Trajnim - Ndikimi në politikat e ruajtjes së natyrës nëpërmjet advokim-lobimit efektiv

Trajnim - Ndikimi në politikat e ruajtjes së natyrës nëpërmjet advokim-lobimit efektiv

Njoftim për Shtyp

 

Trainim Kombëtar

 

Tiranë - 25 Prill 2019 - Shqipëria ka një potencial dhe diversitet të lartë biologjik, por ajo po vuan dëme të mëdha të cilat në shumë raste janë të pakthyeshme. Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Shqipëri ende nuk është integruar siç duhet në politikat kombëtare dhe lokale. Përfshirja e komuniteteve lokale dhe të OMShC-ve në vendimmarrje dhe menaxhimin e burimeve natyrore dhe të zonave të mbrojtura është e pamjaftueshme. Kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikës së mjedisit dhe ruajtjes së natyrës dhe lehtësisht çon në konflikte dhe keqkuptime të panevojshme.

Organizatat e Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMShC) shihen sot si forca lëvizëse për transformimin e shoqërisë në kontekstin e një zhvillimi të qëndrueshëm sa me miqësor me mjedisin. Disa prej tyre kanë potenciale të mira për të zhvilluar dhe për të mbrojtur interesat e shoqërisë. Megjithatë, për t'u përfshirë vërtet në hartimin e politikave të ruajtjes së natyrës, OMShC-të duhet të rritin më tej kapacitetet dhe burimet e tyre. 

Në këtë kuadër OMShC-të duhet të luajnë një rol aktiv dhe efektiv në planifikimin dhe zbatimin e masave të ruajtjes së natyrës dhe angazhimin e palëve të tjera të interesit për vendimmarrje koherente. OMShC-të, duhet të formojnë një mesazh bindës mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës, të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore për politikë-bërësit, subjektet dhe komunitetin, por ne të gjithë mund të përfitojmë, duke mësuar nga përvojat e të tjerëve edhe nga mjetet që na ndihmojnë të mendojmë dhe veprojmë në mënyrë strategjike. 

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) kanë nisur zbatimin e projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”. Projekti financohet nga Komisioni Evropian në kuadër të programit “Mbështetje për kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile”.

Grupet e synuara në këtë projekt përfshijnë (i) organizatat mjedisore të shoqërisë civile, (ii) autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e natyrës, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe menaxhimin e ZM-ve në të gjitha nivelet e qeverisjes, (iii) sektorin privat, komunitetet ku janë vendosur ZM-të e synuara dhe v) mediat lokale dhe kombëtare.

Një nga elementet kryesorë të projektit është edhe përgatitja e doracakut “Ndikimi në politikat e fushës së ruajtjes të natyrës nëpërmjet advokim-lobimit efektiv”, i cili do t’i vijë në ndihmë OMShC-ve me disa orientime dhe këshilla mbi praktikat më të mira, për të ndikuar proceset vendimmarrëse, për çështjet e natyrës dhe mjedisit, në nivel kombëtar dhe lokal.

OMShC-të e përfshira në këtë projekt, përmes programeve të minigranteve, krahas vijimit të procesit të ngritjes së kapaciteteve të tyre, të promovimit të natyrës, të forcimit të rolit dhe të rritjes së bashkëveprimit konkret me komunitetet, palët e tjera të interesuara, po ndërmarrin iniciativa, duke u përfshirë më mirë në proceset e advokimit, lobimit dhe reagimit ndaj problematikave të ruajtjes së natyrës e të biodiversitetit, në nivel lokal dhe kombëtar; duke rritur presionin dhe pjesëmarrjen e tyre në qeverisjen e qëndrueshme të burimeve natyrore, nëpërmjet pjesëmarrjes, sensibilizimit dhe informimin e medias, anëtarëve të këshillave bashkiake, të komisioneve përkatëse lokale, rajonale dhe të Kuvendit të Shqipërisë. Pa veprime të koordinuara ndërmjet OMShC-ve, përpjekjet nuk do të marrin efektin e nevojshëm; prandaj bashkëpunimi i tyre është vendimtar. Një praktikë efektive për këto procese është që OMShC-të duhet të rrjetëzohen, të ndajnë informacione apo/dhe të formojnë koalicione. Veprimi i bashkërenduar dhe ndarja e punës është diçka që do të ndihmojë të mbulojë një gamë të gjerë aktivitetesh, si përgatitja e deklaratave me shkrim, takimi me institucionet përgjegjëse, inicimi i peticioneve, organizimi i ngjarjeve mediatike, tubime, etj. Është një udhëzues specifik i ndërthurur mes instrumenteve të komunikimit, advokim, lobimit, adresimit e reagimit, nëpërmjet aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe edukuese, për një pjesëmarrje më të gjerë dhe aktive të përfaqësuesve të komuniteteve lokale, të forumeve të ndryshme vendimmarrëse, për të minimizuar problematikat dhe për të nxitur menaxhimin e përbashkët të burimeve dhe peizazhit natyror. Doracaku ndihmon me informacione dhe mjete relevante për të mundësuar që të zhvillohet e hartohet një Strategji të advokim-lobimit sa më efektive. Mjetet e parashtruara nxisin të mësuarit e OJF-ve dhe të partnerëve për të rritur përpjekjet e tyre për të advokuar e lobuar në një mjedis të përshtatshëm, për të rritur presionin mbi vendimmarrësit, duke përfshirë zhvillimin dhe zbatimin e politikave të fushës së ruajtjes të natyrës, nga OShC-të dhe nga ekspertët, të cilët kanë qenë të suksesshëm në advokim-lobim.

Trajnimi Kombëtar “Ndikimi në politikat e ruajtjes së natyrës nëpërmjet advokim-lobimit efektiv”, kishte për qëllim ngritjen e kapacitetve të OMShC-ve për praktikat më të mira të advokimit në fushën e ruajtjes së natyrës. Objekti i këtij trajnimi ishte njohja e OMShC-ve, autoriteteve përgjegjëse për ruajtjen e natyrës dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura mjedisore, në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe mediave, me doracakun “Ndikimi në politikat e fushës së ruajtjes të natyrës nëpërmjet advokim-lobimit efektiv”. Trajnimi shërbeu edhe si një tryezë komunikimi me OJF-të lokale për të diskutuar rreth rrjetëzimit të tyre, për hartimin e planit të advokim-lobimit, si dhe rritjes së rolit dhe fuqizimit të aftësive të OMShC-ve, në zbatimin e legjislacionit, në luftën kundër korrupsionit dhe minimizimin e ndikimeve negative në menaxhimin e burimeve natyrore dhe të zonave të mbrojtura.

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: