbashkëta që synojnë përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore në vend, zbatimin e legjislacionit horizontal përkatës në fuqi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit mjedisor, si dhe nxitjen dhe krijimin e partneriteteve midis administratave lokale dhe qendrore dhe shoqërise civile lokale.
Zona pilot që u mor në konsiderat në këtë takim ishte Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”. Në takimin me përfaqësues të pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria e Mjedisit (Bashkia Përmet), përfaqësues të Njësive Administrative (Piskovë dhe Petran), nga Shoqata e Përdorimit të Pyjeve, sekretari i Shoqatës së Gjuetarëve (Përmet), OJF aktive lokale mjedisore nga Gjirokastra dhe Përmeti, Inspektoriati i Pyjeve Gjirokastër, përfaqësues nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Gjirokastër, stafi i parkut kombëtar si dhe kryetari i Shoqatës Kombëtare të Parqeve në Shqipëri.
Drejtori Ekzekutiv i INCA-s informoi shkurtimisht të pranishmit lidhur me qëllimin e programit në mbështetje të OShC-ve mjedisore me fokus ngritjen e kapaciteteve të tyre si dhe besueshmërinë në komunitetet vendore ku ushtrojnë veprimtarinë për të qenë të aftë që të punojnë në mënyrë profesionale dhe të qëndrueshme duke adresuar – në bashkëpunim dhe me aktorë shtetërorë respektiv – çështjet mjedisore deri në nivel politikash. Në kuadër të këtij programi INCA do të kontribojë në përforcimin e rolit të OJF-ve në zonë, duke ndërmjetësuar pjesëmarrjen e suksesshme të publikut në procesin e monitorimit të zbatueshmërisë së legjislacionit në fuqi, duke siguruar që mendimet dhe pikëpamjet e tyre të merren në konsideratë.
Tavolina e rrumbullaket shërbeu njëkohësisht dhe si një arenë diskutimesh dhe shkëmbimit të mendimeve, por edhe shprehjes së shqetësimeve dhe problematikës me të cilat pushteti vendor, agjencitë rajonale dhe komuniteti lokal përballet dhe është dëshmitar çdo ditë.
Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri ndërhyrja e përfaqësuesit të Shoqatës “Çajupi” Gjirokastër, i cili shpalosi përpara të pranishmeve një situatë reale kritike në zonën e Gjirokastrës dhe Përmetit, lidhur me krimin dhe korrupsionin mjedisor.
Të pranishmit në këtë tavolinë nuk hezituan të drejtonin gishtin dhe të përmendnin fakte konkrete që hidhnin dritë mbi gjuetinë e paligjshme në zonë si dhe mbi robërimin e faunës së egër jashtë çdo standarti dhe kontrolli shtetëror.
Jo me pak aktiv në këtë diskutim ishin edhe vetë përfaqësuesit e Drejtorisë së Mjedisit pranë Bashkisë Përmet, të cilët pranuan situatën, por njëkohësisht edhe pamundësinë teknike dhe institucionale për t’i bërë ballë asaj. Ajo që ata theksuan në veçanti ishte mangësia e mos përcaktimit të qartë të rolit të pushtetit vendor lidhur me kompetencat dhe përgjegjësitë për menaxhimin dhe administrimin e pyjeve dhe burimeve natyrore.
Mungesa e një bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes pushtetit vendor dhe shoqërisë civile në zonë ishte një nga problemet që u theksua dhe u nënvizua disa herë nga përfaqësuesit e OJF-ve lokale prezente në këtë takim. Jo pak herë OJF-të lokale e ndienin veten të anashkaluar edhe nga iniciativave të tjera të OJF-ve kombëtare që merreshin me mbrojtjen e burimeve natyrore në lokalitetin e tyre, por që organizoheshin në Tiranë pa prezencen dhe involvimin e OJF-ve në vendin e origjinës së problemit, duke përmendur me këtë rast dhe çeshtjen e HEC-ve në lumin e Langaricës.
Në këtë tavolinë u gjenden përballë njëri tjetrit menaxherët aktual të Parkut Kombëtar “Bredhi Hotovës-Dangëlli” me ish punonjës të këtij parku ndër vite apo dhe specialistë të vjetër pyjesh, të cilet sot për shak të moshës dhe arsyeve të tjera subjektive nuk punojnë më për këtë park. Por ata me pasionin dhe dashurinë për parkun nuk i qëndrojnë larg përgjegjësisë qytetare për ta mbrojtur dhe promovuar atë. Në këtë përballje mes specialistëve të zonave të mbrojtura u renditën një sërë problemesh dhe vështirësish me të cilat menaxhimi i Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli” po përballet. Këto vështitrësi fillojnë që nga mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe teknike, pozicionimi gjeografik i vetë zyrave të AdZM-së dhe stafit që duhet të menaxhojë dhe monitorojë Parkun, deri tek autoriteti i cunguar i këtyre punonjësve, mungesës së fondeve dhe logjistikës së nevojshme që mundëson kotrollin, monitorimin dhe inspektimin e parkut.
Në takim nuk u la pa përmendur edhe fakti se struktura institucionale aktuale për menaxhimin e zonave të mbrojtura tashmë ka ndryshuar dhe nuk është si e mëparshmja, por ka një shtyllë kurrizore e cila dalëngadalë do të plotësohet me të gjithë kuadrin e nevojshem institucional teknik, financiar dhe logjistik në mbështetje të zbatimit të ligjit të rishikuar për Zonat e Mbrojtura, i cili së shpejti do të dërgohet në parlament për miratim.
Takimi u mbyll me dëshirën dhe angazhimin e të gjithë të pranishmëve për të bashkuar forcat së bashku për ngritjen e grupeve të punës, trajnimit të tyre mbi legjislacionin në fuqi dhe aplikimin e inspektimeve monitoruese në terren për zbatueshmërine e tij në praktikë.
Tavolina e rrumbullakët synoi të hidhte themelet e para për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në zonë dhe vendosjen e urave të para të bashkëpunimit mes tyre dhe stafeve të rinj të AdZM Gjirokastër dhe strukturës në ndërtim të Bashkisë Përmet, bazuar në ndarjen e re administrative të territorit të vendit.