Takimi i hapjes së projektit "Fuqizimi i OMSHC-ve për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri"
Tiranë, 28 Shtator 2018 - Takimi i hapjes së projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”
Shqipëria ka një potencial dhe diversitet të lartë biologjik, i cili po vuan dëme të mëdha në vitet e fundit dhe në shumë raste të pakthyeshme. Natyra në Shqipëri është shumë e fragmentuar dhe e paaftë për të reaguar në mënyrë efektive ndaj presioneve të reja dhe kërcënimeve të vazhdueshme, duke përfshirë prerjet ilegale, peshkimin, gjuetinë, turizmin dhe aktivitetet rekreative masive të pakontrolluar, erozionin tokësor e bregdetar, zjarret, ndikimet e ndryshimeve klimatike, ndotjet e mbeturinat, shkakrimi i patrajtuar i ujërave të zeza dhe të përdorura; ndërtimi i HEC-ve, guroreve dhe i infrstrukturës; mosnjohja dhe zbatimi i dobët të ligjit dhe qasjet e paefektshme në disa raste të menaxhimit në praktikë. Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Shqipëri ende nuk është integruar siç duhet në politikat kombëtare dhe lokale.
Përfshirja e komuniteteve lokale në vendimmarrje dhe menaxhimin e burimeve natyrore dhe të zonave të mbrojtura është e pamjaftueshme. Kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikës së mjedisit dhe ruajtjes së natyrës dhe lehtësisht çon në konflikte dhe keqkuptime të panevojshme. Ekziston një nevojë e fortë për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në ngritjen e kapaciteteve dhe ndihmën për krijimin e bashkëpunimit me pushtetin lokal dhe administratat rajonale të zonave të mbrojtura (ZM). Shpesh ky rol pengohet nga mungesa e kapaciteteve të duhura dhe aftësive të komunikimit.
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) kanë nisur nga zbatimi projektin “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri”. Projekti financohet nga Komisioni Evropian në kuadër të programit “Mbështetje për kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile”.
Projekti synon të rrisë dhe fuqizojë aftësitë dhe rolin aktiv të Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMSHC) në zbatueshmërinë e legjislacionit, në luftën kundër korrupsionit dhe minimizimin e ndikimeve negative në mirëmenaxhimin e burimeve natyrore dhe zonave të mbrojtuara; të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet OMSHC-ve dhe autoriteteve publike, komuniteteve lokale dhe mediave, si dhe të nxisë rrjetëzimin dhe ndërtimin e partneritetit mes tyre. Projekti merr në konsideratë 4 zona pilote: Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, Parkun Natyror të “Kune- Vain-Tale” si dhe zonën detare të Porto Palermos.
Grupet e synuara në këtë projekt përfshijnë (i) Organizatat mjedisore të shoqërisë civile, (ii) autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e natyrës, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe menaxhimin e ZM-ve në të gjitha nivelet e qeverisjes, (iii) sektorin privat, komunitetet ku janë vendosur ZM-të e synuara dhe v) mediat lokale dhe kombëtare.
Advokimi dhe lobimi për të përmirësuar transparencën e vendimmarrjes mbi përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore do të jetë thelbi i kësaj iniciative. Aktivitetet e projektit do ti shërbejnë këtij qëllimi kryesor, duke vepruar në tre drejtime kryesore: 1) Ngritjen e kapaciteteve të një rrjeti OMSHC-së; 2) përcaktimin e mesazhit advokues për të përmirësuar transparencën e vendimmarrjes mbi përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore; dhe 3) sigurimin e një platforme për dialog të fuqishëm mes të gjitha grupeve të interesit: OMSHC, media, autoritetet qeveritare, investitorët e sektorit privat dhe institucionet financiare. Gjatë zbatimit të projektit do të nxitet rrjetëzimi mes OMSHC-ve lokale, krijimi i forumeve lokale si dhe bashkëpunimi me mediat lokale dhe kombëtare.
Partnerët e këtij projekti do të angazhohen në ngritjen e kapaciteteve të OMSHC-ve përmes aplikimit të një pakete trajnimi, e cila do të kombinojë si informacionin mbi paketat legjislative në fuqi me fokus
përdorimin dhe menaxhimin e burimeve natyrore ashtu edhe metodata dhe mundësite për advokim dhe pjesëmarrje të publikut të gjerë në vendim-marrje.
Në kuadër të projektit do të përgatitet një vlerësimin i nevojave për kuadrin rregullator të pjesëmarrjes publike në procesin e vendimmarrjes për përdorimin dhe menaxhimit e burimeve natyrore dhe ZM.
Projekti do të aplikoj një program grantesh në shkallë të vogël, që do të ofroj mbështetje për OMSHC-të lokale në katër zonat pilote, për të përmirësuar kapacitetin dhe autonominë e tyre, për t'u angazhuar në advokime dhe konsultime publike, që synojnë rritjen e transparencës në proceset vendimmarrëse lidhur me ruajtjen e natyrës, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura.
Një vend të veçantë në projekt do të zërë edhe bashkëpunimi dhe rritja e kapaciteteve profesionale të përfaqësuesve të medias lokale, gjë e cila pritet të ndihmojë në fuqizimin e marrëdhënieve me Median.
Takimi i sotëm kishte për qëllim prezantimin e objektivave dhe rezeltutateve të pritshme të projektit si dhe informimin dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës me Organizatat e Shoqërisë Civile rreth ndikimeve direkte dhe indirekte që do të ketë zbatimi i projektit në forcimin e kapaciteteve tëtyre.