21 Qershori, Dita e Liqenit të Shkodrës
Më 21 Qershor në kuadër të “Ditës së Liqenit të Shkodrës”, forumi Shqiptar i Liqenit të Shkodrës (FSLS) në bashkëpunim të ngushtë me INCA, organizoi një aktivitet ndërgjegjësues për “Pastrimin e Liqenit në ditën e tij”.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi i komunitetit për ruajtjen e mjedisit ku ne jetojmë gjithashtu dhe të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive ujore si Liqeni i Shkodrës. Aktiviteti synonte gjithashtu ruajtjen e cilësisë së ujit dhe mbajtjen pastër të zonës turistike përgjatë brigjeve të Liqenit të Shkodrës. Në të morën pjesë nxënës, studentë dhe pedagogë të ndryshëm, përfaqësues të organizatave të ndryshme mjedisore, përfaqësues të organizatave të rrjetit Për Mbrojtjen e Natyrës etj. Në fjalën e tij Z. Hoti u shprehu rëndësinë e Ditës së Liqenit, projektet dhe vendimet që janë marrë për shpalljen dhe mbrojtjen ndërkufitare të Liqenit.
Mbas takimit u zhvillua një aktivitet artistik kushtuar mbrojtjes së mjedisit të përgatitur nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”. Më pas aktivitetet vijuan me pastrim përgjatë brigjeve të liqenit.
Nisur nga vlerat e gjithanshme të Liqenit të Shkodrës, nga projektet e ndryshme dhe nga marrëveshjet e bashkëpunimet me Ministritë përkatëse, është vendosur që e shtuna e tretë e qershorit të shpallet si Dita e Liqenit të Shkodrës.