QËNDRIM NË LIDHJE ME PROJEKTLIGJIN "PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 81/2017 “PËR ZONAT E MBROJTURA"

QËNDRIM NË LIDHJE ME PROJEKTLIGJIN "PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 81/2017 “PËR ZONAT E MBROJTURA"

QËNDRIM NË LIDHJE ME PROJEKTLIGJIN "PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 81/2017 “PËR ZONAT E MBROJTURA"

Ne, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë në fushën e ruajtjes së natyrës, jemi njohur me projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 "Për zonat e mbrojtura". Pasi kemi dëgjuar me vëmendje edhe prezantimin e projektligjit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, si edhe qëndrimet e pjesëmarrësve në këtë komision, ne shprehim qëndrimin tonë si më poshtë:

Ky projektligj bie ndesh me qëllimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Amendimet e propozuara, nëse miratohen, krijojnë kushte që me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), të lejohet brenda kufijve të zonave të mbrojtura  ndërtimi i veprave të mëdha infrastrukturore (si HEC-e, nxjerrja e hidrokarbureve, ndërtime të karakterit urban etj.) që tjetërsojnë, shfrytëzojnë intensivisht dhe degradojnë ekosistemet natyrore, duke cënuar kësisoj, thelbin e ligjit për zonat e mbrojtura si sipërfaqe territoriale në të cilat ekosistemet natyrore dhe jeta e egër duhet të mbrohen pikërisht nga investimet e sipërpërmendura.

Në vijim, në projektligj, propozohet menaxhimi i të paktën 20% i sipërfaqes së zonës së mbrojtur nga bashkitë përkatëse, pa përshkruar saktësimet e nevojshme mbi mënyrën dhe qasjen se si kjo sipërfaqe do të caktohet, hartëzohet dhe menaxhohet, duke lënë të hapur marrjen në menaxhim edhe të 100% të një zone të mbrojtur nga bashkia përkatëse. Zhvendosja e kompetencave menaxhuese në varësi të interesit të çdo bashkie, cënon interesin kombëtar që ekziston për ruajtjen e këtyre hapësirave të ruajtura pikërisht për vlerat dhe veçoritë që kanë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Projektligji propozon heqjen e zonimit apo mospërcaktimin e nënzonave me regjim të ndryshëm menaxhimi brenda sipërfaqes tërësore të një zone të mbrojtur. Ky amendim, shkel hapur udhëzimet e  Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) të cilat janë përfshirë në ligjin aktual për zonat e mbrojtura. Heqja e zonimit e bën praktikisht të pamundur zbatimin e planeve të menaxhimit dhe ruajtjen e llojeve që rrezikohen në mënyrë kritike për zhdukje. Ndërkaq, krijon kushte edhe për përjashtimin e komunitetit lokal nga përdorimi dhe vendimmarrja në zonat e mbrojtura.

Ky projektligj, nëse miratohet, hedh poshtë gjithë investimin dhe punën e bërë ndër dekada për konsolidimin dhe mirë-administrimin e zonave të mbrojtura në vend, proces që është mbështetur nga një numër i madh donatorësh dhe grupesh interesi, duke përmendur këtu veçanërisht Bashkimin Evropian, shtetin shqiptar dhe shoqërinë civile.

Ne, grupimi i poshtëshënuar i organizatave të shoqërisë civile, shprehim kundërshtinë tonë të thellë me këtë projektligj dhe kërkojmë që të mos kalojë për votim në Parlamentin e Shqipërisë. Ligji aktual i zonave të mbrojtura dhe instrumentat ligjorë ekzistues për menaxhimin e zonave të mbrojtura janë mjaftueshmërisht të duhura për administrimin dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura nëse do të ketë një zbatueshmëri të plotë, apo më të mirë të tyre. Çdo propozim i mundshëm për ndryshimin e këtij ligji duhet të vijë vetëm pas një analize të thelluar të zbatueshmërisë së ligjit aktual dhe evidentimit të nevojave faktike për ndryshim, gjithmonë pa cënuar parimet bazë të qëllimit dhe funksionalitetit të zonave të mbrojtura dhe pas një procesi konsultimi shumë të gjerë dhe gjithëpërfshirës me palët e interesit dhe ekspertët e ruajtjes së natyrës në vend.

 

Organizata: 

- Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, IUCN Albania

- Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, Birdlife Albania

- Organizata Iliria 

- Qëndra Shpendët e Shqipërisë 

- Qëndra Uja

- Qëndresa Qytetare 

- Qëndra Wellpoint 

- United Nations Association Albania

Ekspertë të pavarur: 

  • Doriana Musai
  • Ani Bajrami
  • Enerit Sacdanaku

 

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: