Aktivitete

Aktivitetet

Ndiqni aktivitetet e kryera nga INCA

Dita Botërore e Ujit – Uji dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm

Dita Botërore e Ujit – Uji dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm

Tiranë 21 Mars 2015

Me rastin e Ditës Botërore të Ujit (22 Mars 2015), Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, INCA, në bashkëpunim me Rrjetin për Mbrojtjen e Natyrës si dhe i mbështetur nga projektet SENiOR-A (Mbështeteje për Organizatat mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri) dhe DASHI (Iniciativa e Hidrocentraleve të Qëndrueshëm në Harkun Dinarik), organizoi në ambientet e Hotel Tirana International tryezën e rrumbullakët “Uji dhe zhvillimi i qëndrueshëm”. Tryeza u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të kësaj dite dhe në vazhdimësi të bashkëpunimeve të organizatave të shoqërisë civile për çështjet mjedisore të menaxhimit të ujërave.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, të Ministrisë së Mjedisit, Sekretariati Kombëtar Teknik i Ujërave, Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës, organizatave të shoqërisë civile, media etj.

Uji është jeta dhe cilësia e tij është një matje esenciale e cilësisë së jetës ose më qartë e ekzistencës së jetës. Ujërat e ëmbla janë një burim thelbësor për bujqësinë, industrinë dhe vet ekzistencën e njerëzimit. Pa ujë të ëmbël, zhvillimi i qëndrueshëm sasior dhe cilësor nuk do të ishte i mundur. Ujërat janë një pasuri natyrore me rëndësi të veçantë në spektrin e pasurive natyrore të një vendi. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj pasurie natyrore dhe rolin e madh që luan uji në zhvillimin e jetës në tokë dhe të ekonomisë së një vendi theksojmë se ujërat kanë lidhje të ngushtë me shumë procese fizike dhe dinamike të tij në tokë. Ato marrin pjesë në krijimin, shkatërrimin dhe ndryshimin e mineraleve, në erozionin e sipërfaqes së tokës, në formimin e karsteve, në transportimin e substancave në formë depozitimesh në det si dhe në rishpërndarjen e kripërave në sipërfaqen e tokës.

Duke u nisur nga rëndësia e ujit për jetën në këtë tryezë të rrumbullakët u diskutuan ndikimet e zhvillimit urban e mjedisor tek ujërat duke pasur si synim kryesor nxitjen e sjelljes proaktive të shoqërisë civile në procesin e menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave, si dhe në pjesëmarrjen aktive të shoqërisë në proceset e diskutimeve publike për projekte dhe investime të qëndrueshme në dobi të ekonomisë dhe mjedisit.

Në takim u prezantuan projektet dhe aktivitetet e zhvilluara nga shoqëria civile nëpërmjet organizatave të saj në fushën e menaxhimit, zhvillimit të kuadrit ligjor si dhe evidentimit të ndikimeve të zhvillimit ekonomiko-social në burimet natyrore ujore të vendit si dhe në mënyrën e menaxhimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tyre.

Ndikimet e përmendura nga diskutimet u fokusuan në ndikimet në përdorimin e ujërave të lumenjve për ndërtimin e HEC-eve, për përdorimin për bujqësinë, ndotjen e tyre nga hedhja në to e mbetjeve të ngurta dhe të lëngëta të papërpunuara në brigjet dhe ujërat e lumenjve, në moszbatimin korrekt të pjesëmarrjes së publikut në menaxhimin e baseneve ujore si dhe në moszbatimin korrekt të kuadrit ligjor të monitorimit të gjendjes së ujërave dhe të inspektimit të aktiviteteve që janë të lidhura me përdorimin e tyre.

Theksi më i madh në këtë diskutim iu vu ndikimit të ndërtimit pa kritere strategjike të HEC-eve në rrjedhat ujore të lumenjve dhe përrenjve duke hedhur idenë e hartimit të një kërkese për moratorium për ndërprerjen e procesit të dhënies së koncesioneve për ndërtimin e tyre për një periudhë tre vjeçare. Qëllimi i kësaj ideje është ndalimi i ndërtimit pa kriter të HEC-eve dhe përmirësimit gjatë kësaj kohe të kuadrit ligjor të menaxhimit të integruar të burimeve ujore duke hartuar aktet nënligjore të nevojshme dhe duke forcuar pozitat e institucioneve qendrore dhe lokale në mënyrën e menaxhimit dhe dhënies së leheve për përdorim dhe shfrytëzim të burimeve ujore.

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri — INCA është një organizate jo qeveritare, e ngritur në Qershor të vitit 2000, dhe e regjistruar si e tille nga Gjykata e Tiranës në vitin 2004, me vendimin Nr. 1087. INCA ka zyrën e saj në Tiranë, por vepron në të gjithë territorin e Shqipërisë. INCA ka si qëllim kryesor të japë ndihmesën e saj në fushën e formimit profesional nëpërmjet trajnimeve dhe procesit të pjesëmarrjes, në ruajtjen e mjedisit, në mbrojtjen e vlerave natyrore dhe zhvillimin rajonal, mbrojtjen e florës dhe të faunës, vlerësimin e diversitetit biologjik, menaxhimin e zonave të mbrojtura, rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe vendimmarrësve politik, dhe të ndërmarrë masa mbrojtëse kur është e mundur dhe e nevojshme për mbrojtjen e llojeve dhe habitateve të tyre kritike. Detyra e Institutit është gjithashtu të integroje ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit me të gjitha çështjet e tjera ose fusha të shkencës që kane një ndikim në burimet natyrore në vend. Instituti është pjesë e procesit të përmirësimit të legjislacionit dhe të problematikave të tjera të lidhura me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve mjedisore Shqiptare, si dhe integrimin Evropian.

INCA është organizata drejtuese e Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës.

 

Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës është krijuar në kuadër të projektit SENiOR-A (Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri) me financim të Qeverisë Suedeze dhe asistencë të REC-Albania. Ai përbëhet nga 7 organizata të cilat kanë një shpërndarje në të gjithë Shqipërinë, INCA (Tiranë), Iliria (Tiranë), Adriatik (Vlorë), Green & Clean (Korçë), Mbrojtja e Mjedisit (Kukës), Miqësia (Ulëz), FSLSH (Shkodër) dhe Çajupi (Gjirokastër). Organizatat veprojnë në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe kanë eksperienca të mëparshme me zonat e mbrojtura.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: