Çfarë po na bën neve ajri i ndotur në ballkanin perëndimor?

Çfarë po na bën neve ajri i ndotur në ballkanin perëndimor?

ÇFARË PO NA BËN NEVE AJRI I NDOTUR NË BALLKANIN PERËNDIMOR?

NDOTJA E AJRIT DHE PASOJAT E TIJ TEK SHKALLA E VDEKSHMËRISË DHE SHËNDETI I QYTETARËVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Thithja e ajrit të ndotur çon në rritje të vdekshmërisë, ul jetëgjatësinë dhe rrit shkallën eprekjes nga sëmundjet kronike. Në të njëjtën kohë, shpenzimet e kujdesit shëndetësor të paguara nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë në rritje. Ndotja e ajrit shkakton gjithashtu një numër në rritje të ditëve të punës të humbura, së bashku me numrin e ditëve në spital. Reduktimi i ndotjes së ajrit është një masë e shëndetit publik e cila do të ndihmonte drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe në menyrë indirekte edhe në nivele më të ulëta të vdekshmërisë.

Cilësia e dobët e ajrit në Ballkanin Perëndimor e vendos rajonin në krye të zonave më të ndotura të Europës dhe ul performancën e shëndetit publik. Vendet e rajonit janë më të rrezikuara sepse ndotja e ajrit e kombinuar me një nivel më të ulët të zhvillimit ekonomik, varfërisë dhe sistemeve të kujdesit shëndetsor nën nivelin mesatar, i shtohen së gjithës duke krijuar një situatë më vdekjeprurëse.

Disa nga burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor përfshijnë përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë, djegien e qymyrit dhe drurit për ngrohje në pallate dhe objekte tregtare, emetimet e industrisë, djegien e mbeturinave, veprimtaritë bujqësore dhe të ndërtimit, automjetet e transportit dhe gjeneratorët me naftë. Këto burime janë vendet kryesore të origjinës për grimcat e ngurta (PM2.5 dhe PM10), ozoni, oksidet e azotit, dioksidi i squfurit, dioksidi i karbonit dhe metalet e rënda, të cilat janë përgjegjëse në nivel global për miliona vdekje të parakohshme çdo vit.

Efektet e dëmshme të ajrit të ndotur shkaktojnë rritjen e shkallës së vdekshmërisë nga goditja në tru, sëmundjet e zemrës, sëmundjet kronike të mushkërive, kanceri i mushkërive dhe infeksionet akute respiratore. Efektet e ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit variojnë nga ato klinike, të tilla si infeksionet e traktit respirator të ulët, deri në vdekjen e parakohshme.

Përveç kësaj, Ballkani Perëndimor është ndër rajonet më të prekura nga ndikimi i ndryshimit të klimës. Gjatë dekadave të fundit, është dokumentuar një rritje e konsiderueshme e valëve të nxehtësisë - sot, numri i tyre është dyfishuar përafërsisht krahasuar me mesin e shekullit të 20-të. Kushtet e motit më të ngrohtë i përshtaten formimit të ozonit, një nga ndotësit kryesorë gjatë pjesës më të ngrohtë të vitit. Gjithashtu, është vënë re se moti i ngrohtë dhe përqendrimet më të larta të dioksidit të karbonit në atmosferë kontribuojnë në periudha më të gjata të vegjetacionit dhe pllenimit. Kjo shkakton përqendrime më të larta të polenit në ajër, të cilat mund të kenë efekte negative tek personat me alergji, si dhe tek pacientët me astmë.

Kush po i paguan pasojat e ndotjes së ajrit?

Pasojat e thithjes së ajrit me cilësi të dobët paguhen nga të gjithë ne, dhe më shumë nga grupe të caktuara shoqërore që janë më vulnerabël ndaj tij.

Çmimi i ndotjes së ajrit paguhet me jetën e njerëzve. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2016, ka pasur rreth 13,500 vdekje të parakohshme në rajonin tonë, si pasojë e cilësisë më të dobët të ajrit në të gjithë Europën. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Europiane të Mjedisit nga 2012, ndotja e ajrit në vendet e Ballkanit Perëndimor ka çuar në 22,670 vdekje të parakohshme që i atribuohen ndotjes së tepërt të shkaktuar nga grimcat e ngurta (PM2.5); 1,060 për shkak të ndotjes së tepërt të shkaktuar nga ozoni (O3); dhe 1,670 vdekje për shkak të ndotjes së tepërt të shkaktuar nga dioksidi i azotit (NO2).

Qendra e Përbashkët e Kërkimit e Komisionit Europian deklaron se ndotja e ajrit, mesatarisht, kontribuon me 4% deri në 19% në normën totale të vdekjeve të parakohshme dhe ul jetëgjatësinë me 0.4-1.3 vjet në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndotja e ajrit ka një efekt më të madh në uljen e jetëgjatësisë së popullatës së moshuar dhe fëmijëve nën moshën pesë vjeç, gjë që ndodh veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta. Në nivel global, rreth 75% e vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit ndodh tek njerëzit mbi 60 vjeç. Për herë të parë në dhjetor, këto fakte u konfirmuanedhe në gjykatë. Përkatesisht, një gjykatë britanike pranoi provat mjekësore që tregonin se një vajzë 9-vjeçare kishte vdekur nga ndotja e ajrit.

Personat me një status më të ulët socio-ekonomik shpesh janë më të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit pasi ata priren të jetojnë në zona me trafik të rënduar dhe afër burimeve të ndotjes, siç janë termocentralet dhe objektet industriale. Përveç kësaj, në shumicën e rasteve njerëzit e varfër bëjnë punë të rënda që nënkupton ekspozimin ndaj tymrave, grimcave të ngurta, gazrave dhe metaleve të rënda.

Së fundmi, çmimi i ndotjes së ajrit pasqyrohet tek kostot e kujdesit shëndetësor. Vleresohet se vetëm termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor shkaktojnë dëme ekonomike në formën e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor që variojnë nga 1.2 në 3.4 miliardë euro çdo vit.

Si mund të kemi shëndet më të mirë dhe ajër më të pastër në Ballkanin Perëndimor?

Bazuar në të dhënat e paraqitura, përfundimi është i qartë: për të shpëtuar jetën e njerëzve dhe për të ruajtur shëndetin publik, ne duhet të përmirësojmë cilësinë e ajrit sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe gjendjen e shëndetit publik, duke zhvilluar sistemet e kujdesit shëndetësor.

Është e nevojshme të përcaktohet zvogëlimi i ndotjes së ajrit si një përparësi kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare dhe të integrohen proceset e planifikimit si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar. Sidoqoftë, më e rëndësishmja, këto masa nuk duhet të mbeten vetëm të shkruara në letër, por duhet të sigurohen burime të përshtatshme përvënien në zbatim të tyre. Prandaj, vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të rrisin buxhetet e tyre kombëtare dhe lokale për kontrollin e ndotjes së ajrit dhe të përcaktojnë përparësitë që synojnë të zvogëlojnë ndikimin e emetimeve të ndotësve në popullatë dhe mjedis.

Për të pasur një mbikëqyrje më efikase të ndotësve dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit, partneritetet multisektoriale duhet të vendosen në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal. Parandalimi i sëmundjeve kronike të cilat vijnë si rezultat i cilësisë së dobët të ajrit duhet të bëhet pjesë integrale e përparësive të politikës mjedisore. Për më tepër, kjo duhet të shoqërohet me masa për të adresuar ndryshimet klimatike, të cilat gjithnjë e më shumë ndikojnë në thuajse të gjitha aspektet e jetës.

Së fundmi, ulja e numrit të vdekjeve, zgjatja e jetëgjatësisë dhe zvogëlimi i kostove të kujdesit shëndetësor për e ajrin e ndotur që thithim, kërkon gjithashtu veprimin e qytetarëve nga poshtë-lart. Pra, çështja e ndotjes së ajrit - një çështje që nuk njeh kufij midis shteteve të Ballkanit Perëndimor - mund të zgjidhet vetëm në një mënyrë solidare, në nivel rajonal.

Në mënyrë që bashkërisht ta ruajmë dhe ta rrisim jetëgjatësinë e njerëzve, bashkohuni në betejën solidare të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe bëhuni pjesë e fushatës "Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër": http://bit.ly/BallkaniiBashkuarALB

Mësoni më shumë rreth fushatës "Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër" në: https://www.facebook.com/BalkansUnitedforCleanAir

logo

Rruga Islam Alla, Pallati IVEA, Kat I, Tirana, Albania

Na ndiqni: