A është më mirë të pyllëzojmë apo të lëmë pyjet të rigjenerohen natyrshëm?
A është më mirë të pyllëzojmë apo të lëmë pyjet të rigjenerohen natyrshëm?
Kombet po zotohen të mbjellin miliarda drurë. Por studimet e reja tregojnë se kemi nënvlerësuar fuqinë e rigjenerimit natyror të pyjeve për të luftuar ndryshimet klimatike.
"Ato që u rritën më mirë janë kryesisht ato që nuk i kemi mbjellë," më thoshte njëherë miku im K.K, duke më treguar një sipërfaqe të pyllëzuar disa vite rresht nga shërbimi pyjor. "Këta filiza janë rritur natyrshëm rreth e rrotull sipërfaqes së caktuar për pyllëzime. Natyra e di mirë se çfarë bën."
Kjo situatë është ndoshta e vërtetë në shumë vende të tjera. Ndonjëherë, thjesht duhet t'i japim hapësirë natyrës për t'u rritur natyrshëm. Kjo mbështetet edhe nga studime te reja që theksojnë se potenciali i rigjenerimit të pyjeve natyrore për të thithur karbonin atmosferik dhe për të luftuar ndryshimet klimatike është nënvlerësuar seriozisht.
Pyllëzimi është kthyer në një trend modern së fundmi. Bashkimi Evropian ka premtuar të mbjellë rreth 3 miliardë drurë si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër. Në mbarë botën, në kuadrin e Sfidës së Bonit 2011 dhe Marrëveshjes së Parisit për Klimën 2015 janë përcaktuar zotime dhe objektiva ekzaltuese për të restauruar më shumë se 850 milionë hektarë pyje, kryesisht nëpërmjet pyllëzimit. Kjo do të zinte një territor pak më të madh se India, ku do të përdoreshin rreth një çerek trilioni drurë. Edhe qeveria shqiptare ndër vite ka propaganduar mbjelljen e milionave drurëve.
Pyllëzimi shihet gjerësisht si një "zgjidhje e bazuar në natyrë", një mënyrë për të moderuar ndryshimet klimatike në tre dekadat e ardhshme, ndërsa bota punon për të arritur një ekonomi me zero karbon. Por ka edhe një anë tjetër të medaljes.
Disa kritikë argumentojnë se përpjekjet agresive për të arritur objektivat e pyllëzimeve thjesht do të sigurojnë maskën mjedisore për zënien e tokës me qindra miliona hektarë me plantacione monokulture të një grushti llojesh tregtare me rritje të shpejtë dhe shpesh invazive si akacia. Të tjerë mendojnë se nuk kemi pse mbjellim, kur thjesht mund ti lëmë pyjet që të rigjenerohen. Natyra e di mirë se çfarë duhet të rritet dhe e bën më së miri punën e saj.
Gjëja më e rëndësishme në lidhje me rigjenerimin natyror të pyjeve është se shpesh nuk kërkon asgjë më shumë se mosveprimi i njeriut. Natyra është vazhdimisht në punë duke restauruar pyjet hap pas hapi, shpesh dhe në mënyrë të padukshme, në skajet e tokave bujqësore, në kullotat e braktisura, dhe kudo ku shtrihen pyje të degraduara ose ish-toka pyjore të braktisura.
Ndoshta për shkak se ndodh jashtë vëmendjes politike dhe nuk tërheq investime, të dhënat për sipërfaqet pyjore të rigjeneruara në mënyrë natyrore mungojnë. Imazhet satelitore dhe metodat e tjera të vrojtimit në distancë janë shumë të afta në identifikimin e zonave të shpyllëzuara, të cilat janë shumë të dukshme dhe identifikohen më lehtë. Por zonat e rigjeneruara nuk shfaqen lehtë në këto analiza dhe sipërfaqja e pyjeve të rigjeneruar nuk vlerësohet.
Një studim i Universitetit të Arkansasit vlerëson se vetëm rreth një e katërta e sipërfaqes së humbur të pyjeve është përgjithmonë e zënë me veprimtari njerëzore të tilla si ndërtesat, infrastruktura ose bujqësia. Pjesa tjetër, tre të katërtat, e dëmtuar nga zjarret, kullotja apo prerja, është përkohësisht e humbur, pasi ekziston mundësia për ripërtëritje natyrore të këtyre sipërfaqeve.
Në Evropë, mbulesa e pyjeve ka arritur deri në 43 për qind, jo nga pyllëzimet por nga rikolonizimi natyror i tokave bujqësore. Italia, për shembull, e ka rritur mbulesën e saj pyjore me 2,5 milionë hektarë. Në ish-vendet komuniste të Evropës Qendrore, pjesa më e madhe e 16 për qind të tokave bujqësore në malet Karpate, të braktisura në vitet 1990, është rizaptuar nga pyjet e famshme të ahut, trashëgimi e UNESCOs. Në Rusi, një sipërfaqe ish-tokash bujqësore sa dyfishi i Spanjës është rikolonizuar nga pyjet, konsideruar si ndryshimi më i përhapur dhe më i papritur i përdorimit të tokës në shekullin e 20-të në hemisferën veriore.
Me natyrën në marshim, një shqetësim i madh është nëse nxitja për pyllëzime mund të zërë me plantacione toka që mund të rikolonizohen nga pyjet natyrore, duke sjellë më pak diversitet, më pak kafshë të egra, më pak shërbime për njerëzit dhe shpesh më pak karbon i sekuestruar.
Shumica e konsiderojnë pyllëzimin si mjeti më i preferuar për të imituar pyjet natyrore. Por ky mentalitet po ndryshon. Gjithnjë e më shumë ekspertë po ngrenë zërin kundër paragjykimit në studimet që krahasojnë rigjenerimin natyror me pyllëzimin. Rigjenerimi natyror po vlerësohet si një strategji e shkëlqyer restaurimi për shumë peizazhe të degraduara. Pyjet e rigjeneruar në mënyrë natyrore, dikur të keqkuptuar e pak të studiuar, konsiderohen si ekosisteme të reja, në rritje e sipër, me aftësi të mira vetë organizuese që e marrin veten jashtëzakonisht shpejt.
Hulumtimet e fundit tregojnë se pyjet tropikale të rigjeneruar në mënyrë natyrore rifitojnë 80 për qind të pasurisë së specieve të tyre brenda 20 vjetësh, dhe shpesh 100 për qind brenda 50 vjetësh. Dhe kjo është shumë më e mirë se ajo që arrijnë pylltarët kur përpiqen të riprodhojnë ekosistemet pyjore. Edhe niveli i sekuestrimit të karbonit mund të jetë më i lartë në pyjet e rigjeneruar në mënyrë natyrore.
Ky rimendim shkencor kërkon një rimendim të politikës. Politikanët dhe bizneset prej kohësh i kanë hipur trenit të pyllëzimeve dhe qeveritë dhe organizatat jofitimprurëse po vazhdojnë nismat për të mbjellë miliarda apo edhe trilion drurë për një mori arsyesh sociale, ekologjike dhe estetike.
Mbjellja e një trilion drurëve gjatë tre dekadave të ardhshme është një sfidë e madhe logjistike. Një trilion është një numër i madh. Ky objektiv do të kërkonte një mijë drurë të rinj të mbjellë në çdo sekondë, duke garantuar njëkohësisht që të gjithë ata të mbijetojnë e të rriten. Duke llogaritur koston e fidanishteve, përgatitjen e tokës, mbjelljen e shërbimet e tjera, gjithë ky aksion do të kushtojë qindra miliardë dollarë. Nëse rigjenerimi natyror i pyjeve është më i lirë dhe më i mirë, a ka kuptim kjo?
Restaurimi natyror i pyjeve të degraduara është një mundësi më e mirë se pyllëzimi. Edhe pse në disa zona tepër të dëmtuara do na duhet të pyllëzojmë, përgjithësisht pyllëzimi duhet të jetë alternativa e fundit, pasi është më e shtrenjta dhe shpesh nuk është e suksesshme.
Genti Kromidha
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri