Aktivitete

Aktivitetet

Ndiqni aktivitetet e kryera nga INCA

Dita Verës në Parkun Kombëtar Prespë

Dita Verës në Parkun Kombëtar Prespë

20 Dhjetori shënoi Ditën e Verës për prodhuesit e verës në zonën e Korçës. Për të festuar këtë ditë, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) dhe organizata lokale Green & Cleen Korçë, në bashkëpunim me Komunën Pustec dhe administratatën e Parkut Kombëtar Prespë, organizuan në zonën e Parkut Kombëtar Prespë një ceremoni festive. Ky aktivitet u organizua në kuadër të programit SENiOR-A, i zbatuar nga REC-Albania dhe financuar nga Qeveria Suedeze.

Aktiviteti kishte si qëllim promovimin e vlerave natyrore të zonës të cilat ndërthuren me ato kulturore e njerëzore si dhe vendosjen e theksit mbi traditat e larmishme që mbart zona dhe komuniteti i Parkut Kombëtar Prespë, ruajtjen e qëndrueshme të këtyre vlerave kulturore dhe natyrore dhe promovimin e tyre në vazhdim.

Kjo festë tashmë është shndërruar në një ritual tradicional në zonë dhe zhvillohet në fund të vitit, kur vera merret nga fuçitë dhe përgatitet për përdorim gjatë dimrit dhe vitit të ardhshëm. Kjo festë ka zgjuar interesin dhe pjesëmarrjen e komunitetit të zonës dhe rajoneve përreth për mundësitë marketuese që ofron në këtë periudhë të vitit.

Një vend të veçantë në aktivitetet e organizuara e zuri konkursi për verën më të mirë nga prodhuesit e zonës. Prodhimet konkuruese u hodhën në shishe me etiketa dhe numra, ku secili numër i përkiste një emri të prodhuesit që merrte pjesë në konkurs. Paraprakisht u ngrit një juri prej 5 vetash me antarë nga shoqëria civile, pushtetit vendor, përfaqësues të komunitetit dhe administratës së parkut. Fituesve të konkursit iu shpërndanë çmime simbolike.

Pjesë e aktiviteteve ishte edhe takimi i katërt i Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës. Në të morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë organizatave përbërëse të rrjetit: INCA-Tiranë, Green&Clean-Korçë; Mbrojtja e Mjedisit-Kukës; Miqësia-Ulëz; Adriatiku-Vlorë; Iliria-Tiranë; Forumi Shqiptar Liqeni i Shkodrës-Shkodër. Në takim u diskutuan ecuria e deri tanishme e veprimtarisë së rrjetit, raportimi i punës nga secila organizatë anëtare, si dhe hartimi i programeve për vitin 2014.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: